Nxjerrja e fotos së Santiago Malkos nga TIMS, hetim për 120 policë

AKTUALITET


Të paktën 120 efektivë policie në të gjithë vendin, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, janë dërguar për hetim administrativ në Drejtorinë e Standardeve Profesionale, pasi dyshohen se kanë nxjerrë nga sistemi TIMS foton e ish-policit të vrarë Santiago Malko dhe ua kanë vënë në dispozicion gazetarëve.

Kjo lëvizje e kryepolicit Ardi Veliu vjen pasi këta efektivë kanë hyrë në sistemin TIMS, e kanë kërkuar të dhënat për ish efektivin e vrarë më 27 Gusht, Santiago Malko, foto e të cili u publikua nga mediat. Qëllimi i investigimit është pikërisht zbulimi kush e ka marrë foton e viktimës nga sistemi TIMS për t’ua vënë në dispozicion gazetarëve.


Mësohet se për efektivët e çuar në Drejtorinë e Standardeve do të nisë një hetim administrativ, e ndërsa në përfundim të hetimeve, mund të jepen dhe masat përkatëse për atë që mund të kenë abuzuar me detyrën.

Sipas të dhënave nga policia, të drejtën për të hyrë në sistemin TIMS e kanë efektivët që punojnë në hetimin e krimit dhe disa struktura të tjera policore. Por çdo hyrje (logim) lë gjurmë në sistemin TIMS. Tashmë, efektivët e policisë, të cilët janë identifikuar se kanë kërkuar në sistem të dhëna mbi viktimën Santiago Malko, do të përgjigjen para standardeve profesionale për arsyet që kanë bërë këtë kërkim, të cilat mund të kenë qenë për shkak të hetimit, megjithëse kjo nuk vërteton se cili prej tyre ia ka shërbyer foton mediave, por është një penalizim në kuadër të rregullores së brendshme të Policisë së Shtetit.




Skip to toolbar