Spiropali: Meta, pjesë e një skenari për destabilizimin e Shqipërisë!

POLITIKË


Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, ka bërë një deklaratë të fortë kundër Presidentit Meta, duke e cilësuar atë pjesë e një skenari për destabilizimin e Shqipërisë, pikërisht në kohën kur është njoftuar se në Shqipëri do të vijë një zyrtar i lartë i DASH për shkak të influencës ruse.

“Aktualisht është ngritur komisioni për hetimin e dekreteve të Presidentit, do vazhdojë procesi i hetimit dhe Parlamenti do votojë. Pastaj, i takon Gjykatës Kushtetuese të vendosë, por për ne është shumë e qartë se Meta e ka shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët dhe ka qenë pjesë e një skenari për të destabilizuar Shqipërinë. Nuk ka përfaqësuar interesin e popullit në asnjë çast”, ka deklaruar Spiropali në News 24.


E pyetur nëse ka mazhoranca një emër të ri për zëvendësimin e Metës, pas nisjes së procedurave për shkarkimin e tij, ministrja ka thënë se si fillim do të bëhet hetimi përkatës në Komisionin Hetimor Parlamentar. “Ne nuk rendim për të shkelur afatet, nuk e kemi diskutuar emrin e ri, nuk jemi në atë fazë”, deklaroi zëdhënësja e qeverisë.

Deklarata e saj vjen vetëm pak orë pas njoftimit se këtë javë Shqipërinë do e vizitojë Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik, i cili do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e lartë të shtetit shqiptar, por edhe me kreun e opozitës, i cili është vënë nën akuzë për paratë ruse. Ndërkohë, sa i përket Metës, për të cilin Spiropali hedh akuza të forta, mediat ruse i kanë bërë jehonë deklaratave të tij kundër amerikanëve dhe reformës në drejtësi, megjithëse nuk dihet nëse këto deklarata lidhen pikërisht me skenarin që flet zëdhënësja e qeverisë.




Skip to toolbar