Sot vendoset fati i dekretit të Metës në Kolegjin Zgjedhor

AKTUALITET


Ajo që Realstory.al tha më 13 qershor, merr jetë këtë të hënë vetëm. Kolegji Zgjedhor mblidhet këtë fillim jave për të shqyrtuar vendimin e KQZ-së, e cila mohoi pak ditë më parë kërkesën e Partisë Unitet Kombëtar për tu çregjistruar nga procesi zgjedhor. PUK e drejtuar nga Idajet Beqiri u shpreh para anëtarëve të KQZ-së se Presidenti i Republikës kishte nxjerr një dekret që anulonte datën e zgjedhjeve, për rrjedhojë, partia e tij kishte vendosur të respektonte këtë vendim të kreut të shtetit.

Megjithatë, Realstory.al paralajmëroi se kjo lëvizje e Idajet Beqirit ishte rruga nga e cila maxhoranca do të provonte ligjërisht vlefshmërinë ose jo të dekretit të kreut të shtetit, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, pasi pas rrëzimi të kërkesës së Partisë për Unitet Kombëtar nga KQZ, vendimi i kësaj të fundit shkoi në Kolegj Zgjedhor. Këtë të hënë pritet të mblidhet kjo gjykatë zgjedhore e cila do të marri në shqyrtim vendimin e KQZ-së, për të gjykuar vlefshmërinë ose jo të tij.

Një vendim në favor të partisë së Idajet Beqirit do ti jepte të drejtë dekretit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve, ndërsa rrëzimi i kërkesës për çregjistrim nga zgjedhjet automatikisht rrëzon dhe dekretin e presidentit duke lejuar ligjërisht zhvillimin e zgjedhjeve. Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që do të shqyrtojë kërkesën përbëhet nga Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj.

Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe opozita pretendojnë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është kushtetues dhe duhet të zbatohet nga të gjithë, ndërsa shumica e konsideron antikushtetues dhe për rrjedhojë ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka njohur dekretin e kreut të shtetit, duke vijuar përgatitjet për zhvillimin e procesit zgjedhor në 30 qershor. Nga ana tjetër, opozita dhe Presidenca kanë kërcënuar anëtarët e KQZ me burg. Në këto kushte, Kolegjit Zgjedhor do të thotë fjalën e fundit për përplasjen e paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar.



Skip to toolbar