Situata në Kabul, Johnson kërkon mbledhjen e G7

BOTA


Talebanët qëlluan në ajër dhe përdorën shkopinj gome për t’i bërë njerëzit të viheshin në radhë jashtë aeroportit të Kabulit, thanë dëshmitarët, një ditë pasi shtatë persona u vranë nga shtypja e njerëzve në hyrje të tij.

Të dielën, nuk pati lëndime të mëdha pasi persona të armatosur mposhtën turmat dhe vendosën njerëzit në radhë të gjata, thanë dëshmitarët. Ministria britanike e Mbrojtjes tha se shtatë afganë u vranë nga përplasja pranë aeroportit të shtunën, ndërsa mijëra njerëz përpiqen të dëshpëruar të largohen, një javë pasi grupi militant islamik mori kontrollin e vendit. “Sky News” tregoi pamjet e ushtarëve që qëndronin mbi murin e aeroportit të shtunën, duke u përpjekur të nxirrnin të plagosurit dhe spërkatnin turmën me ujë për t’i parandaluar të dehidratohen nga temperaturat e nxehta.


“Kushtet në terren mbeten jashtëzakonisht sfiduese, por ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të menaxhuar situatën në mënyrë sa më të sigurt”, tha Ministria në një deklaratë. Një zyrtar i NATO-s tha se të paktën 20 persona kanë vdekur në shtatë ditët e fundit në dhe përreth aeroportit. Disa u qëlluan dhe të tjerët vdiqën të shtypur nga turma, kanë thënë dëshmitarët.

Afganët në panik janë përpjekur të largohen jashtë vendit, nga frika e hakmarrjes dhe vendosja e një versioni të ashpër të ligjit islam, të cilin grupi mysliman suni e ushtroi kur ishte në pushtet dy dekada më parë. Udhëheqësit e talebanëve, të cilët kanë kërkuar të tregohen më të moderuar që kur morën Kabulin të dielën e kaluar, kanë filluar bisedimet për formimin e një qeverie. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të huaja përfshirë Britaninë kanë dërguar disa mijëra trupa për të menaxhuar evakuimet e shtetasve të huaj dhe afganët e kërcënuar, por kanë qëndruar larg zonave jashtë aeroportit.

VIKTIMAT

Shtatë persona u vranë pranë aeroportit të Kabulit të shtunën ndërsa mijëra njerëz u mblodhën në një përpjekje të dëshpëruar për të lënë vendin ndërsa talebanët marrin kontrollin, tha të dielën Ministria Britanike e Mbrojtjes. Qysh prej 15 gushtit, në aeroport ka mbretëruar kaosi ndërsa mijëra njerëz përpiqen të largohen nga vendi, nga frika e rikthimi të sundimit të ashpër të ligjit islamik të 20 viteve më parë kur talebanët kontrollonin vendin.

“Kushtet në terren mbeten jashtëzakonisht sfiduese, por ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të menaxhuar situatën në mënyrë sa më të sigurt”, thuhet në një deklaratë nga Ministria britanike e Mbrojtjes. Temperaturat të shtunën në Kabul arritën 34 gradë Celsius. Agjencia e lajmeve “Associated Press” raportoi se nuk ishte menjëherë e qartë nëse të vrarët ishin shtypur nga turmat, apo kishin pësuar goditje fatale në zemër. Një korrespondent i rrjetit televiziv “Sky News”, i cili ishte në aeroportin e Kabulit, tha se dhjetëra mijëra afganë kishin mbushur pistën të shtunën, ndërsa pjesa që ndodheshin pranë barrikadave ishte shtypur nga dyndja e madhe e njerëzve. Po ashtu të shtunën, qytetarët amerikanë në Afganistan që kërkonin të largoheshin nga vendi u këshilluan që të mos shkonin në aeroportin e Kabulit nëse nuk kishin marrë “udhëzime individuale nga një përfaqësues i qeverisë amerikane për ta bërë një gjë të tillë”. Udhëzimi nga ambasada amerikane në Afganistan duket se shtoi konfuzion dhe panik, ndërsa mijëra njerëz që kanë rrethuar aeroportin e Kabulit po përpiqen të largohen nga vendi.

BORIS JOHNSON

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se ka thirrur një takim të udhëheqësve të G7-ës të martën për të diskutuar krizën në Afganistan dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të gjejë mënyra për të parandaluar përshkallëzimin e saj. “Është jetike që bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku për të siguruar evakuime të sigurta, për të parandaluar një krizë humanitare dhe për të mbështetur popullin afgan për të siguruar fitimet e 20 viteve të fundit”, tha Johnson të dielën në “Twitter”. Pentagoni ndërkohë tha të dielën se po kërkon zyrtarisht ndihmë nga linjat komerciale ajrore për të zhvendosur të evakuuarit nga Afganistani pasi të kenë dalë nga vendi i tyre. Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka aktivizuar fazën fillestare të programit të Flotës Ajrore të Rezervës Civile, duke kërkuar 18 avionë: tre avionë nga secila linjë ajrore “American Airlines”, “Atlas Air”, “Delta Air Lines” dhe “Omni Air”; dy nga “Hawaiian Airlines”; dhe katër nga “United Airlines”.




Skip to toolbar