Mero Baze: Venecia shpalli të ligjshme zgjedhjet e 30 qershorit

Nga Mero Baze

Ndërsa fati i mëtejshëm i Ilir Metës si President tani e tutje do të jetë në dorë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese, pasi Komisioni i Venecias ka provuar se ka shkelur Kushtetutën, çështja e legjitimitetit të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit është një çështje që është mbyllur nga Komisioni i Venecias, duke çertifikuar legjitimitetin jurdik të tyre, çka është një nga 9 kushtet e Bundestagut.

Në opinionin e tij, Komisioni i Venecias, gjithë arsyetimin për shkeljet kushtetuese të Presidentit, tejkalimin e kompetencave të tij dhe bojkotin e opozitës, e mbështet vetëm mbi faktin se zgjedhjet e 30 Qershorit ishin legjitime, dhe se ato nuk mund të shtyheshin për arsyet që paraqiti Presidenti dhe opozita. Madje opinioni i “Venecias”, e konsideron sukses faktin që përpjekja e opozitës për të bojkotuar zgjedhjet, si një përpjekje për të ndërprerë rendin kushtetues të vendit, dështoi.

Komisioni i Venecias, e ka parë 30 qershorin në të gjitha aspektet.

E ka parë si një datë zgjedhjesh kushtetuese, që nuk mund të shtyhej, pasi prishte kontratën civile të partive në garë me aktorë të tjerë, e ka parë si datë besimi të qytetarëve shqiptarë për të votuar, e ka parë si një kufi legjitimiteti pushteti për të zgjedhurit në detyrë dhe mbi të gjitha, përpjekjen për shtyrje e ka parë si përpjekje për të bllokuar rendin kushtetues në vend.

Të gjitha arsyetimet e opinionit të Komisionit të Venecias, mbështeten mbi legjitimitetin e 30 qershorit.

Kështu që tanimë, nga 9 kushtet e Bundestagut, ajo e verfikimit të legjitimitetit juridik të 30 qershorit, për të cilën është gëzuar më shumë opozita, praktikisht ka rënë, pasi është vërtetuar nga një prej institucioneve më prestigjioze europiane për të drejtën kushtetuese, tek e cila duhet të referohet dhe Gjykata jonë Kushtetuese.

Duke marrë fund debati mbi legjitimitetin e 30 qershorit, nga ana tjetër duhet të bjerë edhe konsiderimi prej opozitës i këtyre zgjedhjeve si të papranueshme dhe kërkesat për përsëritjen e tyre. Ashtu sië e ka thënë qartë opinioni i “Venecias”, bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve, nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Zgjedhjet e 30 qershorit kësisoj nuk mund të jenë më, as objekt bisedash në tryeza partiake dhe as ofertë për kompensim politik për opozitën.

Ato duhet të mbeten ashtu siç u zhvilluan, një betejë mes atyre që deshën të ndalnin rendin kushtetues përmes bojkotit dhe atyre që donin të mbronin atë, duke u kthyer kështu në një precedent historik për Shqipërinë, ku për fat të mirë, ka fituar rendi kushtetues.

Ky shembull do të shërbejë në një periudhë afatgjatë, e ndoshta të përjetëshme në Shqipëri, që askush më, të mos guxojë të përdorë bojkotin si shantazh politik dhe si kërcënim për rendin kushtetues. Do të na shpëtojë mes të tjerash nga oferta për pazar për Lulzim Bashën një herë në dy vjet.

Ata që  tentuan bojkotin, sot janë jashtë sistemit dhe nuk mund të rikthehen në sistem duke zhbërë humbjen e tyre më të madhe zgjedhjet e 30 qershorit, por duke pranuar çmimin e hidhur të bojkotit dhe duke e nisur nga zero.

Opinioni i Komisionit të Venecias për 30 qershorin është historik, dhe është një rishkruajtje me gërma të mëdha i ndëshkimit, që duhet të marrin të gjithë ata, që pafuqinë politike duan ta zëvendësojnë me minim të sistemit dhe dhunim të rendit kushtetues.

