Kushtetuta s’lejon “Nikin” të hyjë në zyrë

#NËRADAR


Anëtari i zgjedhur nga Presidenti për vakancën e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, u shkarkua të enjten nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ish-prokurori i zgjedhur anëtar i Gjykatës Kushtetuese pak javë më parë, nuk e kaloi një nga kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë. Megjithatë, Besnik Muçi u shpreh se nuk e njeh vendimin e KPA, pasi sipas tij në çastin që u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese humbi statusin e prokurorit. Dhe për Besnik Muçin fakti që  humbi statusin e prokurorit, i krijon atij mburojën nga Vettingu.

Por a qëndron kështu e vërteta? Pra a është subjekt i rivlerësimit, anëtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi?

Po, ai është subjekt i rivlerësimit. Këtë e përcakton qartë Neni 179/b/3 i Kushtetutës së Shqipërisë, ku thuhet: “Të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të gjithë prokurorët, duke përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm, Kryeinspektorin dhe inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i nënshtrohen rivlerësimit ex officio”, thuhet në Kushtetutë. Këtu bie pretendimi i parë i Besnik Muçit se për të duhet të ishte ndërprerë Vettingu në çastin që u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu, ligji për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese përcakton qartë në Nenin 7/a mbi kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në pikën “dh” të këtij neni thuhet: “Të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit”.

Në fakt, kjo pikë do të duhet të kishte fuqi vepruese përpara se Besnik Muçi të zgjidhej anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Pra, Presidenti, në çastin që kishte përpara listën e kandidatëve për të zgjedhur një emër për vakancën e Gjykatës Kushtetuese, duhet t`i ishte referuar kësaj pike, duke mos dekretuar Besnik Muçin anëtar të Gjykatës Kushtetuese, pasi ishte ende në proces rivlerësimi. Megjithatë, ky është një tjetër diskutim.

Besnik Muçi është shprehur se ai nuk e njeh vendimin e Kolegjit të Apelimit, duke thënë se do të vijojë punën si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Por, edhe në këtë pikë, ligji është i qartë. Sipas ligjit “Për rivlerësimin kalimtar”, në Nenin 66 për Vendimin e Kolegjit të Apelimit, në pikën 3 thuhet: “Vendimi i Kolegjit të Apelimit, që vendos shkarkimin nga detyra, ka efekt të menjëhershëm ex lege”. Pra, Besnik Muçi s`mund të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese prej ditës së sotme. Ndërkohë, nëse ai do të tentojë të mos zbatojë këtë vendim, do të përballet me shkelje ligjore. Konkretisht, është Kodi Penal ai që parashikon masat ndëshkimore për funksionarët publik.

Në Nenin 246 të këtij Kodi, ku flitet për Përvetësimin  e titullit apo detyrës shtetërore, thuhet: “Përvetësimi i një titulli apo detyre shtetërore i shoqëruar me kryerjen e veprimeve që i takojnë mbajtësit të titullit apo të detyrës, përbën kundërvajtje penale dhë dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Kur vepra kryhet me qëllim fitimi apo ka prekur lirinë, dinjitetin apo të drejta të tjera themelore të shtetasit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet”, thuhet në Kodin Penal./Realstory.al/



Skip to toolbar