PD dorëzon dokumentet për Kajmakun, Prokuroria: Po i përkthejmë nga greqishtja

Partia Demokratike i ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme, dokumentet, që sipas Selisë Blu, vërtetojnë akuzat e saj për dënimin që ka Agim Kajmaku në shtetin grek. Zyra e shtypit e PD ka njoftuar se të dhënat për Kajmakun ‘i janë dërguar prokurorisë, përmes dy letrave të ndryshme, njëra ditën e hënë me dokumentat e bëra publikë sipas vendimeve të Prokurorisë dhe Gjykatës greke, tjetra me dokumentin e nxjerrë nga TIMS, që tregon se Agim Kajmaku është i njëjti me personin Jorgo Toto, i arrestuar në në Greqi në 2003 dhe me numër pasaporte Z 0148497”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e PD.

Ndërkohë, nëse i ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme dokumentat që disponon për Agim Kajmakun, PD ankohet për procedurën që po ndjek organi akuzës për verifikimin e figurës së kryebashkiakut të Vorës. “Partia Demokratike dhe shpreh shqdetësimin e thellë të PD për procedurën antiligjore që po ndjek prokuroria për marrjen e shenjave të gishtërinjve”, shkruhet në reagimin e PD, e cila vijon më tej duke shprehur mosbesimin te depozitimi i shenjave të gishtërinjve të Agim Kajmakut. Sipas Selisë Blu, kjo procedurë e ndjekur nga organi akuzës, ngre hije dyshimi për manipulim të rezultatit të verifikimit.

“Procedura e ndjekur nga ana juaj, përveçse shkakton vonesa të panevojshme në procesin e verifikimit, ngre edhe dyshimin e arsyeshëm për një tentativë të mirëorganizuar për manipulimin e rezultatit të verifikimit. Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi apo tentativë për manipulimin e saj, përveçse do të dështojë, përbën edhe një konfirmim të rreshtimit në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike”.

Megjithë mosbesimin e Partisë Demokratike ndaj organit të akuzës, mësohet se Drejtoria e Dekriminalizmit në Prokurorinë e Përgjithshme është duke mbledhur prova që vërtetojnë ose jo akuzat e ngritura nga PD në drejtim te Agim Kajmakut. Këtë gjë, e bën të ditur vetë Prokuroria në letrën dërguar PD, ku i kërkon dokumentacionin për Agim Kajmakun. Në këtë letër thuhet ndër të tjera se “ka kërkaur nga KQZ formularin e vetëdeklarimit të Agim Kajmakut”, ndërsa procesi për verifikimin e tij është duke u zbatuar ‘sipas afateve ligjore’, citohet nga letra e Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjithashtu, më herët, të premten e javës së kaluar, një burim pranë Prokurorisë së Përgjithshme i tha Realstory.al, se pas mbërritjes së kërkesës së PD për verifikimin e Kajmakut, organi i akuzës do të niste letërporsi pranë autoriteteve greke, për të kërkuar prova rreth akuzave që ka ngritur PD për kryebashkiakun e Vorës. Mësohet se hetimet janë në proces e sipër, pasi Prokuroria, menjëherë pas marrjes së vendimit të vënë në dispozicion nga PD për shtetasin Jorgo Goro, që selia Blu pretendon se është i njëjti me Agim Kajmaku, ka nisur përkthimin e tij nga gjuha greke në shqip. Nëse akuzat e PD do të vërtetohen, Agim Kajmaku nuk rrezikon vetëm postim e kryetarit të bashkisë, por dhe burgun për shkak të mashtrimit në formularin e dekriminalizimit.

