Ende pa nisur ndërtimi, italianët synojnë Aeroportin e Vlorës

AKTUALITET


Gjatë prezantimit të projektit për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, kryeministri Rama deklaroi se ndërtimi do të nis me buxhetin e shtetit fillimisht dhe më pas do të negociohet me kompani të huaja të specializuara në këtë fushë për vijimin e ndërtimit dhe menaxhimin e  saj. Rama tha se ende nuk është arritur një marrëveshje edhe pse janë në bisedime me shumë kompani që kanë shfaqur një interes të madh. Edhe pse Kryeministri nuk u prononcua me emra konkret se me cilët po zhvillohen bisedime, sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, një prej tyre mund të jetë Aeroporti i Pulias në Itali.

Sipas gazetës, Aeroporti i Vlorës mund të merret me koncension për 35 vite nga ndërmarrja e Aeroportit të Pulias dhe se interesi i shprehur nga aeroporti puliez mund të marrë një dritë jeshile të mërkurën në Fiera del Levante, ku do të zhvillohet një takim mes përfaqësuesve të kompanisë pulieze dhe kryeministrit Edi Rama.


Aeroporti i Pulias synon ndërkombëtarizimin duke krijuar një filial të ri dhe plani i saj duket se është investimi në aeroportin e Vlorës. Gazeta shkruan se kompania italiane ka shprehur interes në fillim të shtatorit për marrjen me koncesion të Aeroportit të Vlorës për 35 vite, dhe se propozimi i kompanisë nuk është vetëm i një natyre operative.

Aeroporti i Puglias ka fituar eksperiencë specifike për investimet në infrastrukturë (ka ndërtuar terminalet e reja ajrore në Bari dhe Brindisi) dhe në negociatat me kompanitë ajrore për menaxhimin e trafikut të linjave. Por kjo nuk është e gjitha: ekziston edhe komponenti i Mbrojtjes Civile (aeroporti Foggia) dhe industria e hapësirës ajrore (Grottaglie).




Skip to toolbar