Calavera: Vetingu po trondit themelet e korrupsionit

POLITIKË


Vetingu i ka dhënë një mesazh të fortë të gjithë personave që kanë abuzuar me pushtetin dhe akuzat që i bëhen këtij procesi rivlerësimi, por edhe Reformës në Drejtësi, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ONM, Genoveva Ruiz Calavera e ka cilësuar si tronditje të themeleve të sistemit të korrupsionit. Gjatë një interviste me shkrim për Zërin e Amerikës, Calavera tha se sulmet ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë por edhe reformës në drejtësi janë domethënëse për ONM, pasi kjo tregon se procesi po ecën me ritmet e duhura.

 “Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi, Vetting-ut dhe ONM-së, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe misioneve tona të asistencës së BE në këtë drejtim janë shumë domethënëse. Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim ato si një konfirmim që Vetting-u po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. “ tha Calavera, deklaratë që të lë të mendosh se i referohet sulmeve që Presidenti Meta ka bërë vazhdimisht ndaj Reformës në Drejtësi por edhe vetë ONM se ka kontribuar në krijimin e asaj që kreu i shtetit e quan “Ramaformë”.


Në lidhje me akuzat se ka pasur ndërhyrje politike në procesin e vetingut, Calavera e mohoi këtë fakt duke theksuar se janë marrë masa serioze që të sigurohet pavarësia e vetingut dhe në asnjë mënyrë të mos përfshihet niveli politik në to.“Janë marrë masa serioze për të siguruar ekuilibrat dhe garancitë e nevojshme për pavarësinë e organeve të vetingut, në veçanti për të siguruar mungesën e ndonjë roli vendimmarrës ose përfshirjes së nivelit politik në to. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër çdo hap të vendimmarrjes në të gjitha rastet e vetingut. Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për ndërhyrje politike ose presion tjetër të padrejtë të jashtëm apo të brendshëm”– pohon shefja e ONM.

Calavera konfirmoi se ndërkombëtarët janë të interesuar të shohin sa më parë rezultate konkrete të reformën në drejtësi dhe realizmin e shteti të së drejtës.

Procesi i rivlerësimit (i njohur si vetingu) u fillua me objektivin kushtetues të rikthimit të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, duke pastruar radhët e sistemit të drejtësisë nga zyrtarët e korruptuar. Seancat dëgjimore janë publike dhe institucionet e mbajnë publikun të informuar për arsyetimin e vendimeve të vetingut. Numri i madh i magjistratëve që japin dorëheqjen ose janë duke u larguar nga puna konfirmon se ky është një proces serioz për rinovimin e gjyqësorit. Angazhimi i BE-së në Shqipëri është i shumëanshëm dhe shumëdimensional sepse ne duam të shohim rezultate konkrete dhe të matshme për realizimin e shtetit të së drejtës. Kjo është jetike për të mbrojtur qytetarët dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, aq shumë të nevojshëm për të siguruar që brezat e rinj të qëndrojnë në këtë vend të bukur ku kanë lindur pa pasur nevojë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit”- shprehet Calavera.

Deklaratë që në fakt, Calavera e ka bërë edhe kohë më parë duke iu përgjigjur akuzave të presidentit Meta por edhe opozitës jashtëparlamentare se BE dëshiron të shoh ligje që zbatohen, pra të shoh njerëz në burg.  




Skip to toolbar