Dash Shehi: Kajmaku i Vorës do dalë si “kajmaku’ i Shkodrës

Akuzat e Partisë Demokratike, ndaj kryebashkiakut të sapozgjedhur të Vorës, Agim Kajmaku, për falsifikim parash në Greqi, ka sjellë edhe reagimin e aleatit të Bashës, Dashamir Shehi. Përmes një statusi në Facebook, Shehi tha se rasti i Vorës do të ketë të njëjtin përfundim me atë të Shkodrës, ku Valdrin Pjetri u detyrua të jap dorëheqjen pa u betuar ende. Madje kreu i LZHK-së, Shehi shton se po të kërkosh thellë do të dalin “kajmak” të tjerë përveç tyre. Për këtë fajin, e ka sistemi, që sipas Shehit favorizon batakçinjtë, të fortët dhe të pasurit.

“Këtë javë ja kemi dedikuar “Kajmakut” të Vorës, i cili sigurisht do të zbulohet gjatë javës, që ishte njëlloj si “Kajmaku” i Shkodrës dhe po ashtu jam i sigurt po të gërmosh ne listën e pushtetarëve socialistë, do të dalin dhe “Kajmakë” të tjerë. Mirëpo “Kajmaku” nuk është thjesht një individ (si “Kajmaku” ka me mijëra shqiptarë batakçinj që janë gati të grabisim çdo gjë publike që i del përpara). “Kajmaku” është një projekt politik, një filozofi drejtimi, një ide që po kthehet në praktikë në çdo hallkë të qeverisjes së Edi Ramës.”- shkruan Shehi, i cili shikon si zgjidhje të kësaj rrëzimin e këtij sistemi që të mund të krijohet një Shqipëri tjetër, më e mirë.

“ Me këtë mendësi sigurisht që nuk mund të bëhet shtet. Aq më pak, një shtet i mirë. Me këto mendësi dhe praktika, ndërtohen bandat, ndërtohen mafiet, ndërtohen organizatat kriminale. Fatkeqësisht kjo po ndodh në Shqipërinë tonë të vogël. Prandaj ne, njerëzit e opozitës gjykojmë, që nuk mjafton kallëzimi i “Kajmakëve”, por do rrëzuar i gjithë sistemi i Ramës, me atë ne krye, që të fillojmë dhe shpresojmë për një Shqipëri tjetër.” – shkruan Shehi

Partia Demokratike bëri publike të hënën dosjen greke ku është arrestuar dhe hetuar për falsifikim parash, Jorgo Toto, identiteti i rremë që Agim Kajmaku ka përdorur gjatë qëndrimit të tij në Greqi sipas demokratëve.

Kajmaku s’dorëhiqet: Të flasin autoritetet, PD ‘limon i shtrydhur’

Pas akuzave të bëra nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, që publikoi një vendim të prokurorisë së Janinës për dënimin e Agim Kajmakut, kryebashkiaku i Vorës ka bërë një reagim publik. Me anë të një shkrimi në rrjetet sociale, Kajmaku ka siguruar qytetarët e Vorës, se u qëndron pikë për pikë atyre që ka deklaruar në formularin e dekriminalizmit.

“Që pas marrjes së detyrës si kryetar i Bashkisë së Vorës, ata s’u përballen nga frika e humbjes së padiskutueshme, më janë vërsulur me tërbim! Por unë siguroj me bindje, në radhë të parë qytetarët e Vorës se i qëndroj pikë për pikë asaj që kam deklaruar edhe më herët lidhur për këtë sulm”, thotë Kajmaku.

Më tej ai sqaron se nuk është marrë kurrë me trafiq, duke u shprehur se emrin e ka ndryshuar si të gjithë shqiptarët në Greqi, për të përfituar lehtësira në këtë shtet, gjatë kohës që ka jetuar atje. Sipas Kajmakut, këtë gjë e kanë bërë shumë shqiptarë, ndërsa e cilëson Partinë Demokratike si ‘limon të shtrydhur’, që s`i duhet më asnjeriu.

“Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime. Kam qenë dhe jam punëtor e familjar. Kam punuar për të nxjerrë bukën e gojës në Shqipëri e në emigracion dhe emrin e kam ndryshuar si të gjithë shqiptarët, që të më jepej mundësia të rrija atje dhe punoja. Partia Demokratike po merret me limona dhe me mandarina emigrantësh shqiptarë, të cilët halli i ka shtyrë të punojnë në një vend të huaj! Ata bëjnë sikur nuk e dijnë se çfarë kanë hequr shqiptarët për të mbijetuar me emra e me mbiemra nga më të ndryshmit në Greqi. Në fakt PD është limoni i shtrydhur që s’i duhet më asnjeri”, është shprehur  Kajamku.

