Sizmiologu: Shqipëria u godit nga 297 lëkundje

AKTUALITET


Shqipëria është goditur 297 herë nga lëkundjet e tërmetit që prej pasdites së të shtunë, por fatmirësisht ato kanë qenë me intensitet të ulët. Kështu ka deklaruar sizmiologu Rrapo Ormeni në një lidhje telefonike për “News 24”, lidhur me situatën e rëndë nga tërmetet e njëpasnjëshme në vend.

Sizmiologu tha se rreziku i tërmeteve ka kaluar, pas lëkundjes së fuqishme 5.8 ballë pasditen e së shtunës, ndërsa theksoi se lëkundjet do të vijojnë.

“Ka qenë një natë me më pak lëkundje se dje. E vetmja lëkundje e fortë ishte ajo 4.9 ballë. Që prej pasdites së djeshme, janë regjistruar 297 goditje. Nga ora 12 e natës janë regjistruar 87 goditje, por me magnituda të vogla” u shpreh Ormeni, ndërsa qetësoi kur tha që mendohet se goditja kryesore ka kaluar. Sipas tij, goditje pas goditjeve do të kemi, por nuk do të jenë të rrezikshme.

“Goditjet vazhdojnë me ditë dhe me javë, por në rënie. Madhësia e tyre vjen vetëm duke u zvogëluar”, shpjegoi sizmiologu.



Skip to toolbar