Gazetari Sokol Balla ishte i ftuar mbrëmë në studion e Mustafa Nanos në ABC news ku dha një zgjidhje krejt origjinale për krizën politike në vend. Balla tha se duhen dy kryeministra që të zgjidhet kriza, pra edhe Basha edhe Rama, që jo të dublojnë njëri-tjetrin, por të kontrollojnë njëri-tjetrin.
“Basha thotë se duhet të ikë Rama, kur se unë them të vijë Basha. Pra të ishin dy kryeministra, Rama dhe Basha. Jo të dublonin njëri-tjetrin, por të kontrollonin njëri-tjetrin. Të krijohej një koalicion i gjere që të përgatiste vendin për zgjedhjet e vitit 2021. Kjo e dy kryeministrave është “një sajesë” shqiptare për të çuar vendin në zgjedhjet e vitit 2011. Ti nuk mund ti thuash Edi Ramës të ikë, sepse në momentin kur i thua ti je shumicë. Ata nuk duhet të ndajnë pushtet, por përgjegjësi”, u shpreh gazetari Sokol Balla.
Ai tha se prej 30 vjetësh janë të njëjtat grupime politike që duan që vendi të digjet vetëm që dikush të ikë nga pushteti. E njëjta gjë sipas tij, ndodhi në vitin 1997 dhe e njëjta gjë po ndodh tani.
“Kemi 26 vjet që nga koha kur ishim bashkë në Partinë Demokratike. Mjekra ime dhe flokët e tua janë më të vlefshme se demokracia shqiptare sot. Ne të dy kemi bërë përpjekje brenda Partisë Demokratike dhe jashtë saj. Qëllimin e mirë besoj se ty dhe mua nuk e vë kush në dyshim.
Janë të njëjtit njerëz, ata që donin të digjej Shqipëria në vitin 1997 vetëm që të ikte Sali Berisha nga pushteti.
Dakord që digjej Shqipëria, po ne ku do të jetojmë?”, u shpreh Balla
Gazetari u pyet nëse parashikon se do të ketë përplasje të mundshme civile gjatë zgjedhjeve. Por Balla tha se nuk e beson se do të ketë një gjë të tillë. “Unë nuk besoj se do të ketë njerëz që do të sulmojnë qendrat e votimit dhe njerëz që i mbrojnë ata”, tha ai.
Balla u ndal edhe tek reforma në drejtësi, duke i konsideruar klithma dëshpërimi ata që janë kundër.
“Këto janë klithma dëshpërimi të atyre që do të ndodhë pas disa muajsh me krijimin e Gjykatës Speciale, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë. SPAK-u nuk do të kursej asgjë. Kjo është bukuria dhe brutaliteti. Ka edhe nga ata nga PS që kanë më shumë frikë se ish-ministrat e PD-së. Aty nuk do të shihet nëse dikush është i PD-së apo i PS-së. Ata duhet të kenë shumë frikë”, tha drejtuesi i Real Story.