Si ndryshoi Basha për Astirin, nga “nuk lejojmë prishjen” te dëmshpërblimi

#NËRADAR


Kreu i PD ka braktisur së fundmi banorët e Astirit, të cilëve u kishte premtuar se banesat e tyre nuk do prekeshin, por që tashmë premtimi i tij është moderuar në “dëmshpërblim”. Kreu i PD, Lulzim Basha, për të qetësuar disi banorët e Astirit nga ky zhgënjim pas aksionit të IKMT, të mbështetur nga disa institucione, doli të martën dhe premtoi se do i dëmshpërblejë sipas çmimit të tregut të gjithë banorët e prekur nga projekti i Unazës së Madhe. Të njëjtën gjë tha edhe Kryemadhi.

Por ky qëndrim i Bashës vjen pas një sërë luhatjesh në marrëdhënien e tij gjatë 12 muajve të protestës së banorëve të Unazës së Re. Që në fillim të saj, në nëntor 2018, Basha nxitoi t’i bashkohet protestës së banorëve, duke deklaruar në atë kohë se “nuk do lejojmë që t’iu nxjerrin në rrugë”. Ndërsa gjatë muajit dhjetor, ai intensifikoi sulmet ndaj mazhorancës, duke hedhur akuza s është devijuar projekti, ndërkohë që pas kësaj pati një pauzë të gjatë në takimet e tij me banorët e Astirit.


Më 10 mars, vetëm 6 ditë para nisjes së protestave të opozitës, kreu i PD iu rikthye protestës së banorëve tek Unaza e Re. Në këtë takim, ai nuk përmendi më se nuk do lejonte të prisheshin banesat, por deklaroi se ka ardhur koha që vendimet t’i marrin vetë ata, ndërsa i ka ftuar t’i bashkohen protestës së 16 marsit. Pas kësaj date, banorët e Astirit ishin pjesëmarrës në çdo protestë të opozitës dhe mund të cilësoheshin si tubuesit më të zjarrtë, ku siç dihet nuk munguan edhe aktet e dhunës.

“Dashuria” e kreut demokrat me banorët e Astirit vazhdoi deri në fillim të qershorit, pasi ata merrnin pjesë rregullisht në çdo protestë të opozitës. Por pas 30 qershorit, mes tyre pati sërish një distancim dhe Basha u rikthye tek ata në mes të muajit gusht, duke firmosur edhe një marrëveshje. Por ndryshe nga sa kishte folur nëntë muaj, në marrëveshje nuk kishte më terma se nuk do lejonin prishjen e shtëpive, por që Basha nisi të flasë për dëmshpërblim. Pas kësaj marrëveshje me banorët, njësoj siç veproi edhe më një grup artistësh që protestojnë për Teatrin Kombëtar, Basha u shkëput sërish prej tyre deri në mes të muajit shtator, pasi u kritikua nga disa media se ai i ka braktisur banorët e Astirit. Në këtë kohë, Basha u rikthye në protestat dhe përcaktoi edhe të deleguarin e vet, Klevis Balliu që të organizonte protestat. “Nuk do lejojmë fadromat, pa kaluar mbi trupat tanë”, shprehej Klevis Balliu.

Ndërsa këtë të martë, reagimi i opozitës, si i Bashës edhe Kryemadhit, u duk si ai pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ku deklarohej se nuk do të lëshoheshin bashkitë, por në ditën që bëhej konstituimi përkatës, si demokratët, ashtu edhe LSI-stët reagonin vetëm pasi kryetarët dhe të emëruarit e tyre i kishin braktisur zyrat, pikërisht për mosmbështetje nga ana e partisë, ku një nga rastet më interesantë ishte ai i Kamzës, për të cilin Basha reagoi vetëm pasi në të gjitha mediat doli lajmi se Mziu, jo vetëm kishte liruar zyrën, por edhe e kishte boshatisur atë.

Edhe për Astirin, të njëjtën gjë deklaroi PD, kur nënshkroi me banorët e Astirit një marrëveshje, të njëjtë edhe me “mbrojtësit” e Teatrit Kombëtar. E pikërisht duke pasur shpresë te kjo marrëveshje dhe mbrojtja politike që mund t’i bënte opozita, banorët dhanë alarmin që të hënën se nesër në mëngjes do vijnë të na shembin shtëpitë, duke menduar se Lulzim Basha do i dilte në ballë sulmit, të cilin e cilësoi si një skenar për gjakosjen e qytetarëve, por që në të vërtetë, ai vetë shkoi vetëm në spital, ku më shumë doli para mediave për të mbrojtur vijën propagandistike të PD sesa shëndetin e banorëve të plagosur dhe nuk tha asnjë fjalë pse nuk i mbrojti shtëpitë e tyre, por foli vetëm për dëmshpërblim, kur të vijë në pushtet. /Realstory.al/




Skip to toolbar