Komisioni i Venecias kur ka deklaruar shkeljen e Kushtetutës nga Presidenti, e ka bërë duke gjykuar për legjitimitetin e 30 qershorit. Dhe këtë e ka bërë duke qenë qartazi, haptazi dhe me shumë vendosmëri në anën e 30 qershorit. Kjo është një humbje më e rëndë për opozitën, se sa humbja e Ilir Metës si President. Se në fund të fundit Ilir Metën aty nëpër këmbë do ta kenë, por 30 qershorin e kanë humbur përgjithmonë, jo vetëm si shans politik, por dhe si shantazh elektoral. Ky është dhe lajmi më i keq për opozitën nga Komisioni i Venecias. Dhe këtë e kanë bërë me duart e tyre.

Bashës i ‘ikën’ kujtesa: Gjermania mbështeti Metën, Rama donte luftë (po Aurel Bylykbashi?)

Lulzim Basha ka folur në një studio televizive mbrëmjen e të enjtes, duke komentuar aksionin opozitar të shtatë muajve të parë të 2019. Gjatë fjalës së tij, Basha është ndalur te dekreti i Ilir Metës i 10 qershorit, duke u shprehur se pas tij, dekretit, Edi Rama vendosi të zbatonte skenarin e gjakderdhjes më 30 qershor.

“Pas anulimit të zgjedhjeve me dekretin e 10 qershorit, Rama vendosi për skenarin e gjakderdhjes me 30 qershor. Opozita dhe qytetarët iu shmngën me vetëdije të plotë këtij skenari”, shprehet Basha. Por, në fakt, kryedemokrati, akuzon kryeministrin se donte dhunë në 30 qershor, por në harron se ishte ai vetë (para reagimit të SHBA më 27 qershor) dhe drejtues të partisë së tij kujtojmë Aurel Bylykbashin (lexo këtu) në Elbasan, që bëri thirrje për gjakderdhje dhe konflikt civil për të mbrojtur “votën”.

Lexo këtu lajmin exsluziv të publikuar nga Realstory.al, ku qarkorja e PD dhe letra e kryetarëve të bashkive të djathta drejtuar KQZ, tregonin se si do të zbatohej plani anti-zgjedhje i opozitës.

Në këtë rast, vlen të kujtojmë gjithashtu rastet kur nga Shkodra, Vaun e Dejës, Dibër, Kukës e shumë qytete të tjera të Shqipërisë, militantët e Partisë Demokratike, dogjën dhe shkatërruan materialet zgjedhore. Ishte reagimi i SHBA më 27 qershor, tre ditë para zgjedhjeve, që u shpreh se “nëse PD-LSI bëjnë akte dhune në 30 qershor, do të ndërpresin marrëdhëniet me SHBA”, duke bërë që të tërhiqet opozita nga skenari i dhunës.

Më tej, gjatë intervistës, Basha flet edhe për një reagim të Gjermanisë, ku citon “nga momenti i anulimit të zgjedhjeve kushtetuese, me 10 qershor, ajo që mbeti ishte ose pranimi i këtij realiteti politik, siç bënte thirrje Gjermania me datë 9 qershor ose ecja me kokëfortësi drejt një procesi të paligjshëm, antikushtetues dhe kriminal që Edi Rama vendosi të bënte duke dalë zbuluar para partnerëve, që ishte shkaku dhe burimi i çdo konflikti në Shqipëri për pushtetin e tij”.

Deklarata e Ambasades Gjermane e berë në datë 8 qershor!

