Gjatë mbrëmjes së të shtunës një autobus i Kosovës i mbushur me udhëtarë shqiptarë është sulmuar me gurë në Krushevac të Serbisë. Për këtë incident ka reaguar këshilltari i zv/kryeministrit të Kosovës Jetlir Zyberaj, i cili u bëri thirrje qytetarëve të vendit të shmangin udhëtimet që kalojnë përmes territorit të Serbisë.
Ndërkohë, ai nuk la pa sulmuar dhe Ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç për retorikën e papranueshme dhe propagandën kundër Kosovës, të cilat çojnë në realizimin e akteve vandalizuese.
“Përderisa Ministri Daçiç si ish-zëdhënës i Millosheviçit bën të gjitha përpjekjet e tij për lajme të rreme dhe propagandë kundër Kosovës, ai duhet të përqendrohet në ndalimin e incidenteve që janë iniciuar nga vetë Beogradi. Ne jemi në kontakt me BE dhe kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe garanci nga Beogradi për sigurinë nëse qytetarët tanë udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithashtu përsërisim thirrjen e MPJ së Kosovës që të shmanget udhëtimi nëpër Serbi përderisa nuk ka siguri për Kosovarët dhe incidentet vazhdojnë. Kjo është vazhdimësi e incidenteve dhe jo rast i izoluar”, ka thënë Zyberaj.