Rama mesazh opozitës pas protestës: Fituesit fillimisht fitojnë, pastaj nisen në betejë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së 10 kombëtare të opozitës, mbajtur para kryeministrisë. Shefi i Qeverisë ka përdorur një thënie të një gjenerali dhe shkrimtari kinez, Sun Tzu, me të cilën mesaduket i dërgon dhe një mesazh kundërshtarëve të tij politikë. “Fituesit fillimisht fitojnë, pastaj nisen në betejë. Ndërsa humbësit nisen njëherë dhe më pas rreken të fitojnë”,  është ky mesazhi që përcjell kryeministri i vendit drejtuar opozitës. Në fakt, mesaduket Rama me këtë mesazh kërkon të thotë se është tepër vonë për të thirrur fitore, pasi opozita  refuzoi dialogun para zgjedhjeve me 7 letrat publike të kryeministrit.

Në fakt, dialogu do të kishte qenë dhe një fitore për vetë opozitën, pasi prej tij, shtyrja e zgjedhjeve mund të ishte një mundësi, dhe sot opozita jo vetëm që mund të dilte e fituar (pjesëmarrjen në zgjedhje), por njëkohësisht mesiguri nuk do të kishte humbuar as një pjesë të bashkive të vendit, të cilat tashmë janë fakt që do të drejtohen nga socialistët pas 30 qershorit. Ndaj, për kryeministrin Rama fitore mund të cilësohet fakti që 30 qershori u mbajt, rendi kushtetues u ruajt, ligji u zbatua, dhe tashmë është koha për beteja, ndoshta dhe për dialog me opozitën, derën e të cilit, Rama në fakt e ka lënë hapur pas datës 1 korrik.

Ndërsa hyrja e opozitës në betejën për të larguar kryeministri, duke djegur mandatet pa i menduar mirë pasojat politike, është një humbje e parakohshme, dhe kërkesa për fitore pas humbjes së gjithë pushteve, përfshi së shpejti dhe shkarkimin ‘de jure’ të Presidentit, që tashmë ka konfirmuar haptazi pozicionin e tij, është një humbje, pasojat e të cilës ende nuk mund të thuhen me siguri se sa të rënda do të jenë për opozitën.

A është ky mesazhi që Rama ka dashur të thotë me shprehjen e famshme të Gjeneralit kinez, apo ka dashur të thotë diçka tjetër, edhe këtë s`mund ta themi me siguri të plotë, por një gjë është e qartë; për Qeverinë, 30 qershori është një fitore, një fitore jo për vlerën e mandateve lokale më shumë se një fitore e Kushtetutës dhe ligjit në një vend demokratik, që aspiron rrugën e integrimit evropian.

Zgjedhjet e 30 qershorit, PS ‘tejkalon veten’ 73 mijë vota më shumë se në 2015

Socialistët do t’i kalojnë ditët e nxehta të korrikut mes shifrash. Llogaritja e rezultateve të 30 qershorit dhe krahasimi me votën politike të vitit 2017 dhe votës së veçuar nga koalicioni në zgjedhjet e vitit 2015 do të jenë pasqyra e vlerësimit në Asamblenë e fund korrikut.

A2 CNN ka bërë llogaritjen e 12 bashkive kryesore në vend si qendër qarku, ku nga rezultatet e këshillave bashkiakë, që shquhet vota për siglën e partisë, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2015, duket një thellim i rezultatit në adresë të Partisë Socialiste, me 73 496 vota.

Kështu, për qarkun më të madh në vend, Tiranën, në vitin 2015, ku garonte po Erjon Veliaj, PS kishte marrë 108 290 vota, ndërsa më 30 qershor, 138 090 vota, me një diferencë gati 30 mijë vota. Duhet nënvizuar se këto vota janë vetëm për siglën e Partisë Socialiste, pa votat e koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Në vitin 2015, socialistëve iu shtuan edhe 54 mijë votat e LSI dhe disa mijëra të tjera nga aleatët e vegjël. Në vijim të kësaj logjike, diferenca e votave ndihet më shume në Fier, me 11 273 vota mbi rezultatin që vetë Armando Subashi kishte marrë në vitin 2015. Renditet I treti Elbasani, që ka shtuar votat e socialistëve me 10 248 vota më shumë se sa rezultati që pati paraardhësi i Gentian Llatjas, Qazim Sejdini.

