KLP, intervista “sekrete” për SPAK. Ibrahimi: Fshehtësia, për të mbrojtur kandidatët

AKTUALITET


Përveç Gjykatës Kushtetuese që do të nisë të funksionojë brenda muajit korrik, duket se edhe SPAK është në rrugë të mbarë drejt ngritjes dhe fillimit nga puna.

Mëngjesin e së hënës Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar katër intervistat e para me kandidatët për SPAK-un. Në pyetje u morën Altin Dumani, që është drejtues në Prokurorinë  e Apelit të Krimeve të Rënda, Anton Martini prokuror te Krimet e Rënda,  Arben Kraja prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Anita Jella drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.


Ndërkohë, gjatë të martës dhe deri në datën 12 korrik janë parashikuar që të dalin para KLP-së të tjerë prokurorët që kandidojë për të qenë pjesë e SPAK.

Ajo që bie në sy është se intervistat me prokurorët, kandidatë për SPAK, zhvillohen në diskrecion të plotë dhe nën monitorimin e ndërkombëtarëve. Secili prej kandidatëve ka një orë në dispozicion. Intervistat me 22 kandidatët për SPAK-un nuk do të bëhen të njohura për publikun për faktin se gjatë marrjes në pyetje, ata do të pyeten dhe do të japin shpjegime për dosje të caktuara, me emra të pandehurish, apo ato që lidhen me persona te caktuar dhe numra dosjesh me objekt sekret hetimi.

Në fund të intervistimit të katër kandidatëve të parë, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, zbuloi arsyet pse ky proces u vendos të bëhej me dyer të mbyllura dhe jashtë syrit të kamerave.

“Intervistat janë regjistruar në audio dhe video, sepse ndonjëri kandidat mund të ankimojë vendimin tonë. KLP është e prirë të jetë e hapur. Ajo çka ndodhi në intervista, ishte pjesë e një procesi administrativ, dedikuar shqyrtimit të kandidatëve. Gjatë intervistave konfirmuam gjetjet paraprake të komisionit. Kur të kemi gati relacionet për çdo kandidat, regjistrimet do bëhen në formë publike”, tha Ibrahimi.

Prej kandidatëve të marrë në pyetje, vetëm prokurori Kraja ka kaluar me sukses procesin e Vettingut.

Lidhur me këtë, kreu i KLP është pyetur nëse ndonjëri nga kandidatët rrezikon të bëhet pjesë e SPAK, pasi mund të ngecë në Vetting. Ibrahimi nuk e përjashtoi rrezikun, duke thënë se KLP merret me profesionalizmin, ndërsa Vettingu me integritetin. Më tej, ai shtoi se i gjithë procesi është ndjekur edhe nga ndërkombëtarët.

“Rreziku ekziston, aftësia profesionale dhe integriteti shkojnë pranë-pranë. Ky proces synon profesionalizmin, ndërsa Vettingu integritetin. Kam besimin që të dy proceset do shpien drejt rezultateve të njëjta. Ndërkombëtarët janë pjesë e çdo etape të këtij procesi, kanë folur një për një, kanë punuar krah për krah. Ata nuk mund të japin pikë në fund, por ne nuk mund të fluturojmë përtej gjetjeve të procesit. Ne duam të marrim më të mirën e kandidatëve, meraku ynë ishte që po të bëhej publik procesi i intervistimit, kandidatët nuk do të ishin të lirë. Morëm një mendim për vështirësitë që kanë hasur ndaj proceseve gjyqësore. Ata dhanë arsyet dhe motivet për të konkurruar, si psh., që vlerësimi këtë radhë do të jetë maksimal. Edhe procesi i përzgjedhjes, kujtojmë si përzgjidheshin prokurorët e Krimeve të Rënda dikur, është si nata me ditën me tani. Besimi i tyre te procesi ishte një arsye kryesore për të konkurruar”, u shpreh kreu i KLP.

Intervistimi i 22 kandidatëve për SPAK përfundon më 12 korrik dhe kjo është etapa e fundit për ngritjen dhe funksionimin e SPAK.

Nga 22 kandidatë do të përzgjidhen 15 anëtarë për SPAK dhe sipas reformës në drejtësi SPAK nënkupton krijimin e një gjykate dhe prokurorie të dedikuar vetëm për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit, krimit të organizuar si dhe të gjitha veprave penale nga zyrtarë të kaluar dhe aktualë të nivelit të lartë.




Skip to toolbar