Dash Shehi: Kajmaku i Vorës do dalë si “kajmaku’ i Shkodrës

POLITIKË


Akuzat e Partisë Demokratike, ndaj kryebashkiakut të sapozgjedhur të Vorës, Agim Kajmaku, për falsifikim parash në Greqi, ka sjellë edhe reagimin e aleatit të Bashës, Dashamir Shehi. Përmes një statusi në Facebook, Shehi tha se rasti i Vorës do të ketë të njëjtin përfundim me atë të Shkodrës, ku Valdrin Pjetri u detyrua të jap dorëheqjen pa u betuar ende. Madje kreu i LZHK-së, Shehi shton se po të kërkosh thellë do të dalin “kajmak” të tjerë përveç tyre. Për këtë fajin, e ka sistemi, që sipas Shehit favorizon batakçinjtë, të fortët dhe të pasurit.

“Këtë javë ja kemi dedikuar “Kajmakut” të Vorës, i cili sigurisht do të zbulohet gjatë javës, që ishte njëlloj si “Kajmaku” i Shkodrës dhe po ashtu jam i sigurt po të gërmosh ne listën e pushtetarëve socialistë, do të dalin dhe “Kajmakë” të tjerë. Mirëpo “Kajmaku” nuk është thjesht një individ (si “Kajmaku” ka me mijëra shqiptarë batakçinj që janë gati të grabisim çdo gjë publike që i del përpara). “Kajmaku” është një projekt politik, një filozofi drejtimi, një ide që po kthehet në praktikë në çdo hallkë të qeverisjes së Edi Ramës.”- shkruan Shehi, i cili shikon si zgjidhje të kësaj rrëzimin e këtij sistemi që të mund të krijohet një Shqipëri tjetër, më e mirë.


“ Me këtë mendësi sigurisht që nuk mund të bëhet shtet. Aq më pak, një shtet i mirë. Me këto mendësi dhe praktika, ndërtohen bandat, ndërtohen mafiet, ndërtohen organizatat kriminale. Fatkeqësisht kjo po ndodh në Shqipërinë tonë të vogël. Prandaj ne, njerëzit e opozitës gjykojmë, që nuk mjafton kallëzimi i “Kajmakëve”, por do rrëzuar i gjithë sistemi i Ramës, me atë ne krye, që të fillojmë dhe shpresojmë për një Shqipëri tjetër.” – shkruan Shehi

Partia Demokratike bëri publike të hënën dosjen greke ku është arrestuar dhe hetuar për falsifikim parash, Jorgo Toto, identiteti i rremë që Agim Kajmaku ka përdorur gjatë qëndrimit të tij në Greqi sipas demokratëve.




Skip to toolbar