Socialistët me “avokat”, kundër Metës në Venecia

AKTUALITET


Më 11 tetor Grupi Parlamentar i PS-së, do të përfaqësohet me Taulant Ballën në Venecia, kur ky komision do të miratojë raportin zyrtar për shkarkimin e Metës. Vendimi është marrë të hënën në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.

Taulant Balla do të mbrojë para ekspertëve të Venecias kërkesën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Meta, duke dhënë argumentet se përse presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe përse duhet të shkarkohet.


Në fakt, më herët edhe presidenti Meta është shprehur i gatshëm të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Venecias më 11 tetor, por pas publikimit të raportit paraprak, Meta nuk ka bërë ndonjë deklaratë. Ajo që bie në sy deri tani është ndryshimi i qëndrimit të Presidentit në lidhje me Venecian. Deri dje presidenti e vlerësonte maksimalisht opinionin e Venecias, madje aq shumë sa që deklaroi në një interviste televizive se, nëse Venecia nxirrte si konkluzion se ai ka shkelur kushtetutën, Meta do të jepte dorëheqjen pa pritur më parë vendimin e parlamentit të Shqipërisë. Por fill pasi doli raporti paraprak i Venecias, Meta nxorri zëdhënësin e tij, i cili e cilësoi raportin e Venecias, “trakt të rilindjes”, duke e zhvlerësuar atë. Ndoshta presidenti është në pritje të raportit përfundimtar të Venecias për të marrë një vendim, nëse do të japë dorëheqjen ose nëse do të vijojë të shtrëngojë karrigen e presidentit, duke thënë se ai është “Luani i Venecias”.

Në raportin paraprak, Komisioni i Venecias shkruante se presidenti Meta ka shkelur kushtetutën dhe ka tejkaluar kompetencat duke anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Sipas Venecias, zgjedhjet në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë mund të anulohen vetëm nëse ka situatë të jashtëzakonshme dhe vetëm nëse partitë politike arrijnë në një marrëveshje, siç është bërë nga presidentët e kaluar. Por në rastin konkret, Meta nuk respektoi asnjë nga këto kritere, por firmosi anulimin e zgjedhjeve në kundërshtim me kushtetutën. Sipas Venecias, i takon kuvendit dhe gjykatës kushtetuese të Shqipërisë të vendosin për shkarkimin ose jo të Metës. Megjithatë opinioni zyrtar i Venecias do të jepet në mbledhjen e datës 11 tetor./realstory.al




Skip to toolbar