Pra në këtë deklaratë, sipas Bashës, Gjermania ka pranuar dekretin e metës të njoftuar më 8 qershor, ditën e protestës së opozitës, për anulimin e zgjedhjeve. Relastory.al bëri një verifikm për të gjetur një deklaratë të tillë, por e vetmja, të paktën në faqen e ambasadës gjermane, është reagimi ish-ambasdores Schutz, e cila i bënte thirrjes opozitës “të shmangte ose të mbante përgjegjësi për aktet e dhunës, duke dënuar dhunën në protestat e mëparshme”. Në fakt, Gjermania dhe të gjitha ambasadat e Quintit, kanë dalë kundër anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit me dekretin e Ilir Metës, duke u shprehur se “duhet të krijohet Gjykata Kushtetuese për të vendosur nëse zgjedhjet ishin ose jo të ligjshme”. /Realstory.al/

Pas shkrimit të Realstory, Basha kujton 30 qershorin, harron oligarkët

Të premten pasdite, Realstory.al publikoi një shkrim, ku cilësohej se kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, prej disa ditësh, në komunikimet e tij publike, kishte lënë në heshtje deklaratat për zgjedhjet e 30 qershorit. Basha, në turin e takimeve me simpatizantët e PD në qytete të ndryshme të vendit, sipas deklaratave të shpërndara nga zyra e shtypit në Selinë Blu, ishte fokusuar te komentet për situatën ekonomike në vend, duke bërë fushatë kundër oligarkëve. Disa orë më pas publikimit të këtij shkrimi në Realstory.al, Partia Demokratike nisi një tjetër deklaratë të Lulzim Bashës, e cila flet për një takim që ka zhvilluar në Rrogozhinë. Kjo deklaratë, duket si një kundërpërgjigje e shkrimit të Realstory.al, pasi nga fillimi i saj deri në fund, citohet Lulzim Basha që flet vetëm për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat i quan “farës antikushtetuese”.

 “30 Qershori ishte një farsë antikushtetuese që u zhvillua në dhunim flagrant të dekretit të Presidentit, kur me Kushtetutë, i vetmi që cakton datën e zgjedhjeve është Presidenti. Po me Kushtetutë, i vetmi institucion që mund të gjykojë mbi dekretet e Presidentit, është Gjykata Kushtetuese e cila nuk ekziston, sepse e shkatërroi me zell dhe me mburrje Edi Rama për t’i marrë ai pushtetet e Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Basha. Më tej, Basha, duke folur për 30 qershorin, shprehet se PD-së iu ndalua të merrte pjesë në KZAZ dhe komisione e qendra votimi.

 “30 qershori është i paligjshëm dhe kriminal që në themel, sepse modeli shqiptar i kontrollit të zgjedhjeve, balanca politike, u shkatërrua, opozitës iu ndalua të merrte pjesë në KZAZ dhe Komisione e qendra votimi. I paligjshëm dhe kriminal sepse në gjysmën e rasteve u kthyem në votimet e diktaturës me një kandidat. Aty ku nuk kishte një  kandidat, kandidati tjetër ishte i paligjshëm, siç ishte e paligjshme paterica që krijoi Edi Rama një ditë para ditës së zgjedhjeve, me mercenarë të shitur të Edi Ramës”, është shprehur Basha

Dhe në fund, të deklaratës me 3 paragraf, përsëri flitet vetëm për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa si për ironi, nuk citohet asnjë fjalë për ekonominë dhe oligarkët.  “Pavlefshmëria e 30 qershorit ka marrë vulën që nuk e ka asnjë proces politik në 30 vite pluralizëm. 85% e shqiptarëve refuzuan farsën e 30 qershorit, refuzuan regjimin dhe u bënë pjesë e shumicës “Rama ik”. 30 qershori është nul. Uzurpimi i dhunshëm i pushtetit vendor është kriminal. Shumë shpejt do ta shporrim këtë pakicë kriminale nga Rrogozhina nga Kavaja, Durrësi, Elbasani dhe nga gjithë Shqipëria” është shprehur Lulzim Basha, pikërisht nga bashkia që ishte e drejtuar na opozita, por që pushteti u dorëzua në mënyrë paqësore.

