Strehimi, hapat që duhet të ndiqni nëse banesa shpallet e pabanueshme

AKTUALITET


Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për fatkeqësi natyrore, qeveria ka nxjerrë dhe një udhëzim sesi duhet të strehohen banorët, pallati ose shtëpia e të cilëve është shpallur i pabanueshëm. Nëpërmjet disa pikave, ajo ka treguar hapat që duhet të ndjekë çdo qytetar.

Kush vendos për shpalljen e një pallati të pabanueshëm?


Ekipet e Emergjencave Civile dhe Instituti i Ndërtimit nga një verifikim paraprak nisur edhe nga dëmet e raportuara nga qytetarët, vendosin të shpallin përkohësisht të pabanueshme godinën deri në verifikimin përfundimtar.

Kush i evakuon banorët?

Janë forcat e Policisë Bashkiake, të zjarrfikësve dhe të Inspektoratit të Ndërtimit që vendosin perimetrin e sigurisë dhe nxjerrin banorët nga pallati duke i deklaruar se nga verifikimet paraprake ndërtesa është shpallur e pabanueshme.

Çfarë duhet të bëjnë qytetarët pasi pallatit i vendoset shiri i kuq?

Të gjithë duhet të drejtohen pranë Njësisë Administrative të zonës ku ata janë banorë.

Çfarë ndodh më tej?

Në njësinë administrative përkatëse merret një vërtetim me vulë nga administratori që ndërtesa është e pabanueshme dhe që banorët kanë nevojë për strehim.

Ku duhet të paraqiteni me këtë vërtetim?

Me vërtetimin e marrë në njësinë administrative qytetarët duhet të paraqiten tek sporteli i Bashkisë.

Ku do të strehohen banorët?

Është bashkia ajo që përmes shërbimeve sociale i strehon banorët në mënyrë të organizuar drejt hoteleve.




Skip to toolbar