Sulmet e Metës për drejtësinë, OKB: Koha do e tregojë sa vlen reforma

POLITIKË


Presidenti Meta ka marrë një tjetër goditje për deklaratat e tij kundër reformës në drejtësi, këtë herë nga OKB, e cila është rreshtuar në krah të qëndrimeve të SHBA dhe BE. Koordinatori i agjencisë OKB-së, Brian Williams, ka apeluar që kjo reformë të vijojë sepse është mjaft e rëndësishme për një qeverisje të mirë.

Sipas Williams, reforma në drejtësi është më e suksesshmja nga të gjitha reformat që ka bërë deri tani Shqipëria. “Mendoj se reforma në drejtësi është reforma më e suksesshme që po bëhet në Shqipëri, ajo është tërësore dhe bazuar në përvojën time është ndoshta reforma më e thellë e llojit që kam parë ndonjëherë dhe tani është e rëndësishme të kujtojmë hapat e tjerë që ka përpara, Gjykata Kushtetuese dhe strukturat e tjera duhet të ngrihen sa më shpejt të jetë e mundur dhe sigurisht që rezultatet do të duken kur të gjitha institucionet të performojnë funksionalitetin e vet, hetimet, gjykatat dhe kjo do të lejojë të kuptohet nëse reforma është bërë mirë. Një sistem gjyqësor i pavarur është baza për një qeverisje të mirë dhe të ribësh nga e para një sistem drejtësie në mënyrë kaq tërësore është një sipërmarrje e madhe për çdo vend, dhe mund të marrë dekada për të ndërtuar një gjë të tillë në shumë vende”, tha Williams.


Sipas koordinatorit të OKB në Shqipëri, reformimi i drejtësisë është mjaft i rëndësishëm sepse sistemi i ri do të vlejë për dekadat e ardhshme. “Kjo përpjekje është shumë e thellë. Prokurorët dhe gjyqtarët janë hetuar dhe sigurisht që kjo ka kostot e veta, por ndërtimi i një sistemi të vlefshëm të pavarur e të paanshëm drejtësie do të vlejë për dekadat që vijnë. Ndërtimi i institucioneve funksionale për qeverisje përkundrejt arritjeve të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm në vend është angazhim i agjencive të Kombeve të Bashkuara. Në vështrimin tim institucionet këtu janë duke shkuar më mirë. Pyetësorët tanë tregojnë se besueshmëria ndaj institucioneve që ofrojnë administrim e shërbime në Shqipëri rritet nga viti në vit si ato për shërbimet shëndetësore, policia, shërbimet nga agjencitë e tjera, etj.”, tha ai në një intervistë për RTSH.

Pak ditë më parë, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Calavera, rrëzoi të gjitha pretendimet e Metës për një reformë të kapur, duke i dhënë kështu një goditje të fortë. Ndërkohë, zëvendës ndihmës sekretari në Departamentin e Shtetit, Matthew Palmer, e ka cilësuar Reformën në Drejtësi si zemrën dhe shpirtin e reformave në Shqipëri. “Reforma në Drejtësi për Shtetet e Bashkuara përfaqëson një rrugë përpara për popullin shqiptar drejt një të ardhmeje më të mirë, një të ardhmeje europiane, një të ardhmeje të paqes dhe begatisë, e një marrëdhënie llogaridhënieje midis popullit dhe qeverisë së tyre. Është zemra dhe shpirti i të gjitha përpjekjeve për reforma këtu. Është diçka, në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë përpjekje dhe energji, diçka që e shohim si qendrore për aspiratat e Shqipërisë dhe të ardhmen e Shqipërisë”, është shprehur Palmer.




Skip to toolbar