Sot betohet kryetari i ri i bashkisë Devoll. A do e pengojë PD Eduard Duron?

Të premten në orën 11:00, është thirrur mbledhja e parë e këshillit të ri bashkiak në Bashkinë e Devollit, dalë prej zgjedhjeve të 30 qershorit. Në fakt, kjo mbledhje nuk do të jetë thjesht një konstituim i natyrshëm i ‘parlamentit’ të ri lokal në Bashkinë e Devollit dhe kryetarit të ri të sapo zgjedhur Eduard Duro, por ajo do të jetë prova e parë e forcës e opozitës, që ka deklaruar se “kryetarët e bashkive të PD-së nuk do t`i lirojnë zyrat”. Deri më sot, bashkia e Devollit është qeverisur nga Bledjon Nallbati, i zgjedhur katër vite më parë si kryetar nën siglën e Partisë Demokratike. Tashmë, Nallbatit i duhet të lërë zyrën për pasardhësin e tij, Eduard Duro, që fitoi bashkinë në 30 qershor.

Mirëpo Partia Demokratike ka deklaruar se “nuk i njeh zgjedhjet”, e për rrjedhojë, “zyrat e kryetarëve të bashkive që ka qeverisur për katër vjet, do të lirohen vetëm kur të zgjidhen kryetar të dalë nga zgjedhje të lira”, pretendon opozita. Ky është qëndrimi zyrtar që kanë mbajtur jo vetëm kryetarët e këtyre bashkive, që deri më tani janë qeverisur nga PD, por edhe i vetë Lulzim Bashës. Ndërkohë, Realstory.al pyeti kryetarin e ri të Bashkisë Devoll, Eduard Duro, rreth konstituimit të këshillit bashkiak dhe betimit të tij si kryetar i Devollit të premten në orën 11:00.

Duro u shpreh se deri tani nuk ka pasur asnjë incident apo indicie për incident nga PD dhe kryetari aktual i Bashkisë Devoll, për të penguar marrjen e detyrës nga i zgjedhuri i PS. “Nesër në orën 11:00 do të mblidhet këshilli bashkiak. Pasi të bëhet konstituimi do bëj dhe unë betimin si kryetar i Bashkisë Devoll. Nuk ka pasur deri tani ndonjë indicie apo problem për marrjen e detyrës, megjithatë të shohim se çfarë do të ndodhë të premten. Të pranishëm në betimin tim do të jenë deputetë e PS për qarkun e Korçës dhe prefekti”, tha shkurtimisht Eduard Duro për Realstory.al.

Ndërkohë, Partia Demokratike edhe pse është zotuar publikisht se do pengojë marrjen e detyrës nga të zgjedhurit e rinj, të paktën në bashkitë që katër vitet e fundit janë drejtuar nga demokratët, nuk ka folur për asnjë plan se si do e realizojë këtë në terren. Në krahun tjetër, PD është duke vijuar “luftën” e saj për të “mos njohur zgjedhjet”, duke kërkuar nga gjykatat në vend që të mos miratojnë mandatet e të zgjedhurve të 30 qershorit.

Megjithatë, deri tani, KQZ dhe Kolgji Zgjedhor, pasuar dhe gjykatat e shkallëve të para, kanë miratuar pothuajse çdo kërkesë për mandatet e kryetarëve dhe të këshillave në bashkitë e vendit, duke i hapur rrugë certifikimit përfundimtar të zgjedhjeve, pra marrjes zyrtare të detyrës nga bashkiakët e rinj. Dhe fillimi i fundit të këtij procesi do të fillojë të premten në orën 11:00 në Bashkinë Devoll, dhe pritet të përfundojë të paktën deri në datën 12 korrik. Ajo që mbetet ende për t`u parë, është reagimi i Partisë Demokratike. Prova e parë e rezictencës ose jo, do të fillojë të premten në Devoll.

