Debate të ashpra janë zhvilluar në seancën ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë, në Apelin e Krimeve të Rënda. Avokati i Endrit Zelës, Bledar Shania kërkoi dorëheqjen e kryesueses së trupës, Albana Boksi, duke pretenduar se është në një tjetër proces administrativ në gjykatën e Shkodrës me xhaxhain dhe babanë e gjyqtares Boksi. Avokati sqaroi se ai po mbron palën e paditur nga të afërmit e gjyqtares, madje këta të fundit e kanë fyer gjatë procesit duke e quajtur si kriminel.
Kjo kërkesë u refuzua nga trupa gjykuese, çka bëri që avokati të braktisë sallën e gjyqit, me pretendimin se nuk mund të vijojë procesin me një trupë gjykuese që ka konflikt interesi. Avokati theksoi se gjyqtarja Boksi nuk mund të japë një vendim të drejtë, për shkak se mund të ketë ndikim nga ana familjare. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe i pandehuri Endrit Zela.
Ndërsa i pandehuri Gilmando Dani kërkoi për të disatën herë përjashtimin e gjyqtarit Arben Vrioni, me pretendimin se vëllai i gjyqtarit e ka kallëzuar penalisht Gilmando Danin dhe vëllain e tij, lidhur me një aksident të ndodhur më parë. Në përfundim, gjykata vendosi t’i caktojë Zelës një avokat kryesisht, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më datë 28 Tetor ora 11:00.