Sokol Balla: Qeveria para, Vetëvendosja pas

#NËRADAR


Një ditë e ngarkuar sot, jo me trafik, por me përleshje dhe shkatërrime shtëpish ishte në Unazën e Re të Tiranës. Prej orëve të para të mëngjesit më shumë se 30 ndërtime që zinin segmentin ku do ndërtohet loti i parë i ri, u shembën nga IKMT, ndërkohë që dhjetëra banorë dhe policë u përleshën, duke lënë së paku 7 uniforma blu dhe 5 civilë të lënduar. Por më pas vetëm shiu ka penguar shkatërrimin e shtëpive dhe ndërtesave, që cilësoheshin si më delikatet dhe në pronësi të bërthamës më të fortë të protestuesve.

Opozita dhe presidenti kanë nxituar të mbështesin protestuesit. Ndonjë edhe me shumë sesa duhet, si zonja Pampuri, e cila shpalli fillimisht një protestues të vdekur e më pas kërkoi falje për nxitimin e saj. Ajo që u vu re është edhe ndryshimi i qëndrimit të opozitës. Ndërsa dje premtonte mos tërheqje dhe barrikadë fizike, si dhe prishje të projektit nëse do vinte në pushtet, sot ajo thotë se kur të vijë në pushtet do të bëjë kompensim të plotë banorëve të dëmtuar. Praktikisht për dikë që mendon se edhe qeveria po bën një kompensim, atëherë diferenca qëndron jo te projekti, por te sasia e lekëve që do t’u ndahet banorëve.


Por protesta e sotme do të mbahet mend se çoi në një nivel tjetër përplasjen mes maxhorancës dhe… Lëvizjes Vetëvendosje. Partia që fitoi zgjedhjet në Kosovë, por që operon si OJQ në Tiranë, doli sot me një deklaratë të ashpër ku dënohej sipas saj dhuna ndaj banorëve si dhe projekti po sipas saj, korruptiv i qeverisë. Kaq ka mjaftuar që Erion Veliaj të dalë me një reagim të ashpër dhe t’i kërkojë zëdhënësve të Albinit në Tiranë, të merren me punët e Prishtinës. Pavarësisht se Vetëvendosja u përgjigj se bordi i saj këtu, janë të gjithë shtetas shqiptar, pakkush nuk ka menduar se në fakt sot, në Unazën e Re u përplasën direkt për herë të parë Edi Rama me Albin Kurtin. A është ky preludi i një përplasjeje të re nesër elektorale në Shqipëri?

Ndoshta, por lajmi i vërtetë është se dje, në unazën e re, opozitën më cilësore e bëri Vetëvendosja. Një aksion i thjeshtë: i qëndroi tezave që dikur kishte PD, kur u fut dhe mori politikisht në dorë drejtimin e protestës një vit më parë. Sot opozita në Tiranë ndahet në sasi lekësh me qeverinë (në garë është vetëm PD me LSI se kush do falë lekë më shumë), duke i lënë Vetëvendosjes hapësirën e duhur për të bërë ajo, opozitën reale.

Një gjë që u vu re nga shqetësimi i Velisë, që sigurisht është dhe shqetësimi i Ramës. Si duket shembja e shtëpive në Unazë, zbuloi hapësirën të cilën duhet ta kishte Basha në Tiranë, por që mesa duket e menaxhon më mirë Albin Kurti nga Prishtina.

Luli fle, Albini s’fle. Një arsye reale pse që sot e tutje Edi Ramën të mos e zërë gjumi as atë, në Tiranë. Realstory.al




Skip to toolbar