Rama ‘dajak’ deputetëve: Kush s`doli në fushatë, do përjashtohet nga PS

Gjatë analizës për zgjedhjet e 30 qershorit në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer kritikat për disa deputetë të PS, të cilët sipas tij u kujtuan për qytetarët vetëm javën e fundit të fushatës elektorale. “Është koha që secili në këtë sallë të bëj kilometrat e vetë. Dua ta them se sot nuk mund të ketë më deputetë që marrin malet për të takuar njerëz, deputetë që marrin njerëzit në krahë për tu zgjidhur një hall, dhe nga ana tjetër deputetët, që edhe në fushatën e 30 qershorit, kanë shkuar tek njerëzit javën e fundit. Nuk mund të ketë më anëtar të asamblesë së PS, që kujtohen për partinë vetëm me ftesa në mbledhjen e asamblesë, dhe që nuk shfaqen tek njerëzit”, u shpreh Rama. Kreu i PS dha një mesazh të fortë në këtë drejtim, duke u shprehur; “Kush nuk i përgjigjet ritmit që kërkon 30 qershori, nuk do jetë më në projektin tonë politikë në vitin 2021. Do të dalë nga projekti politik i vitit 2021. Sot, është gjëja e fundit që dua të ndodh, do dalë jashtë nga kjo familje e madhe politike, cdo kryebashkiak që do bëj gabimin të mendojë se tani që po merr mandatin, mund të bëj pa njerëzit dhe mund të bëj pa ne”, tha Rama.

Duke nisur nga muaji shtator Partia Socialiste do të futet në zgjedhjet e brendshme të saj, të cilat do të përfundojnë në janar të vitit 2020. Në këtë drejtim, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ky proces do të shërbejë si një proces debati kombëtar, për të folur e dëgjuar e më pas për të adresuar korrigjimet e nevojshme në qeverisjen në nivel qendror dhe vendor. “Tani PS do të hyjë në zgjedhjet e veta të brendshme nga shtatori deri në janarin e ardhshëm në kongres. Ndaj me ju bindjen se objektivi ynë për këto zgjedhje të brendshme duhet të jetë realizimi i një procesi të thellë i komunikimit dhe hapjes së PArtisë Socialiste, që kemi realizuar më parë në zgjedhjet. Kjo kërkon që gjithë lidershipi i partisë, të zbresim në tokë në kuptimin e plotë të fjalës. Në mënyrë që çdo organizatë socialiste, në 5500 që janë, të kenë mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejt me ne. Në mënyrë që të krijohet mundësia e komunikimit të drejtpërdrejt të njerëzve me ne, debat në cdo organiztë me anëtarët e partisë. Debat me simpatizantët dhe cdo qytetar që do të marrë pjesë, pavarësisht bindjeve. Zgjedhjet tona të brendshme nuk mund ti ngjajnë zgjedhjeve tona të brendshme të mëparshme, por duhet të jenë një proces debati kombëtar jo vetëm partiak, për të folur e dëgjuar dhe adresuar korrigjimet e nevojshme në qeverisjen në nivel qendror dhe vendor”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama u kujtoi përsëri bashkiakëve të rinj, që do të drejtojnë bashkitë që më parë drejtoheshin nga të djathtët, se nuk duhet të prekin asnjë grua që punon në administratë. “Janë jo pak ata që kaluan vijën e kuqe të ligjit më 30 qershor, dhe sot që flas nuk flenë në shtëpi. Por, dua ta them shumë qartë, kush ka thënë thjesht një viktimë e presionit për të ardhur në bulevard, nuk duhet të preket dhe nuk ka pse të preket për këtë arsye në të drejtën e tij për të vazhduar punën në bashkitë që ne nuk i fituam me kundërshtarë, por që 30 qershori na i ka lënë si barrë për të treguar kush jemi. E kam thënë shpesh herë në fushatë, dhe dua ta dëgjojnë shumë mirë kryetarët e bashkive që janë këtu, asnjë grua, asnjë vajzë, nuk do të largohet na puna në asnjë nga bashkitë e djathta që nuk janë më në duart e kryebashkiakvë të djathtë. Largqoftë që mund të dalë ndonjë që do bëj të kundërtën, por ne do bëjmë cmos që asnjë revansh politik mbi administratën të mos lejohet”, tha Rama.