Në listë vijon Vlora, Durrësi, Berati, Kukësi e Shkodra. Ndërsa diferencën më të vogël e ka bërë Lezha me vetëm 765 vota mbi rezultatin e vitit 2015, dhe e fundit Dibra me vetëm 315 vota shtesë. Nëse shohim rezultatet e vitit 2015, duket se këto janë vota të marra nga LSI, që ka pasur rezultatin e dytë më të mirë pas PS në koalicion.

Megjithatë, duhet të sjellim në vëmendje se në të dhënat krahasuese të vitit 2019, ne kutitë e votimin në 10 bashki, u gjetën më shumë fletë votimi se votues. Fenomenin, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e justifikoi me faktin se të dhënat ishin përcjellë me telefon, dhe rrugës mund të ketë pasur lapsuse në llogaritje. Gjithsesi, analiza e votës do të tregojë në Asamblenë e Përgjithshme të PS, nëse do të ketë “prerje kokash” për ata që nuk kanë arritur objektivat e partisë, apo ngritje në detyrë për ata që kanë pasur performancën më të mirë.

Çupi: 30 qershori thelloi më shumë krizën, jo dialog me Ramën Kryeministër

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi tha se vendi është në një krizë të thellë politike dhe se 30 qershori nuk ndryshoi asgjë në lidhje me këtë.  Sipas Çupit, në fakt, 30 qershori forcoi edhe më shumë perceptimin e opozitës se shqiptarët nuk e meritojnë këtë qeveri. Në lidhje me një dialog të mundshëm mes palëve për zgjidhjen e krizës në vend, Çupi tha se kjo nuk do të ndodh për aq kohë sa Rama është kryeministër.

Janë zgjedhje të paligjshme, jo të ndershme. Për këtë arsye themi që janë thjesht votime brenda PS. Ajo çka i jep të drejtë të gjithë kauzës, djegies së mandateve, aksionit opozitar nga shkurti deri më sot me mbi 10 protesta kombëtare dhe lokale, është se jemi në një krizë të thellë dhe asgjë s’ka ndryshuar në datë 30. Vetëm është shtuar perceptimi që kemi një qeveri që nuk e meritojnë shqiptarët. Ne kemi kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. E duam pa këtë qeveri dhe pa këtë kryeministër. Në 30 qershor u pa që vetë votuan, vetë numëruan dhe vetë i kthyen në këtë farë derexheje. S’mund të ketë dialog me Ramën kryeministër. Janë 85% e shqiptarëve që kanë mbështetur kauzën tonë.” – tha Çupi në News 24

Numri “makth” i Ramës

Nga Eduard Zaloshnja

Në kushtet kur gara se kush do të administrojë punët lokale në secilën bashki është paraktikisht e parashikueshme (në 61 bashkitë do të fitojnë socialistët përballë kandidatëve të pavarur apo të BD-së), e vetmja pikëpyetje është politike. Konkretisht, pyetja është nëse do të kenë kandidatët e Ramës në nesër të njëjtën përkrahje që patën kandidatët e tij në zgjedhjet e 2017-ës?

Parvjet kandidatët për deputetë të Ramës morën 765 mijë vota në zgjedhje. Kështuqë nesër, nëse kandidatët e tij për kryebashkiakë marrin përsëri rreth 765 mijë vota (nën vëzhgimin e shtuar të ndërkombëtarëve), Rama mund të pretendojë se mbështetja politike për të mbetet e njëjtë, pavarsisht nga sulmet e vazhdueshme të opozitës dhe opinionistëve kritikë ndaj tij. (Se sa nga 41-përqindëshi i zgjedhësve që jetojnë jashtë Shqipërisë, e sa nga votuesit gri apo blu do ta marrin mundimin të votojë nesër, nuk ka rëndësi politike për Ramën.)

Por rruga deri tek numri magjik 765 mund të jetë e vështirë për dy arsye.

