Kane kthehet për finalen e Champions-it, nëse Tottenham kalon Ajax-in!

Ky sezon nuk ka qenë shumë pozitiv për yllin e Tottenham dhe të Anglisë, Harry Kane. Sulmuesi i “Spurs”, ka pasur disa lëndime, që e kanë mbajtur për shumë kohë jashtë fushe.

I fundit ishte ai i shkaktuar në çerekfinalen e parë të Champions League në shtëpi ndaj Manchester Cityt, ku Kane u detyrua të largohet nga fusha e lojës me baterica.

Megjithatë, trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino beson se Kane do të kthehet të luajë së shpejti. Sipas Pochettinos, sulmuesi kryesor i ekipit do të jetë gati për finalen e Champions League, nëse Tottenham kalon Ajaxin në gjysmëfinale.

“Nëse më pyetni sot, zemra më thotë se Kane mund të jetë në dispozicion për finalen e Champions-it, – tha Pochettino. – E njoh mirë Harry, vendosmërinë e tij për të punuar dhe për t’u fokusuar, për t’u riaftësuar sa më parë. Sidoqoftë, nuk jam mjek. Kjo është vetëm ndjesia ime”.

“Mendoj se po bën mirë, por sot nuk mund të parashikoj gjithçka me saktësi. Rikuperimi po ecën shpejt, por gjithnjë momenti i fundit është situata më e vështirë, kur duhet të marrësh vendimin për të luajtur apo jo”.

Van Gal u thur elozhe “nipave të Cruyff”

Louis van Gal ka folur për faqen zyrtare te FIFA-s, ku veç të tjerave ka komentuar dhe suksesin e Ajax në Champions League. Legjenda holandeze e futbollit, ka folur me superlativa për futbollistët e rinj të ekipit nga kryeqyteti i holandës, që i dhanë leksione dy prej ekipeve pretendente këtë sezon në Champions.

Van Gal e ka drejtuar Ajax-in për 6 vite si trajner, ndërsa tani vlerëson ata që i cilëson si “nipa të Cruyff”, ish-legjendës tjetër të futbollit holandez.

“Futboll krijues, me një ekuilibër të mirë mes sulmit dhe mbrojtjes. Ky është Ajax-i aktual, që e tregoi veten qysh në ndeshjen kundër Bayern Munich, në grupe. E them me bindje, ky Ajax mund të shkojë deri në finale”.

Van Gaal ka folur edhe për sekretin kryesor, që e bën të tillë Ajax-in aktual, duke pasur parasysh pikat e referimit: De Jong dhe De Ligt. Ai nuk harron të kujtojë vitin 1995, kur skuadra holandeze humbi vetëm një ndeshje gjatë gjithë sezonit dhe u kurorëzua kampione Europe, pasi mundi Milanin në finale. Ishte vetë trajner i saj:

“Për mua ishte mjaft normale në atë kohë që t’iu jepja lojtarëve të rinj një shans, edhe pse trajnerët bëjnë shumë më pak tani në këtë drejtim. Eksperienca bën ndryshimin në futboll, por nëse janë mjaft të mirë, duhet të besosh edhe te të rinjtë, sepse të shpërblejnë”.

Në fund, Van Gaal foli edhe për Premier League dhe arsyen pse vendosi të trajnojë Manchester Unitedin, një ekip që holandezët e konsiderojnë “klubi më i mirë absolut në Angli”: “Mendova se do të përjetoja një eksperiencë të madhe në Angli, sidomos për shkak të atmosferës, të stadiumeve plot. Më pëlqen futbolli intensiv, me presion të madh. Kjo ishte edhe arsyeja pse zgjodha Manchester United, sepse është absolutisht klubi më i mirë në Angli”

Ajax shkëlqen me talentet dhe gjunjëzon Ronaldon (video)

Juventus është dorëzuar para talenteve të Ajax në shtëpi, duke u skualifkuar në çerekfinalen e Champions League. Skuadra e Allegrit nuk ka mundur të ruajë avantazhin që i dha Cristiano Ronaldo në minutën e 28` të takimit, duke u mundur me rezultatin 1-2 nga hollandezët, të cilët shkojnë në gjysmëfinale.

Vendasit e nisën më mirë ndeshjen duke kaluar të parët në avantazh me të përhershmin, Cristiano Ronaldo. Ky i fundit realizoi me kokë në minutën e 28` pas një goditje këndi, e shërbyer nga Pjanic.

Në fakt, pas goli arbitri u konsultua me teknologjinë (VAR-in), për të konfirmuar golin e portugezit pasi miqtë patën pretendime për një faull në zonë.

Mirëpo Ajax nuk dorëzohet dhe reagon menjëherë. Van de Beek realizon golin e barazimit, pasi merr një pasim brenda zonës, dhe përballë Sheznit realizon golin e barazimit. Ky gol krijon besim te skuadra mike, megjithëse pjesa e parë mbyllet në shifra të barabarta.