Voltana padit KZAZ-të: Prisni zhvillime të tjera

Voltana Ademi, kryebashkiakia në largim e Shkodrës, ka dorëzuar ditën e mërkurë në prokurori një kallëzim penal për krimet elektorale të kryera më 30 qershor. Ademi, ka depozituar kallëzim penal për katër KZAZ në këtë bashki, 2,3,4 dhe 5 për krime zgjedhore për procesin e 30 Qershorit.

Si zgjedhëse dhe kryetare e Bashkisë së Shkodrës, kam depozituar sot në Prokurorinë e Shkodrës kallëzimin penal për krimet elektorale të kryera të votimet e 30 qershorit. Ashtu siç kam paralajmëruar edhe më herët, kam paraqitur të gjitha provat që vërtetojnë shkeljet e ligjit në një proces që nuk kishte asgjë të përbashkët me zgjedhjet.” – tha Ademi

Voltana Ademi ka bërë thirrje për prokurorinë që të bëjë detyrën deri në fund dhe të mos i nënshtrohet asnjë lloj presioni, në mënyrë që shqiptarët të shohin drejtësinë të bëhet realitet.

Para mediave, i kam bërë thirrje prokurorisë të bëjë detyrën dhe të hetojë pa iu nënshtruar asnjë presioni politik dhe çfarëdo lloj tjetër dhe të zbatojë vetëm ligjin. Po ashtu, kam nënvizuar se qytetarët e Shkodrës dhe gjithë shqiptarët e meritojnë të mësojnë të vërtetën dhe të shohin drejtësinë të bëhet realitet.” – tha Ademi

Pas depozitimit në prokurori të kallëzimit, Voltana e pyetur nga gazetarët nëse do e lironte zyrën, ajo tha “ se deri më 13 Gusht zhvillime të tjera priten prandaj mendoj që t’ia lëmë secilës ditë zhvillimet” .

Cilës gjykatë t`i besojmë? Tre vendime të ndryshme për zgjedhjet e 30 qershorit

Gjyqtarja Mimoza Margjeka në Gjykatën e Durrësit, vendosi të mos i jepte mandatin e kryetares për Bashkinë Durrës, të zgjedhurës së PS në 30 qershor, Valbona Sako. Në vendimin e Gjykatës së Durrësit argumentohet se zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme, pasi sipas gjyqtares Margjeka, partia Bindja Demokratike nuk është regjistruar brenda afateve ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje.

Ky vendim, bie ndesh me vendimet e gjykatave të tjera në vend, që deri më tani kanë konfirmuar disa nga bashkiakët e rinj të zgjedhur në 30 qershor. Megjithatë, veç këtij precedenti, një tjetër precedent është vendosur nga Gjykata e Tiranës. Ajo ka shpallur moskompetencë për kërkesën e kandidatit të PS, në bashkinë e Vorës Agim Kajmaku, duke refuzuar njohjen e mandatit të tij në mënyrë indirekte dhe dërgimin e kërkesës në Gjykatën Administrative.

Gjykata bazuar në nenet 61/1 e 62 të Kodit të Procedurës Civile, nenit 60(1), të ligjit nr.139/2015 “Për vetëeverisjen vendore”, si dhe nenin 72 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, i ndryshuar, vendosa: Shpalljen e moskompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes me nr.10727 akti, dt. Rregj 11.07.2019, me kërkues Agim Kajmaku”.