Vapa

Edhe në qoftë se dita e nesërme do të jetë relativisht e qetë (vetëm me incidente të vogla aty-këtu), armiku kryesor i Ramës do të jetë vapa e pritshme. Përvoja na tregon se shqiptarët u turren në mënyrë masive plazheve në fund të qershorit, sidomos të djelave të nxehta.

Në kushtet kur gara ka qenë e fortë dhe e paparashikueshme në zgjedhje, një masë e madhe votuesish e kanë sakrifikuar vajtjen në palzh, për të kontribuar me votë për partinë/kandidatin e tyre të preferuar (në zgjedhjet e 2015-ës dhe 2017-ës kanë votuar 1.6 milionë shqiptarë, ose rreth 75% e zgjedhësve me banim në Shqipëri).

Por nesër, praktikisht, nuk do të ketë garë. Në këto kushte, është e vështirë të motivohen votuesit që ta lënë plazhin, vetëm për të dhënë një mesazh përkrahje politike për Ramën. Kandidatët e tij, sidoqoftë, do të fitojnë në të 61 bashkitë.

Incidentet e mundshme

Ditët e fundit ka patur incidente të dhunshme në disa zona zgjedhore, megjithë paralajmërimet e forta të kacelerive perëndimore, e sidomos të Uashingtonit.

Në qoftë se incidentet vazhdojnë edhe nesër, duke sfiduar të drejtën e zgjedhësve socialistë për të votuar, këta të fundit mund të jenë të motivuar për të lënë çdo punë apo qejf, në mënyrë që të votojnë. Por një pjesë e tyre, sidomos në qytete të mëdha, mund t’i druhen rrezikut që vjen nga përplasjet fizike me të fortët e lagjeve. (Në fshatra dhe qytete të vogla ky rrezik është më i vogël, sepse të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe do të vazhdojnë të jetojnë prapë aty të nesërmen e zgjedhjeve…)

Konkluzion

Edhe në qoftë se 765 mijë zgjedhës janë të prirur të votojnë për kandidatët e Ramës në 30 qershor (për të demonstruar përkrahjen ndaj partisë së tij), ai do ta ketë vështirë ta arrijë këtë numër magjik. Në rastin e zhvillimit të qetë të zgjedhjeve, kundërshtar do të ketë vapën. Në rastin e zhvillimit me incidente të dhunshme, kundërshtar do të ketë frikën e një pjese të votuesve të thjeshtë nga këto incidente.

EXCLUSIVE/ PD, “paqe në 30 qershor”. Por problem mbetet Berisha…

Dita e zgjedhjeve do jetë një ditë e qetë, pavarësisht çfarë thotë Partia Demokratike me retorikë dhe shkresa. Selia Blu i ka dhënë garanci ndërkombëtarëve, që 30 qershori nuk do të ketë dhunë dhe incidente të shkaktuara prej saj. Megjithëse PD nuk heq dorë nga mospranimi i zgjedhjeve dhe ka mobilizuar gjithë kryetarët e bashkive të tentojnë të pengojnë procesin zgjedhor. Kreu i saj i ka dhënë garanci ambasadorëve Leyla Moses-Ones dhe Soreca që trokitën të martën në zyrën e tij. Por ambasadorët kanë patur edhe një mesazh për Ramën: jo festë e fishekzjarre të dielën dhe të hënën.

Të dy ambasadorët kanë shkuar te Rama e Basha pas takimit që u mbajt në orën tetë të mëngjesit të të martës, siç edhe Realstory.al kishte lajmëruar një ditë më parë. Ambasadorët e BE, OSBE, Italisë, Gjermanisë dhe Britanisë, janë takuar për më shumë se një orë në zyrën e ambasadorit britanik në Rrugën e Ambasadave. Takimi sipas burimeve brenda tij do të prodhojë një deklaratë të përbashkët, ku do t’i kërkohet palëve të sigurojnë zgjedhje të qeta në 30 qershor, një mesazh ky direkt për Bashën si dhe në funksion të paqes dhe qetësisë, jo festë e fishekzjarre nga pala tjetër, një mesazh ky për Ramën. Burime diplomatike i pohojnë Realstory.al se i vetmi qëndrim “ndryshe” ka qenë ai i Britanisë, i cili ka “kërcënuar” të tërheqë vëzhguesit britanikë nga Veriu i vendit, nëse nuk garantohet siguria e tyre.

