Hahn: Vendimi i BE rrezikon destabilizimin e Ballkanit

AKTUALITET


Zhgënjyes, e ka cilësuar eurokomisioneri për zgjerimin në BE, Johannes Hahn vendimin e liderëve që nuk arritën të dalin me një marrëveshje pro çeljes së negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin e Brukselit. Një vendim që nuk na bën aspak krenar, shkruan Hahn, ndërsa shton se ky vendim rrezikon ketë pasoja negative dhe destabilizim në Ballkan. Përgjegjësia jonë, shkruan Hahn është që të mbështesim fuqimisht këto shtete dhe veçanërisht qytetarët e zhgënyer me të drejtë, ndërsa premton se vetë ai do të punojë fort në mbështetjen e strategjisë së zgjerimit të BE-së.

“Udhëheqësit e BE nuk arritën të zbatojnë angazhimin e tyre për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ky është një zhgënjim ekstrem. BE tani duhet të sqarojë se sa serioz është angazhimi i tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor.


Përgjegjësia jonë tani është të mbështesim qytetarët e këtyre shteteve që janë të zhgënjyer deri në kockë me të drejtë dhe të vazhdojmë të bëjmë gjithçka, që unë kam fuqi të bëj për t’i mbështetur ata. Integrimi  në BE i Ballkanit është dhe mbetet një politikë e rëndësishme strategjike, në interesin tonë të ndërsjellë.

Siç u tha tashmë në Luksemburg: Ky nuk është një moment lavdie për BE. Refuzimi i njohjes së progresit të faktuar do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, që do të sjellë ndikime edhe në BE.

Falënderoj të gjithë ata që natën e kaluar vunë gjithë peshën e tyre për të arritur një vendim me rëndësi të madhe strategjike për BE dhe luftuan për dërgimin e një sinjali të  shpresës tek qytetarët e Ballkanit Perëndimor”, shkruan Hahn.

Krerët e BE po shkojnë drejt shtyrjes së çeljes së negociatave  për Shqipërinë dhe MAqedoninë e Veriut pas vetos së vendosur nga Franca e cila kërkon më parë reformimin e BE dhe më pas ecjen përpara me procesin e zgjerimit./realstory.al




Skip to toolbar