“Dërgimin e akteve për kompetencë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Kundër  këtij vendimi mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë, brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar. U shpall sot në Tiranë më 15.072019”, shkruhet në vendimin e gjyqtares Ariana Gunbardhi (Caco).

Tre vendime të ndryshme, kaotike në përmbajtjen e tyre, që vërteton dhe njëherë se sistemi gjyqësor në Shqipëri i lexon ligjet në kontekste të ndryshme. Gjithashtu, tre vendimet e ndryshme, (nga njohja e mandateve, moskomptenca dhe refuzimi i tyre), të bëjnë të ngresh pyetjen, cilës gjykatë t`i besojmë?/Realstory.al/

Zguri është kundër, PS kërkon mandatet e këshillave në Kolegj

Partia Socialiste ka dërguar në Kolegjin Zgjedhor 4 padi, ku kërkon shpërndarjen e mandateve për këshilltarët bashkiakë të dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit. Padia e PS vjen pasi KQZ-ja e ka të pamundur të shpërndajë mandatet për këshilltarët bashkiakë, pasi kërkohet shumicë e cilësuar votash të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjë që për momentin nuk është e mundur.

Shkaku është Klemt Zguri, i cili në të gjitha rastet ka votuar kundër shpërndarjes së mandateve, pasi kreu i KQZ nuk e njeh 30 qershorin si datë të ligjshme zgjedhjesh, duke respektuar dekretin e Ilir Metës. Aktualisht, PS kërkon nga Kolegji Zgjedhor shpërndarjen e mandateve në katër bashki: Ura Vajgurore, Konispoli, Devolli dhe Kuçova.

Ky veprim i PS vjen pasi kryetarët e rinj të bashkive të zgjedhur në 30 qershor, nuk mund të marrin dot mandatin e kryetarit pa bërë  betimin në Këshillin Bashkiak. Rrjedhimisht, Partia Socialiste do të kërkojë nga Kolegji Zgjedhor shpërndarjen e mandateve për të gjitha bashkitë e vendit, me qëllim që të përmbyllet gjithë procesi elektoral i 30 qershorit dhe kryetarët e rinj të marrin mandatin e tyre.

Një situatë e ngjashme si kjo tani ka ndodhur në 2011, kur Kolegji Zgjedhor bëri certifikimin e mandateve për këshilltarët e zgjedhur të bashkisë së Tiranës. Sipas Kodit Zgjedhor, certifikimi i këshillave bashkiakë është i vlefshëm kur votojnë ‘pro’ jo më pak se 5 anëtar të KQZ-së. Kështu, në mungesë të shumicës absolute, pasi Klement Zguri voton kundër, Partia Socialiste është e detyruar të kërkojë shpërndarjen e mandateve nga Kolegji Zgjedhor.

Kryemadhi te Glover, i dorëzon shkeljet e 30 qershorit

Shefja e misionit të OSBE/ODIHR, Audrey Glover ka zhvilluar ditën e mërkurë një takim me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Në takim Kryemadhi i ka paraqitur shefes së misionit OSBE/ODIHR, Glover një dosje të plotë ku sipas LSI janë paraqitur të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor për votimet e kryera më 30 qershor.

Kryemadhi i ka cilësuar votimet e 30 qershorit si maskarada më e madhe e këtyre 29 viteve pluralizëm, por cilëson se kjo do të jetë e fundit. Kryemadhi tha se është turp për klasën politike, që pas gati 3 dekadash demokraci ende diskutohet për procese zgjedhore aspak demokratike dhe në shkelje të ligjit.