Soreca më pas është bashkuar me zonjën Moses-Ones , (SHBA nuk janë bashkuar tryezës, pasi qëndrimi i tyre ka qenë i qartë, për të mos pasur negociata, pa pasur një proces pa dhunë e incidente në 30 qershor), e më pas i janë drejtuar zyrave të Bashës e Ramës. Sipas burimeve diplomatike Basha i ka siguruar ambasadorët se e ka marrë mesazhin e qartë dhe se dhuna verbale e 24 orëve të fundit është “për të mos humbur entuziazmin e bazës”, e cila mund ta interpretojë si humbje, mbajtjen e zgjedhjeve nga të cilat u vetëpërjashtuan e që po mbahen me Ramën (akoma) kryeministër.

Por duket se shpresat për një dialog politik pas një 30 qershori të qetë, pa incidente e festa, janë shtuar. Ambasadorët kanë diskutuar sërish mundësinë e ardhjes pas zgjedhjeve të një të Dërguari të Posaçëm, i cili të nisë ndërmjetësinë mes palëve. Momenti më delikat është ai i një takimi Basha-Rama, pas refuzimit të prerë të të parit për të bërë një gjë të tillë, sa kohë Rama është kryeministër. Por duket se edhe këtu është gjetur një dakordësi “teknike”. Fillimisht do të realizohet takimi i Bashës me një politikan socialist të “pranueshëm” për të, e më pas edhe takimi me Ramën.

Dihet se Basha ka një miqësi me Pandi Majkon, me të cilin është takuar edhe në 2017, gjatë periudhës së çadrës në Rogner. A thua dhe pajtimi do kalojë sërish mes duarve të tij?

Rëndësi ka që pavarësisht çfarë thuhet e shkruhet, palët do përpiqen (s’kanë ku shkojnë) të sillen mire dhe urtë në 30 qershor, një datë që është e rëndësishme më shumë për ndërkombëtarët, sesa ata vetë. Puna më e madhe i mbetet Bashës, të cilit përveçse me të vërtetën si zakonisht, i duhet të përballet dhe me linjën e ashpër Brenda PD të përfaqësuar nga Berisha e që ka jo pak mbështetje. Burime diplomatike të konfirmuara edhe nga vetë Brenda PD, flasin se Basha e Berisha nuk përjetojnë ditët më të mira mes tyre. 30 qershori ndoshta do të jetë provë edhe për këtë: nëse Basha e ka apo jo në kontroll Partinë. Nëse s’ka incidente i bie që meqë s’mundi Ramën, së paku të mundë Berishën dhe tu tregojë ndërkombëtarëve se e “vrau” babën e vet. Nëse në 30 qershor në PD triumfon linja e dhunës dhe e forcës, atëherë Lulzim Bashën nuk ka askush që ta shpëtojë. As Berisha, as ndërkombëtarët dhe as Rama vetë!/ Realstory.al

KQZ shqyrton dekretin e Metës, Klement Zguri braktis mbledhjen

Pas firmës që hodhi mbi dekretin e ri për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, dokumenti i firmosur nga kreu i shtetit i është dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zbatim. Ndonëse, fillimisht u lajmërua se mbledhj e KQZ do të mbahej në orën 12:00, ajo u shty me dy orë, për shkak se anëtarët e KQZ kërkuan të njihen më mirë me argumentet e dhëna nga Ilir Meta për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Mbledhja ka nisur në orën 14:00, ku kryetari i KQZ Klemenet Zguri ka mbajtur fjalën e hapjes së mbledhjes, duke kërkuar nga kolegët e tij që të zbatojnë dekretin e presidentit, pa diskutim. Miërpo, kjo nuk ka ndodhur, ndaj Zguri u largua nga mbledhja, ndërsa drejtimin e saj e mori zëvendëskryetari Denar Biba.

