Rama mesazh opozitës pas protestës: Fituesit fillimisht fitojnë, pastaj nisen në betejë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së 10 kombëtare të opozitës, mbajtur para kryeministrisë. Shefi i Qeverisë ka përdorur një thënie të një gjenerali dhe shkrimtari kinez, Sun Tzu, me të cilën mesaduket i dërgon dhe një mesazh kundërshtarëve të tij politikë. “Fituesit fillimisht fitojnë, pastaj nisen në betejë. Ndërsa humbësit nisen njëherë dhe më pas rreken të fitojnë”,  është ky mesazhi që përcjell kryeministri i vendit drejtuar opozitës. Në fakt, mesaduket Rama me këtë mesazh kërkon të thotë se është tepër vonë për të thirrur fitore, pasi opozita  refuzoi dialogun para zgjedhjeve me 7 letrat publike të kryeministrit.

Në fakt, dialogu do të kishte qenë dhe një fitore për vetë opozitën, pasi prej tij, shtyrja e zgjedhjeve mund të ishte një mundësi, dhe sot opozita jo vetëm që mund të dilte e fituar (pjesëmarrjen në zgjedhje), por njëkohësisht mesiguri nuk do të kishte humbuar as një pjesë të bashkive të vendit, të cilat tashmë janë fakt që do të drejtohen nga socialistët pas 30 qershorit. Ndaj, për kryeministrin Rama fitore mund të cilësohet fakti që 30 qershori u mbajt, rendi kushtetues u ruajt, ligji u zbatua, dhe tashmë është koha për beteja, ndoshta dhe për dialog me opozitën, derën e të cilit, Rama në fakt e ka lënë hapur pas datës 1 korrik.


Ndërsa hyrja e opozitës në betejën për të larguar kryeministri, duke djegur mandatet pa i menduar mirë pasojat politike, është një humbje e parakohshme, dhe kërkesa për fitore pas humbjes së gjithë pushteve, përfshi së shpejti dhe shkarkimin ‘de jure’ të Presidentit, që tashmë ka konfirmuar haptazi pozicionin e tij, është një humbje, pasojat e të cilës ende nuk mund të thuhen me siguri se sa të rënda do të jenë për opozitën.

A është ky mesazhi që Rama ka dashur të thotë me shprehjen e famshme të Gjeneralit kinez, apo ka dashur të thotë diçka tjetër, edhe këtë s`mund ta themi me siguri të plotë, por një gjë është e qartë; për Qeverinë, 30 qershori është një fitore, një fitore jo për vlerën e mandateve lokale më shumë se një fitore e Kushtetutës dhe ligjit në një vend demokratik, që aspiron rrugën e integrimit evropian.




Skip to toolbar