Vetingu i ka dhënë një mesazh të fortë të gjithë personave që kanë abuzuar me pushtetin dhe akuzat që i bëhen këtij procesi rivlerësimi, por edhe Reformës në Drejtësi, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ONM, Genoveva Ruiz Calavera e ka cilësuar si tronditje të themeleve të sistemit të korrupsionit. Gjatë një interviste me shkrim për Zërin e Amerikës, Calavera tha se sulmet ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë por edhe reformës në drejtësi janë domethënëse për ONM, pasi kjo tregon se procesi po ecën me ritmet e duhura.
“Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi, Vetting-ut dhe ONM-së, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe misioneve tona të asistencës së BE në këtë drejtim janë shumë domethënëse. Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim ato si një konfirmim që Vetting-u po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. “ tha Calavera, deklaratë që të lë të mendosh se i referohet sulmeve që Presidenti Meta ka bërë vazhdimisht ndaj Reformës në Drejtësi por edhe vetë ONM se ka kontribuar në krijimin e asaj që kreu i shtetit e quan “Ramaformë”.
Në lidhje me akuzat se ka pasur ndërhyrje politike në procesin e vetingut, Calavera e mohoi këtë fakt duke theksuar se janë marrë masa serioze që të sigurohet pavarësia e vetingut dhe në asnjë mënyrë të mos përfshihet niveli politik në to.“Janë marrë masa serioze për të siguruar ekuilibrat dhe garancitë e nevojshme për pavarësinë e organeve të vetingut, në veçanti për të siguruar mungesën e ndonjë roli vendimmarrës ose përfshirjes së nivelit politik në to. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër çdo hap të vendimmarrjes në të gjitha rastet e vetingut. Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për ndërhyrje politike ose presion tjetër të padrejtë të jashtëm apo të brendshëm”– pohon shefja e ONM.
Calavera konfirmoi se ndërkombëtarët janë të interesuar të shohin sa më parë rezultate konkrete të reformën në drejtësi dhe realizmin e shteti të së drejtës.
“Procesi i rivlerësimit (i njohur si vetingu) u fillua me objektivin kushtetues të rikthimit të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, duke pastruar radhët e sistemit të drejtësisë nga zyrtarët e korruptuar. Seancat dëgjimore janë publike dhe institucionet e mbajnë publikun të informuar për arsyetimin e vendimeve të vetingut. Numri i madh i magjistratëve që japin dorëheqjen ose janë duke u larguar nga puna konfirmon se ky është një proces serioz për rinovimin e gjyqësorit. Angazhimi i BE-së në Shqipëri është i shumëanshëm dhe shumëdimensional sepse ne duam të shohim rezultate konkrete dhe të matshme për realizimin e shtetit të së drejtës. Kjo është jetike për të mbrojtur qytetarët dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, aq shumë të nevojshëm për të siguruar që brezat e rinj të qëndrojnë në këtë vend të bukur ku kanë lindur pa pasur nevojë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit”- shprehet Calavera.
Deklaratë që në fakt, Calavera e ka bërë edhe kohë më parë duke iu përgjigjur akuzave të presidentit Meta por edhe opozitës jashtëparlamentare se BE dëshiron të shoh ligje që zbatohen, pra të shoh njerëz në burg.