Ka vazhduar edhe gjatë ditës së martë procesi i intervistimit të kandidatëve për SPAK. Një ndër ta ka qenë prokurori Besim Hajdarmataj i cili njihet si prokurori i dosjeve të nxehta pasi është marrë me dosjen “Tahiri”, “Shullazi” por edhe me përgjimet e BILD.
Më herët EURALIUS dhe OPDATE e kanë pyetur prokurorin në veçanti për materialet e përgjimeve të publikuara nga gazeta “Bild”.
Prokurori është përgjigjur se përderisa Prokuroria për Krime të Rënda nuk ka patur një sektor të vetin për përgjimet, atëherë është e vështirë të përcaktohet nga kush kanë dal ato.
Ndërsa prokurori Behar Dibra nuk është paraqitur në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për të zhvilluar intervistën në kuadër të krijimit të SPAK për shkak se ishte i angazhuar në një proces gjyqësor.
Ai ka kërkuar nga KLP që t’i caktohet një datë tjetër për të dhënë intervistën për vlerësimin e tij për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.