Në fund të reagimit të tij, Agim Kajmaku shkruan se janë autoritetet ato që do të thonë fjalën e tyre, ndërsa siguron qytetarët e Vorës, se sipas tij, do të jetë në çdo moment në krye të detyrës. “Le ta thonë autoritetet fjalën e tyre dhe të na falin qytetarët për këtë shqetësim.  Unë dua të siguroj qytetarët e Vorës se pavarësisht kësaj poshtërsie, jam dhe do të jem në çdo moment në krye të detyrës! Ju më besuat në 30 qershor për t’i ndryshuar faqen Vorës sonë dhe për t’a vënë bashkinë në shërbim të qytetarëve”, ka përfunduar Kajmaku.

Dosja greke për Kajmakun: Jorgo Toto u kap me dy të tjerë, me 4850 euro false

Jorgo Toto, që Partia Demokratike akuzon se është Agim Kajmaku, kryebashkiaku i Vorës, është arrestuar së bashku me dy shqiptarë të tjerë. Kështu thuhet në dokumentin që PD bëri publike, si provë për arrestimin e Agim Kajmakut në Greqi, por edhe në komunikatën e policisë greke të publikuar nga media Ekathimerini.

Të arrestuar së bashku me Jorgo Toto, personin që PD-ja pretendon se është Agim Kajmaku, janë arrestuar edhe dy shqiptarët Roland Biftari, 28 vjeç dhe Spiro Taho, 42 vjeç. Ato akuzohen për falsifikim parash në 2003, një krim që dënohet me 10 vite burg në Greqi, sipas Partisë Demokratike.

Sipas komunikatës së policisë greke, thuhet se Jorgo Toto së bashku me dy shqiptarët e tjerë u kapën në flagrancë duke përdorur 97 prerje false 50 euro për të blerë fidanë agrumesh në qytetin e Artës në Greqi.  Në dokument thuhet se vlera totale e paguar ishte 12 mijë euro dhe nga kjo shumë, 97 prerje 50 euro ose 4850 euro rezultuan të ishin të falsifikuara.

PD, gjatë një konferencë për shtyp, akuzoi Agim Kajmakun se në 2003 ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi dhe se është në ndjekej penale nga prokuroria greke, pasi masa e dhënë ndaj tij “arrest me burg” është e paekzekutuar.

Kajmaku i ka mohuar më herët këto akuza duke thënë se PD i referohet një tjetër personi, pasi identitet Jorgo Toto që ai ka përdorur ka atësi dhe mëmësi të emrave të prindërve të tij, Ymer dhe Maxhe, dhe jo Thanas dhe Parashivi siç pretendon PD.

PD nxjerr dokumentet: Kajmaku u arrestua në Greqi për falsifikim parash

Partia Demokratike ka publikuar të hënën dokumentin ku sipas saj akuzohet kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku për të veprën penale të falsifikimit të kartëmonedhave. Sipas PD, Agim Kajmaku është kapur në flagrancë gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera me para të falsifikuara.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se Kajmaku duke përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi, është në procedim penal në Greqi për falsifikim parash, një  krim që dënohet me 10 vite burg dhe dëmin që Kajmaku nuk e ka kryer sipas PD-së. Bardhi deklaron se Kajmaku nuk e ka kryer ende dënimin në Greqi, pasi ai është lënë fillimisht në masën “detyrim paraqitje” pas arrestimit në 2003. Pas ngritjes së akuzës për arrestimin tij, drejtësia greke e ka pasur të pamundur ta dënojë, pasi Kajmaku është larguar menjëherë nga territori grek drejt Shqipërisë, ka thënë Bardhi gjatë konferencë për shtyp.

