SPAK drejt formimit, të hënën emërohen 8 të parët

POLITIKË


Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion e njohur me emrin SPAK shumë shpejt pritet të jetë gati. Të hënën, pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, të emërojë 8 prokurorët e parë të kësaj strukture.

8 emrat e kandidatëve për t’u emëruar në këtë prokurori speciale janë Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho, të cilët kanë kaluar të dy fazat e vettingut, një nga kriteret bazë të përzgjedhjes së kandidatëve. Ndërsa kandidatët Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Anita Jella dhe Manjola Kajana janë ende në pritje të vettingut të tyre.

Të hënën, pas emërimit të 8 prokurorëve do të hapet edhe gara për të zgjedhur drejtuesin e tyre, mes këtyre 8 emrave. KLP do t’i lërë 5 ditë kohë 8 prokurorëve që të shprehin interesin e tyre për të marrë drejtimin e SPAK.

Kjo strukturë që perceptohet si bërthama e drejtësisë së re do të hetojë korrupsionin në nivele të larta qeverisëse dhe pritet që të vendos pas hekurave njerëz të pushtetshëm të korruptuar ose “peshqit e mëdhenj”. Pikërisht kjo drejtësi e re, që ka nisur me vettingun dhe do të vijojë me ngritjen e SPAK dhe BKH, ka tmerruar politikanë, prokurorë e gjyqtarë të korruptuar.



Skip to toolbar