Soreca: Shqipëria të mos humbë shpresat, vazhdoni reformat

POLITIKË


“Bashkimi Europian mbetet i palëkundur në integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane, familje të cilësi i përket” ishte premtimi dhe mesazhi që ambasadori i BE Luigi Soreca ka dhënë për shqiptarët dhe klasën politike. Ky mesazh i ambasadorit vjen pas vendimit negativ dhe zhgënjyes për shqiptarët, për mos hapjen e negociatave. Ambasadori i BE nuk shuan shpresat dhe vijon inkurajimin e shqiptarëve dhe klasës politike që të vijojë punën me reformat, pasi është e vetmja rrugë që do e afrojë atë me BE .

Ambasadori Soreca theksoi se forcimi i demokracisë dhe zbatimit të ligjit do u shërbejë fillimisht shqiptarëve dhe vendit, e më pas do të forcojë edhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe aspiratat e saj për integrim.

Angazhimi i BE për integrimin e Shqipërisë mbetet i palëkundur. BE do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm rrugën evropiane të Shqipërisë, për të sjellë popullin shqiptar në familjen, që i përket. Autoritetet shqiptare duhet të vazhdojnë të përqendrohen në procesin e reformave, e vetmja rrugë që do ta çojë Shqipërinë drejt destinacionit të saj. Jo për BE, por për Shqipërinë dhe për të gjithë qytetarët e saj, për përparimin e vendit drejt standardeve më të larta sa i përket demokracisë dhe ligjit”, shkruan Soreca në Twitter.

Mesazhi i ambasadorit të BE vjen si mbështetje dhe inkurajuese që Shqipëria të mos humb besimin tek Unioni Europian, pavarësisht zhgënjimit që pësoi. Vetoja e vendosur nga Franca për bllokimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mori kritika të shumta nga vetë liderët e BE duke arsyetuar se dëmtoi besueshmërinë e saj dhe i hapi rrugë aktorëve dashakeq në rajon. Madje PE miratoi një rezolutë duke u distancuar nga vetoja e Francës dhe kërkon që për të dy vendet të gjendet një zgjidhje sa më shpejtë.



Skip to toolbar