Agim Kajmaku alias Jorgo Toto është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsifikuara”.  Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi. Pasi është marrë në pyetje nga hetuesi paraprak dhe ka qëndruar disa ditë në burg, oficeri i policisë gjyqësore ka vendosur që hetimet ndaj tij të zhvilloheshin nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, derisa çështja t’i përcillej prokurorisë dhe gjykatës. Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim. Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestin e tij të menjëhershëm për falsifikim parash, por vendimi nuk është ekzekutuar, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipëri. Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto në Agim Kajmaku.” – tha Bardhi duke shtuar se Kajmaku vijon të jetë në procedim penal në Greqi, pasi për shkak të krimit të rëndë, gjykata kërkon prezencën e tij për dhënien e akuzës. Për shkak të mungesës Gjykata ka pezulluar gjykimin e çështjes. Sipas PD Kajmaku ka një urdhër arrest me burg të pa ekzekutuar dhe nuk e ka marrë ende pafajësinë nga prokuroria greke.

Sipas ligjit grek në këtë lloj gjykimi, shtetasi duhet të jetë vetë prezent në gjykim, për shkak se bëhet fjalë për krime të rënda. Urdhri i arrestit të gjykatës greke nuk është ekzekutuar, pasi shtetasi Jorgo Toto nuk është gjendur në Greqi. Ai ka të pa ekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga Prokuroria greke. Pra, praktikisht është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi. Të gjitha këto të dhëna provojnë se Agim Kajmaku është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit.”- thotë Gazmend Bardhi gjatë deklaratës për mediat.

Këto akuza janë hedhur poshtë më herët nga vetë Agim Kajmaku, i cili përmes një statusi në facebook,  thotë se ai vërtet ka pasur në Greqi emrin Jorgo Toto dhe këtë e ka të deklaruar në formularin për dekriminalizimin, por atësia dhe mëmësia nuk kanë qenë të ndryshuara, por kanë qenë emrat e vërtet të prindërve pra atësia Ymer dhe mëmësia Maxhe, dhe jo Thanas dhe Parashivi siç pretendon PD.

Në lidhje me rastin Kajmaku, edhe Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një letërporosi për autoritet greke, për verifikimin dhe dhënien e informacionit si dhe ka kërkuar nga kryebashkiaku i Vorës dhënien e shenjave të gishtave në njësinë e dekriminalizimit.

Ky është rasti i dytë që Partia Demokratike akuzon kryebashkiakët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, pas atij të Shkodrës Valdrin Pjetri. PD “fundosi” Valdrin Pjetrin, për të cilin nxori dokumente, që tregonin se ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge. Pas dokumenteve të publikuara nga PD, Pjetri dha dorëheqjen nga detyra, për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.

Dënimi i Kajmakut, kërkohen shenjat e gishtave. Prokuroria, lëtërporosi në Greqi

Denoncimet e Partisë Demokratike lidhur verifikimin e të shkuarës së kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku dhe gënjimit të tij në plotësimin e formularit të dekriminalizimit, ka vënë në punë Prokurorinë e Përgjithshme.

Prokurori Arben Kraja ka nisur një letërporosi ditën e premte në Greqi për të marrë informacion mbi kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Prokuroria kërkon nga autoritetet greke të dhëna për Agim Kajmakun (Jorgo Toto) nëse është i dënuar në këtë shtet apo jo. Sipas prokurorisë, Njësia e Dekriminalizimit i ka kërkuar Agim Kajmakut që të depozitojë në policinë shkencore gjurmët e gishtave.

Prokuroria është vënë në lëvizje pas kërkesës që PD depozitoi për verifikim të Agim Kajmakut, pasi dyshohet se ai ka qenë i dënuar më parë në Greqi dhe se është dëbuar nga ky vend. Vetë Kajmaku i ka hedhur poshtë këto akuza duke i cilësuar si shpifje dhe sulme politike ndaj imazhit të tij.  Partia Demokratike ka deklaruar se do të nxjerrë edhe dokumente për dëbimin e Kajmakut nga Greqia.

