Sulmet e Metës, SHBA reagon me SPAK: Të paprekshmit nën hetim

AKTUALITET


Amerikanët janë të angazhuar drejtpërsëdrejti në realizimin e Reformës në Drejtësi dhe përmes videos më të fundit të publikuar të martën, shpjegojnë sesi do të funksionojë SPAK dhe sesi do të vihen në hetim dhe para ligjit politikanët e paprekshëm në Shqipëri. Kjo është përgjigja më e mirë që SPAK i jep të gjitha sulmeve dhe kritikave që i drejtohen Reformës në Drejtësi, ku spikat presidenti Ilir Meta, por edhe përfaqësuesit e opozitës.

Presidenti Meta në shumë raste ka sulmuar hapur ecurinë e Reformës në Drejtësi ku ka shigjetuar edhe ndërkombëtarët që janë të angazhuar në hartimin dhe në realizimin e saj. Por siç thonë SHBA-të, shkak për këto sulme janë heqja e të drejtës së politikanëve për të kontrolluar sistemin e drejtësisë.

Deri më sot me drejtësinë e vjetër gjyqtarët dhe prokurorët ishin të korruptuar dhe të ndikuar nga politika dhe bosët e krimit, por me ngritjen e SPAK, këto lidhje do të priten.

Kjo për faktin se SPAK është një strukturë kushtetuese, të cilën politikanët e paprekshëm të Shqipërisë nuk e ndryshojnë dot dhe për më tepër prokurorët e SPAK do të jenë gjatë gjithë kohës nën monitorim dhe përgjim të telefonatave. Ndaj ata nuk mund të blihen dot nga politikanët. Pikërisht ky është thelbi se pse Meta dhe opozita e kundërshtojnë reformën në drejtësi.

Ja si e shpjegojnë amerikanët SPAK-un dhe funksionimin e tij.

“Çfarë është SPAK? Struktura e posaçme anti-korrupsion dhe anti-krim i organizuar është një institucion i ri kushtetues, detyra e të cilit është të hetojë dhe të ndjekë penalisht korrupsionin e kryer nga zyrtarë të nivelit të lartë.

SPAK përbëhet nga dy pjesë, prokuroria e posaçme e cila përbëhet nga prokurorë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH e cila përbëhet nga hetues. (Për këtë do të flasim më gjatë në videon e ardhshme).

Pse nevojitet SPAK?

Në sistemin e vjetër gjyqësor, gjyqtarët e korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar ishin të paprekshëm, sepse gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar ose të kërcënuar nuk i nxirrnin përpara drejtësisë.

Me anë të parave, lidhjeve dhe përkatësisë politike dhe kanosjeve këta gjyqtarë dhe prokurorë ishin të prekshëm nga ndikimi politik dhe korrupsioni. Kjo e bënte pothuajse të pamundur ndjekjen e korrupsionit në nivelet e larta. Çmimin e paguante gjithë vendi.

Si e korrigjon këtë problem SPAK?

SPAK do të jetë një organ i pavarur, jo i politizuar i cili do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të paprekshmit, të Shqipërisë. Këtu përfshihen zyrtarë të tanishëm dhe ish zyrtarët e lartë. Anëtarët e SPAK emërohen nga KLP dhe jo nga politikanë dhe zyrtarë të korruptuar. Po ashtu të gjithë anëtarët e SPAK do të duhet të kalojnë procesin e rivlerësimit (vetting-un). Prokurorët e posaçëm do t’i nënshtrohen monitorimit të vazhdueshëm të financave dhe telefonatave të tyre për të parandaluar korrupsionin apo kanosjen e tyre.

Kjo bazohet në modele që janë zbatuar në vende të tjera, të tilla si Kroacia dhe Rumania.

Kushtetuta i jep SPAK fuqinë dhe  pavarësinë  për t’iu kundërvënë korrupsionit në nivel të lartë. Duke qenë se është në kushtetutë kjo do të thotë se të paprekshmit nuk mund ta ndryshojnë atë. Me pak fjalë SPAK do t’i kundërvihet niveleve të larta të korrupsionit. Me SPAK askush nuk do të jetë mbi ligjin. Askush nuk do të jetë i paprekshëm dhe i gjithë vendi do të përfitojë nga kjo”, njofton SHBA përmes videos ilustrative.

SHBA edhe më herët ka folur qartë përmes videove të ngjashme ku ka shpjeguar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe procesin e vettingut. Edhe njëherë SHBA tregojnë se Reforma në Drejtësi mban vulën e saj dhe të gjitha akuzat e Metës dhe të opozitës kundër qeverisë dhe të ashtuquajturës “Ramareformë”, nuk janë gjë tjetër, veçse një përpjekje e fundit e tyre për ta shtyrë sa më gjatë realizimin e kësaj reforme./Realstory.al

https://www.facebook.com/usembassytirana/videos/441744029753439/?__xts__[0]=68.ARChtmR5MgAtvY26qyihcPMBtiqrsWfoAmuKAz81SFZtzQ9_BSvnrgNC3WKQePqY-e78xZQ-bBudCk4xwpe83SHZ2u70RgP4Aw2NfbQ-gwMoxzC6gJ5hef0KbEapv4939kn3Sl9k2OFrpFgbqBGWvSK9ybd9nqJMqJ8nqUIs4N9EZgLgtx-VO-P8g95FncsqpvcLkuX1YvTfh74VTVSSGbP0bEFHq_xvZmnZokP2v9Zt2pnQ620NK7SsdnIKpuVaGDSQJuOhz2E6ALpSgLKKbLq1lLZYlGVEW17D3D8085owL_tQBsT6QQbjixHnoye5sZDEg0Mk6jAHxD_P2McFxkCa9eg7yQ&__tn__=-R


Skip to toolbar