 “I dorëzova asaj një dosje voluminoze me të gjitha shkeljet e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për votimet moniste të 30 qershorit. Është shumë e rëndë për demokracinë shqiptare dhe turp për klasën politiken që 29 vite pas vendosjes së demokracisë pluraliste, vazhdojmë flasim për pamundësi mbajtjesh së proceseve zgjedhore në respekt të ligjit. Akoma nuk kemi një proces zgjedhor ku qytetarët të votojnë të lirë e në mënyrë të fshehtë pa ndikimin e krimit të organizuar dhe intimidimin e tyre me bukën e gojës apo vendin e punës, si dhe ku rezultati në reflektimin e vullnetit real të qytetarëve të jetë i gjithëpranuar nga palët. Votimet farsë të 30 qershorit ishin maskarada më e madhe, por besoj edhe e fundit! Shqipëria do ketë zgjedhje demokratike, sipas parimeve europiane, nga të cilat do dalin përfaqësues që do rivendosin shtetin e së drejtës dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë në rrugën e duhur”, tha Kryemadhi.

Takimi i Glover me Kryemadhin, vjen një ditë pas takimit me liderin e PD-së, Lulzim Basha. Edhe pse PD, LSI dhe aleatët e tjerë të opozitës nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, Glover ka vendosur të zhvillojë takime me drejtuesit e opozitës si para ashtu edhe pas 30 qershorit.

Më herët Glover ka deklaruar se ajo do të mbajë shënim të gjitha pretendimet e partive të ndryshme mbi zgjedhjet e 30 qershorit dhe do t’i pasqyrojë ato në raportin përfundimtar të OSBE.

Opozita njeh 30 qershorin, kërkon materialet zgjedhore

Partia Demokratike bën hapin e parë zyrtar, në atë që mund të quhet “njohje e 30 qershorit”. Ndonëse nuk u fut në zgjedhje, është shprehur se nuk i njeh ato, se janë të paligjshme, Partia Demokratike ka nisur një aksion të ri, që sipas saj, “bëhet në emër të transparencës për të dëshmuar manipulimin e votave më 30 qershor”. Pasditen e të martës, PD ka shpërndarë një njoftim, ku tregon se i ka dërguar kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të vënë në dispozicion materialet zgjedhore, referuar sipas saj, Kodit të Procedurës Admministrative dhe Kodit për të Drejtën e Informimit. PD vendos dhe kusht, që materialet zgjedhore të jenë në dispocion të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, brenda 10 ditësh.

Kërkesa e PD-së, e cila theksojmë që nuk i njeh zgjedhjet dhe nuk mori pjesë në to, argumentohet si një e drejtë për të dëshmuar manipulimin e votave për kryetar bashkie më 30 qershor. Kërkesa ndaj KQZ është bërë nga Gazmend Bardhi në emër të koalicionit opozitar, ku opozita ka të përmbledhura 8 elementë në kërkesën e saj: Kopje të listave zgjedhore, kopje të Tabelës Përmbledhëse të rezultatit për çdo zonë zgjedhore, kopjet e rezultatit për njësitë e qeverisjes vendore, për rezultatin në qendrat e votimit, kopje të procesverbalit për mbylljen e votimit, kopje të listës së anëtarëve të administratës zgjedhore, të emëruar kryesisht nga KQZ dhe KZAZ përkatëse, duke specifikuar për secilin administratën zgjedhore në të cilën ai bën pjesë, sipas regjistrit të administrimit zgjedhor që mban KQZ-ja, për çdo qendër votimi, KZAZ dhe Grup Numërimi.

Kopje të regjistrimit të kamerave të të gjitha tavolinave të numërimit në çdo Grup të Numërimit të Votave si dhe kopje të regjistrimit të kamerave të ambienteve të brendshme të KZAZ-ve”, shkruan PD. Për këtë kërkesë, PD shprehet se ka njoftuar dhe shefen e Misionit të ODIHR, Audrey Glover, e cila zhvilloi një takim me Lulzim Bashën paraditen e së martës. Kjo lëvizje e radhës, përfshi dhe atë të pak ditëve më parë për kallëzimin ndaj kreut të KQZ dhe deputetit Taulant Balla, tregojnë se opozita pranon 30 zgjedhorin zyrtarisht si datën legjitime të mbajtjes së zgjedhjeve.


Skip to toolbar