Monika Kryemadhi dhe analisti Skënder Minxhozi debatuan në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në lidhje me reformën Zgjedhore. Sipas analistit Minxhozi, të gjitha partitë politike, përjashto LSI, pëlqejnë që të kenë një sistem zgjedhor ku kryetari kontrollon gjithçka, duke vendosur emrat e deputetëve në lista. “Të gjithë këtu e pëlqejnë faktin që të kemi një sistem zgjedhor që kryetari të kontrollojë gjithçka. Dy partitë e mëdha janë shumë komode me faktin se listat mbyllen natën e fundit të afatit dhe kryetarët i bëjnë të gjitha vetë. Partitë nuk kanë jetë të brendshme demokratike për të sjell lista kandidatësh që të jenë aty ku duhet të jenë”, tha Minxhozi.
Monika Kryemadhi ndërhyri në debat, duke u shprehur se problem nuk është sistemi zgjedhor, por sistemi i drejtësisë. Kryemadhi u shpreh se sistemi me lista të mbyllura kufizon demokracinë brenda partive. “Këtu nuk është problem sistemi zgjedhor. Këtu është problem sistemi i drejtësisë. Deputeti i Kukësit nuk është i barabartë me deputetin e Fierit apo Tiranës. Unë besoj te ëndrrat e të rinjve, se ata kanë bërë shpikjet më të mëdha. Unë jam për atë sistem, që vota ime, dhe e të gjithëve të jetë e barabartë. Për mua lista e mbyllur është mungesë demokracie. Do ta bësh me qark, bëje, do proporcional kombëtar, bëje”, tha Kryemadhi.
Monika Kryemadhi deklaroi në “Real Story”, se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, erdhën pasi Berisha pranoi kushtet e Edi Ramës, pasi kërkonte të zvogëlonte kompetencat e Bamir Topit, që ishte president. “Kjo rregullohet me vullnet politik. Ne kemi qenë të hapur për të bërë debat të hapur publik për sistemin. Sali Berisha për të zvogëluar kompetencat e Bamir Topit, pranoi kushtet e Edi Ramës në 2008, me të vetmin kusht që ai të futej në zgjedhje. Duhet të jetë një parlament me madat të kufizuar, siç e bëri Kroacia. Ose shkojmë drejt një referendumi, dhe hajde të përgatitemi e të vendosim si popull, për sistemin zgjedhor, për zgjedhjen e presidentit. Këtu mungon vetëm vullneti politik i një individi”, tha Kryemadhi.
Ndërkohë, analisti Skënder Minxhozi duke iu referuar hapjes ose jo të negociatave, ai u shpreh se një vendim qoftë kundër apo pro Shqipërisë, nuk do të kishte peshë elektorale. “Në fund, unë besoj se zgjedhjet as nuk fitohen as nuk humben me një hapje të negociatave. Për mua nuk është karburant elektoral. Nuk besoj se negociatat do influenconin zgjidhjen ose jo të krizës. Ligji elektoral. Ne jemi në këtë stad, dhe procesi i reformës zgjedhor ishte vetëm ajo tavolinë me një vajtje dhe një ikje, dhe asgjë tjetër”, shtoi Minxhozi./Realstory.al/