Shtyhet vendimi për Saimir Tahirin, Apeli flet në 26 qershor për fatin e tij

AKTUALITET


Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, ka shtyrë dhënien e vendimit për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili do të njihet me dënimin ose jo, ditën e premte më 26 qershor.

Kjo shtyrje erdhi pasi anëtari i ri i trupës gjykuese Dhimitër Lara, ka kërkuar më shumë kohë për tu njohur me dosjen.

Kjo pasi Lara zë vendin e gjyqtares Nure Dreni, e cila u shkarkua pak ditë më parë në kuadër të procesit të vetingut.

Fati për ish-ministrin është në dorën e treshes së gjyqtarëve Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Dhimitër Lara.

Prokuroria kërkon dënimin me 12 vite burg për ish-ministrin, të cilin e ka kërkuar edhe në shkallën e parë të gjyqësorit.

Saimir Tahiri është akuzuar si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë dhe se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.

Ish-ministri u shpall fajtor dhe u dënua në shkallën e parë, vetëm për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj shërbim prove, duke u akuzuar se nuk kishte marrë masa për parandalimin e kanabizimit të vendit dhe nën akuzën e përfshirjes së efektivëve të policisë në këtë aktivitet kriminal.



Skip to toolbar