Të njëjtën taktikë, PD ndoqi edhe Valdrin Pjetrin në Shkodër, i cili dha dorëheqjen pa u betuar si kryetar bashkie, pas publikimit të dokumenteve ku ishte dënuar në Itali.

Akuzat e PD, Prokuroria nis virifikimin për Kajmakun, letërporosi autoriteteve greke

Të premten ka mbrritur në Prokurorinë e Përgjithshme kërkesa e Partisë Demokratike, ku kërkohet hetimi mbi pastërtinë e figurës së kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Në kërkesën e PD-së, dyshohet se Kajmaku, i zgjedhur në krye të Bashkisë së Vorës, ka qenë i  dënuar vite më parë në Greqi, shtet, që sipas PD, e ka dëbuar më pas Kajmakun. Ndërkohë, Realstory.al, ka mësuar të premten nga një burim në Prokurorinë e Përgjithshme, se pas mbërritjes së kërkesës së bërë nga PD, sektori i Dekriminalizmit do të nis hetimin.

“Sot ka mbrritur kërkesa e PD në Prokurori. Dekriminalizimi do të nis hetimin”, shprehen burimet për Realstory.al nga Prokuroria e Përgjithshme. Hapi i parë i verifikimit do të jetë nisja e letërporosisë për autoritetet greke, të cilat do të vërtetojnë ose jo akuzat e ngritura nga PD, për dënimin e Kajmakut. Në bazë të përgjigjes që do të japin autoritetet greke, pritet të merret dhe vendimi për fatin e kryebashkiaku të ri të Vorës, nëse ai do të dalë i pastër, siç ka deklaruar, apo PD, si në rastin e Shkodrës, do të ketë të drejtë për dënimin e Kajmakut.

Megjithatë, ndryshe nga Valdrin Pjetri, që dha dorëheqjen dhe pranoi përfshirjen në një ngjarje në Itali, Agim Kajmaku është shprehur i bindur se nuk është dënuar ndonjëherë në Greqi. Ai ka sqaruar edhe çështjen e ndërrimit të emrit, që sipas tij ka qenë për arsye dokumentesh, ndërkohë që pas kthimit nga Greqia, Kajmaku është shprehur se ka udhëtuar shumë herë jashtë vendit në shtete të ndryshme të Europës për arsye të biznesit privat. /Realstory.al/

Kajmaku rrëzon PD: Po shpifni për të ndotur figurën time

Akuzat për dënim dhe dëbim nga shteti grek, kryebashkiaku i ri i Vorës i ka cilësuar false dhe shpifje për ta sulmuar atë politikisht. Agim Kajmaku tha se këto sulme janë të nxitura politikisht për ndotjen e figurës së kundërshtarit, por të akuzuarit do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe fton PD që t’i drejtohet drejtësisë me provat e pretenduara.

 “Sapo jam njohur me një tekst letre të publikuar nga PD, ku pretendohet se unë jam dënuar dhe dëbuar nga shteti grek. Me përgjegjësi ligjore dhe morale deklaroj se nuk jam dënuar dhe as jam dëbuar asnjëherë nga ndonjë shtet i BE, as nga Greqia. Ndërkohë që për vite të tëra kam qenë udhëtues i shpeshtë dhe korrekt në shumë vende të BE, për llogari të biznesit tim familjar. Autorët dhe akuzuesit publikë që shpifin ndaj personit tim, për një qëllim të vetëm, atë të ndotjes politike të kundërshtarit, do të vihen përballë drejtësisë dhe detyrimit të gjetjes së provave të pretenduara.”- u shpreh Kajmaku për News 24.

Gjatë të enjtes, Partia Demokratike tha se i është drejtuar prokurorisë për të verifikuar pastërtitë e figurës së Kajmakut, pasi ai preket nga ligji i dekriminalizimit. Sipas PD, kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ka qenë i arrestuar dhe dëbuar nga shteti grek dhe kjo është fshehur në deklarimin e formularin e dekriminalizimit. Si provë për këtë PD paraqiti sistemin TIMS ku për 12 vite, Kajmaku nuk ka shkelur më në shtetin grek, në të cilin ka jetuar për 5 vite.

“Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”,- argumenton PD në kërkesën për verifikimin e figurës së Agim Kajmakut.

PD, kërkesë prokurorisë për verifikim: Agim Kajmaku i Vorës, i arrestuar në Greqi

Pas Valdrin Pjetrit, Partia Demokratike akuzon kryebashkiakun e Vorës se ka qenë i arrestuar dhe i dëbuar nga Greqia. Për të vërtetuar këtë, PD i ka dërguar një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë sa më parë procesin e verifikimit të Kajmakut, bazuar në ligjin për dekriminalizimin.

Shkresa e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i është dërguar prokurorisë së përgjithshme dhe për dijeni ambasadës Amerikane në Tiranë, delegacionit të BE-së dhe të gjitha ambasadave të tjera të huaja.

PD pretendon se Kajmaku për 12 vite me radhë nuk ka udhëtuar drejt Greqisë, ndërkohë që ka jetuar atje me një emër tjetër, Jorgo Toro dhe ka qenë i arrestuar, fakt të cilin e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.

“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.

Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”,- argumenton PD në kërkesën për verifikimin e figurës së Agim Kajmakut, që mban.

Njësoj si në rastin e Valdrin Pjetrit, PD e ka shoqëruar kërkesën e saj me 500 firma qytetarësh.

“Nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, Partia Demokratike e Shqipërisë pret një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synimin që të arrihet qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit. Konkretisht, qëllimi i ligjit është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to të personave, të cilët janë dënuar për kryerjen të krimeve”, – thuhet në kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Publikimi më herët i dokumenteve nga PD që vërtetuan se Valdrin Pjetri i Shkodrës kishte qenë i dënuar disa vite më parë në Itali, bëri që Pjetri të dorëhiqej nga posti dhe të mos kryente betimin si kryebashkiak i Shkodrës, duke shkaktuar ngërç në drejtimin e kësaj bashkie. PD synon të shkarkojë edhe kreun e Bashkisë së Vorës, në rast se akuzat e saj rezultojnë të vërteta.

Rotacion pa incidente në Bashkinë Vorë, PS merr drejtimin pas 16 vitesh

Agim Kajmaku ka bërë betimin e tij si kryetari i ri i Bashkisë Vorës përpara këshillit të ri bashkiak, ku ceremonia e konstituimit u bë në ambientet e prefekturës së Tiranës. Më pas Kajmaku i është drejtuar Bashkisë Vorë, i cili u fut në zyrën e tij pa probleme dhe pa kundërshtime të kryetarit tashmë të larguar Fiqiri Ismaili, i cili vinte nga radhët e PD. Edhe pse Partia Demokratike kishte bërë thirrje që të mos liroheshin zyrat e bashkive, pasi zgjedhjet ishin të paligjshme, në fakt lirimi i tyre është bërë pa incidente.

 Fiqiri Ismaili, i cili drejtoi Bashkinë Vorë për 16 vite, ka bërë lirimin e zyrës së tij pa asnjë kundërshtim duke zhvilluar një rotacion të qetë të kryetarëve. Në ambientet rreth Bashkisë Vorë ka pasur disa mbështetës të opozitës, por që nuk kanë shkaktuar probleme apo incidente.

Agim Kajmaku mori mandatin e tij nga Gjykata Administrative, pasi gjykata e Tiranës e shpalli moskompetencë të saj. Kjo ndodhi pas një gabimi në fjalët e përdorur në shkresën për të marrë mandatin nga gjykata ku në vend të “vërtetim” ishte shkruajtur “verifikim”.

Tashmë Kajmaku do të qeverisë dhe menaxhojë Vorën për 4 vitet e ardhshme. Gjatë fjalës së tij, Agim Kajmaku u shpreh se do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve pavarësisht bindje politike që kanë.

Skip to toolbar