SPAK shkrin Krimet e Rënda. Prela shkon në Durrës, Marku mbetet në Tiranë

#NËRADAR


Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë të enjten mbledhjen e tij të radhës. Pas shumë vitesh ekzistencë, praktikisht të enjten në 12 dhjetor, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda do të shkrihen, pasi vendin e tyre e zë Prokuroria Speciale, SPAK. Në një njoftim zyrtar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë njofton se të enjten do të zhvillohet mbledhja e radhës së tij, ku do të bëhet transferimi i prokurorëve që aktualisht janë të emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të Apelit për Krime të Rënda.

12 prokurorët që do të mbyllin përfundimisht punën në këto dy organe të akuzës janë: Arens Çela, Blerim Tominaj, Besim Hajdarmataj, Artan Bajrami, Eugen Beçi, Doloreza Musabelliu, Elisabeta Imeraj, Manjola Kajana, Përparim Kulluri, Vladimir Mara, Sonila Muhametaj dhe Pranvera Pustina. Këta prokurorë pritet të emërohen në detyra të reja nga KLP. Gjithashtu, do të ndërpritet caktimi i përkohshëm i prokurorëve që ushtrojnë detyrën pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të krijimit të Prokurorisë së Posaçme, dhe caktimet e reja të përkohshme të tyre.

Konkretisht, Prokurori Isa Jata lë Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Donika Prela lë drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe kthehet si prokurore në Prokurorinë e Durrësit. Prokurori Anton Martini lë Krimet e Rënda dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë e Shkodrës.

Prokurori Dritan Prençi lë Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe kthehet në Prokurorinë e Kukësit. Gjithashtu, KLP pritet të miratojë dhe largimin nga detyra e Drejtues së Prokurorisë së Elbasanit të Enkeleda Millonait, pasi ajo është emëruar si prokurore në Prokurorinë e Posaçme. Ndërkohë, KLP do të miratojë edhe rikthimin e Arta Markut si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë. /Realstory.al/



Skip to toolbar