Ftesa e Ramës për ndihmë pas tërmetit, Basha: Nuk është koha për politikë

POLITIKË


Ftesës së Ramës për të bashkuar forcat që të përballojnë situatën emergjente të krijuar pas tërmetit me pasoja tragjike, lideri demokrat iu përgjigj nga Durrësi, duke i thënë kreut të qeverisë se tani nuk është koha për politikë, protagonizëm dhe manovra. Basha u shpreh se tani fokusi i opozitës është për të ndihmuar njerëzit dhe të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe qeveria, ndërsa bilanci se çfarë u bë dhe çfarë duhet të ishte bërë më mirë i takon një momenti të dytë.

“Tani e gjithë energjia jonë ajo që po bëjmë dhe do të bëjmë është të jemi afër njerëzve. Do të vijojmë ta bëjmë, tani nuk është koha për politikë. Njerëzit kanë nevojë për strehë, për ushqim dhe siguri. Ky është prioriteti ynë. Tani nuk është koha as për politikë dhe as për propagandë. Ne jemi pranë banorëve dhe udhëzime te mia jo vetë për strukturat e PD-së, por të gjithë është për nevojë urgjente, ky është fokusi ynë dhe vëmendja jonë, nuk kemi kohë sot për manovra politike dhe ky duhet të jetë fokusi edhe i qeverisë. Këto ditë që kanë qenë të tmerrshme nuk kanë qenë ditë për t’u marrë me analizën dhe përgjegjësitë, ka një ditë dhe kohë që do të të merremi se çfarë u bë dhe duhej bërë më mirë. Nuk mund të bëhet politikë me këta njerëz, janë pa strehë dhe pa ushqim. Prioriteti ynë është dhe i opozitës është për t’iu ndihmuar, jo protagonizëm, propagandë dhe manovra”, tha Basha nga Durrësi.


Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje opozitës të bashkohen në një tryezë të përbashkët për të shpalosur aty të gjitha idetë dhe propozimet në përballimin e situatës së vështirë që vendi po kalon pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit që shkaktoi dhjetëra viktima. Shefi i mazhorancës i bëri thirrje të drejtpërdrejtë kryedemokratit Basha duke thënë se në këto momente nuk është koha për politikë, por për paqe dhe “ftillim” siç ai shprehet, për t’i shkuar në ndihmë popullit shqiptar.




Skip to toolbar