Punimet nisin në 31 maj, hapet tenderi për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës

Qeveria hapi të enjten tenderin për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Gjatë prezantimit të projektit dhe procedurave për ndërtimin e Aeroporit të Vlorës, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se gara për dorëzimin e dokumenteve do të mbyllet në 12 mars, ndërsa dita e caktuar për nisjen e punimeve në këtë aeroport është 31 Maj i vitit të ardhshëm.

“Kemi ngritur një tender ndërkombëtar për një vepër ndërkombëtare, bazuar në parimet e barazisë dhe konkurrencës. Ky aeroport është pikënisja e planit të investimit që kemi. Shumë shpejt do të hapet tenderi Adriatiko-Jonian, Thumanë- Rrogozhinë. Do punojmë për tunelin e Llogarasë. Hapet zyrtarisht thirrja për ndërtim dhe operim të aeroportit. Shpallim sot hapjen e këtij tenderi ndërkombëtar, do të sjell konkurrencës dhe shërbime të larta. Me 12 mars përfundon afati për të dorëzuar ofertat. 35 vite zgjat koncesioni. 31 maj fillojnë punimet për ndërtimin e tij”, tha Balluku.

Për Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, Aeroporti i Vlorës do të rrisë numrin e turistëve të hauj që vijnë nga “ajri”. “Numri i turistëve të huaj që vijnë nga ajri do vijë gjithmonë në rritje. Këtë vit 6.3 milionë turistë të huaj, ose 10% më shumë se një vit më parë. Prapë ne kemi hapësira për turistë që nuk janë shfrytëzuar për shkak të akomodimit dhe infrastrukurës aeroportuale”, tha Klosi.

Drejtori i Aviacionit Cibvil, Krislen Keri u shpreh se monopoli i Aeroporit “Nënë Tereza” është bërë pengesë e zhvillimit në vend. Sipas tij, me hapjen e dy aeroporteve të tjera, ai i Vlorës dhe Kukësit, pritet të ulen tarifat për udhëtimin e qytetarëve. 

“Monopoli i Aeroportit Nënë Tereza ka qenë pengesë për ecurinë e aviacionit. Hapja e punimeve për dy aeroporte të tjera do përmirësojë shërbimet dhe do të sjell tarifa më të ulëta për të gjithë qytetarët. Nga 2013 deri më tari ka pasur rritje të trafikut në aeroportin e Tiranës. Air Albania ka sjell shërbim dhe cilësi të lartë. Për herë të parë qytetarë po udhëtojnë me bileta 50 euro drejt Italisë. 10% më shumë fluturime me charter. Nga 25 mijë në 2013 në 2019 ne presim që turistët me charter të shkojnë në 300 mijë”, tha Keri.

Ende pa nisur ndërtimi, italianët synojnë Aeroportin e Vlorës

Gjatë prezantimit të projektit për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, kryeministri Rama deklaroi se ndërtimi do të nis me buxhetin e shtetit fillimisht dhe më pas do të negociohet me kompani të huaja të specializuara në këtë fushë për vijimin e ndërtimit dhe menaxhimin e  saj. Rama tha se ende nuk është arritur një marrëveshje edhe pse janë në bisedime me shumë kompani që kanë shfaqur një interes të madh. Edhe pse Kryeministri nuk u prononcua me emra konkret se me cilët po zhvillohen bisedime, sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, një prej tyre mund të jetë Aeroporti i Pulias në Itali.

Sipas gazetës, Aeroporti i Vlorës mund të merret me koncension për 35 vite nga ndërmarrja e Aeroportit të Pulias dhe se interesi i shprehur nga aeroporti puliez mund të marrë një dritë jeshile të mërkurën në Fiera del Levante, ku do të zhvillohet një takim mes përfaqësuesve të kompanisë pulieze dhe kryeministrit Edi Rama.

Aeroporti i Pulias synon ndërkombëtarizimin duke krijuar një filial të ri dhe plani i saj duket se është investimi në aeroportin e Vlorës. Gazeta shkruan se kompania italiane ka shprehur interes në fillim të shtatorit për marrjen me koncesion të Aeroportit të Vlorës për 35 vite, dhe se propozimi i kompanisë nuk është vetëm i një natyre operative.

Aeroporti i Puglias ka fituar eksperiencë specifike për investimet në infrastrukturë (ka ndërtuar terminalet e reja ajrore në Bari dhe Brindisi) dhe në negociatat me kompanitë ajrore për menaxhimin e trafikut të linjave. Por kjo nuk është e gjitha: ekziston edhe komponenti i Mbrojtjes Civile (aeroporti Foggia) dhe industria e hapësirës ajrore (Grottaglie).

VIA, Balluku: Fluturime “low-cost”. Kritika Aeroporit të Rinasit

Pasditen e të hënës, në qytetin e Vlorës është prezantuar projekti për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku  u shpreh se aeroporti i Vlorës do të jetë me parametra të aeroporteve ndërkombëtare, ku pista do të jetë e gjatë 3.2 km, ndërsa është menduar që në të, të ulen avionë trans-oqeanikë.

“Një pistë e parametrave ndërkombëtare. “Air Albania” shumë shpejt do të fluturojë drejt SHBA-së. 3.2 km do të jetë pista e aeroportit, me gjerësi 60 metra duke plotësuar kushtet e një aeroporti modern. Tre kolona kryesore; shërbimi i Aviacionit Civil, të gjitha funksionet e Cargo-s e tregëtisë së mallrave dhe shtylla e tretë është mirëmbajtja e Avionëve”, është shprehur ministrja Balluku.