Kjo është situatë e pazakontë. Për mua dekreti i Presidentit është detyrues dhe duhet të respektojmë vullnetin e tij. Dekreti i presidentit nuk ka ndodhur që të vihet në diskutim. Nuk dua të futem nëse presidenti është apo jo në të drejtën e tij. Refuzoj ti futem brendisë, sepse nuk është detyra jonë”.

Duhet t`i bindemi dekretit të presidentit. Unë nuk e gjej më vend të drejtoj këtë mbledhje të KQZ kur ka debate kaq të forta. Kështu që për të qenë i qetë vete, unë jam i detyruar të çohem, ose kolegët e mi mund ta zhvillojmë mbledhjen”, u shpreh ndër të tjera Klement Zguri, para se të largohej nga mbledhja e KQZ.

Kreu i PD: Anulimi i 30 qershorit, fitorja e parë e qëndresës sonë

Kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se vendimi i Presidentit Meta për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit është rezultat i qëndresës së tyre. Nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, ku njoftoi protestuesit e shumtë të mbledhur në protestën e opozitës së bashkuar për vendimin e presidentit, ndonëse Basha kishte deklaruar se nuk do të fliste më dhe fjalën e kishte sovrani, ai u shpreh se anulimi i procesit të 30 qershorit, nuk është fundi i betejës.

“6 net më parë u zotova para jush se nuk kisha më fjalë dhe arsye për fjalë, ndaj më lejoni të shpjegoj para jush dhe gjithë shqiptarëve pse po e marr fjalën para jush dhe gjithë shqiptarëve, arsyen pse po e marr fjalën sot. Arsyeja është sepse kjo javë e mbushur me zhvillime të jashtëzakonshme në Shqipëri, në Gjermani, në Europë, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me fatin e vendit tonë, me rrugën tonë drejt Europës, kanë marrë një kthesë. Ndaj më lejoni ta nis duke ju falënderuar ju vëllezër dhe motra që jeni forca e pandalshme e ndryshimit që po vjen. Në këto momente që po flas, falë vendosmërisë tuaj të pathyeshme falë bashkimit më të paparë të mendjeve e zemrave të shqiptarëve të lirë, Presidenti i Republikës ka marrë vendimin për anulimin e 30 qershorit, datës së planifikuar nga regjimi kriminalo autokratik i bandës së Edi Ramës për të ekzekutuar krimin e shëmtuar elektoral, për të kapur përmes një procesi monist antikushteutes, antielektoral, antiligjor dhe kriminal, pushtetin vendor. Vëllezër dhe motra kjo është vetëm rezultat i forcës tuaj të pathyeshme, i qëndresës tuaj i besimit tuaj të palëkundur tek vlerat evropiane, të lirisë, të demokracisë, të dinjitetit”, u shpreh Basha.

Më pas, Basha ka bërë thirrje kundër dhunës, ku dukej se protestuesit ishin përgatitur për të goditur forcat e policisë, pasi kishin filluar që qëllonin me tymuese dhe kapsolla. “Vëllezër dhe motra, ju bëj thirrje të mos ndërmerrni asnjë veprim që dëmton protestuesit apo vëllezërit tanë në uniformë. Zemërimi juaj është I ligjshëm, por ka vetëm një njeri që do dhunë, ka vetëm një njeri që lutet për dhunë, dhe ky është njeriu që do t’i shpëtojë gjykimit të popullit, do ti shpëtojë gjykimit të Evropës. Ky është Edi Rama dhe banda e tij. Nuk do t’i shpëtojë, gjykimi i Evropës po vjen, gjykimi i popullit është i pashmangshëm”, deklaroi kreydemokrati.

Megjithatë, ai vuri në dukje se protestat e tyre nuk do të ndalojnë, kur iu drejtua protestuesve të opozitës se anulimi i 30 Qershorit është fitimi i një beteje, pasi largimi i Ramës si kryeministër është i panegociueshëm. Në mbyllje të fjalimit të tij para kryeministrisë, Basha i ka ftuar protestuesit të marshojnë sërish te Parlamenti, ashtu siç ka vepruar edhe në shtatë protestat e tjera.

Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?
Skip to toolbar