Më tej, ministrja ka kritikuar edhe punën në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke u shprehur se në të është cënuar siguria, ndërsa çmimet kanë qenë të larta për udhëtarët.

“Nuk është më një ëndërr, por realitet. Një aeroport low-cost. Aeroporti i Tiranës ka prekur xhepat e shqiptarëve, ka cënuar sigurinë. Kemi marrë masa. Ka pasur ndryshime të mëdha në linjën menaxheriale, presim që të na prezantohet plani i investimeve që deri tani ka munguar”, ka thënë Balluku.

Rama: Aeroportin e Vlorës e ndërtojmë vetë. Fuqi ekonomike

Për kryeministrin Rama, aeroporti i Vlorës, ka qenë një ëndërr e hershme dhe premtim i përsëritur, që më në fund po bëhet realitet. Edhe pse ende nuk është vendosur për një kompani të huaj që do të marrë përsipër ndërtimin edhe menaxhimin e saj, Rama tha se puna do të nis pranverën e ardhshme me një buxhet që do të përcaktohet shteti, në mënyrë që të mos vonohet me zbatimin e projektit që tashmë është gati.

Akoma jemi në një proces të diskutimit të brendshëm për mënyrën se si do të procedojmë. Tani kemi dhe opsionin e përfshirjes së një kompanie të huaj dhe operimin e saj, por edhe për ta filluar vetë ndërtimin për të mos vonuar. Kemi përcaktuar vetë një shumë për fillim, për të filluar një garë me kompani të specializuara. Pranverën e vitit 2020 fillon puna në kantier.” tha Rama, i cili e quajti Aeroportin e Vlorës si kryesor dhe më të rëndësishëm në Shqipëri, më shumë se ai i Rinasit, pasi do të këtë një kapacitet që mund të lejojë uljen e avionëve të mëdhenj si dhe do të operojë edhe në fusha të tjera përveç pasagjerëve, si atë të transportit të mallrave por edhe të riparimit teknik të avionëve.

Ky aeroport ka shumë rëndësi pasi nuk është turistik, do të jetë më i madh se ai i Rinasit dhe me më shumë funksione. Aeroporti i Vlorës do jetë fuqi ekonomike, do të shërbejë për transportin e  pasagjerëve, mallrave dhe riparimin e avionëve. Aeroporti i Vlorës do të jetë kryesori në vend dhe do të ketë një pistë të gjatë 3.2 kilometra për avionët trans-oqeanikë me kapacitete të madha.”- u shpreh Rama

Gjatë prezantimit të projektit të Aeroportit të Vlorës, Rama kërkoi durim nga qytetarët duke sqaruar se tmerri i  biletave të shtrenjta do të marr fund dhe tregu do të normalizohet me ndërtimin e aeroporteve të reja si ai i Kukësit, Vlorës dhe Sarandës duke sjellë një ulje të çmimit dhe bileta “low-cost”

Tmerri i biletave të shtrenjta të marrë fund një herë e mirë. Duhet pak durim dhe kohë në planin afat-mesëm. Sistemi i çmimeve do të normalizohet, se me ndërtimin e Aeroportit të Kukësit dhe Vlorës, do të ketë më shumë zgjedhje dhe mundësi”, tha Rama.

Gati projekti i Aeroportit të Vlorës. Prezantohet të hënën

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar pasditen e të dielës, se është përfunduar hartimi i projektit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Lajmin, kreu i qeverisë, e ka dhënë në Facebook, duke treguar fillimisht se negociatat me konsorciumin që shprehu interes për ndërtimin e Aeroportin e Vlorës, dështuan.

“Gati projekti për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Pas negociatave tejzgjatura, por si përfundim të pasuksesshme me konsorciumin që shprehu interes për realizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, u angazhuam drejtëpërdrejt në bërjen e projektit për të mos humbur tjetër kohë të çmuar”, shkruan Rama.

Më tej, ai ka sqaruar se projekti për aeroportin e Vlorës është bërë nga studio e famshme ARCHEA, që sipas Kryeministrit, projekti është ambicioz dhe me standarde të larta teknike dhe arkitektonike. “Falë një pune voluminoze në bashkëpunim me një skuadër ndërkombëtare ekspertësh nën drejtimin e studios së famshme ARCHEA, kemi në dorë një projekt ambicioz të standarteve më të larta teknike e arkitektonike. Për më shumë nesër në Vlorë në prezantimin e projektit, tek “Tre Racat”, 17.00”, shkruan Rama.

Aeroporti i Vlorës ka qenë një premtim i hershëm i Kryeministrit Rama, ku fillimisht inters shprehën kompani turke për ndërtimin e tij. Megjithatë, gjërat nuk shkuan si duhet dhe aeroporti i Vlorës nuk nisi të ndërtohej, ndërsa tani, Rama jep lajmin e shumëpritur për qytetarët e Vlorës dhe jugut të vendit, për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

GATI PROJEKTI PER AEROPORTIN NDERKOMBETAR TE VLORES😁• Pas negociatave tejzgjatura, por si përfundim të pasuksesshme me…

Gepostet von Edi Rama am Sonntag, 15. September 2019
Skip to toolbar