Në pjesën e dytë Ajax kërkon golin e fitores, ndërsa Juve vuan problemet në mbrojtje. Kështu do të shënohej dhe goli i dytë për miqtë, nga Matthijs de Ligt. Qendërmbrojtësi holandez realizon me kokë një gol spektakolar, pas një goditje këndi.

Kështu shifrat shkojnë në 1-2 për miqtë, të cilët kanë avantazhin e tre golave, pasi kanë në favor dhe golin e shënuar në ndeshjen e parë në shtëpi, që përfundoi barazim 1-1.

Fitorja e sotme i fut në histori talentet e skaudrës së Ajax, që këtë sezon të  Champions League kanë surprizuar këdo, madje duke lënë jashtë gjysmëfinales Cristiano Ronaldon, lojtarin që e ka fituar më shumë se kushdo Champions League në dekadën e fundit.

Champios, Ronaldo gati për Allegrin (video+foto)

Juventus ka mungesa të tjera si Giorgo Chiellini dhe Emre Can

Juventus është nisur drejt Amsterdamit këtë të martë, aty ku nesër do të përballet me Ajaxin në ndeshjen e parë çerekfinale të Champios League.

Skuadra e Massimiliano Allegrit vjen si favorite në këtë përballje, duke tentuar që këtë sezon të bëjë mrekullinë, pasi në ekip ka lojtarin më të mirë në botë, Cristiano Ronaldo.

Aellegri ka grumbulluar lojtarët të cilët do të ketë gati në sfidën e ditës së nesërme, ku mes tyre është padyshim i rikthyer CR7.

Portugezi ka kaluar dëmtimin që pati nga tërheqja muskulore, ndërsa do të jetë gati për trajnerin në këtë sfidë të të rëndësishme.

Mirëpo, në skuadër do të mungojnë dy futbollistë të tjerë të rëndësishëm. Giorgo Chiellini dhe Emre Can kanë mbetur jashtë. I pari ka pasur një problem muskulor, ndërsa Can ka ndrydhur kaviljen.

Dyshja do t’i bashkohet Martin Caceres dhe Juan Cuadrado-s në infermieri, megjithëse te bardhezinjtë janë rikthyer Mattia Perin, Barzagli dhe Douglas Costa.

Ky është grupi i lojtarëve të grumbulluar nga Massimiliano Allegri:

Szczesny, Perin, Pinsoglio; De Sciglio, Alex Sandro, Barzagli, Bonucci, Cancelo, Rugani, Spinazzola; Pjanic, Khedira, Matuidi, Bentancur, Nicolussi Caviglia; Ronaldo, Dybala, Costa, Mandzukic, Kean, Bernardeschi.

Ajax e Juve ndahen në paqe (video)

Ajax ka barazuar 1-1 me Juventusin në sfidën e parë çerekfinale të Champions League, e luajtur në Hollandë.

Cristiano Roanlado ka kaluar në avantazh Juventusin në minutën e 45` të takimit, pasi realizoi një gol spektakolar me kokë brenda zonës.

Ishte Cancelo ai që i dhuroi portugezit një asist të bukur, teksa CR7 futet në zonë dhe hidhet duke gjuajtur me kokë.

Mirëpo Ajax barazon me nisjen e pjesës së dytë të lojës me anë të Neres, që kap miqtë në befasi.

Sapo nis pjesa e dytë, Neres niset në krahun e djathtë drejt zonës kundërshtare. Mbrojtja mike tenton ta ndalë, por sulmuesi i Ajax gjuan me të djathtën duke e dërguar topin në shtyllën e dytë.

Kështu gjithçka vendoset në barazpeshë, paçka se të dyja skuadrat nuk pajtohen me rezultatin.

Skuadra e Ajax, pas shënimit të golit të barazimit, merr kontrollin e lojës në dorë, duke shkuar disa herë në zonën kundërshtare, por pa arritur të finalizojnë si duhet në portë.

De Ligt: Ronaldo është grabitqar në zonën e portës!

Matthijs De Ligt ka komentuar instiktin “grabitqar”  të Ronaldos në zonë. Pas barazimit 1-1, që Ajax mori ndaj Juventus në shtëpi, kapiteni i skuadrës holandeze ka folur për mediat vendase. Ai është shprehur se Ronaldo është një grabitqar në zonën e portës.

“Ishte një atmosferë e zjarrtë, që nga fillimi. Kishim disa shanse të shpejta, por për fat të keq u ndëshkuam pak para fundit të pjesës së parë.

Cilësia më e madhe e Ronaldos, përveç talentit të tij, është ajo prej “grabitqari” në zonën e portës. Ai sheh një mundësi, vetëm një boshllëk të vogël, dhe të ndëshkon. Ne e dinim se nuk mund të linim boshllëqe në pjesën e prapme, sepse një lojtar si Ronaldo nuk të fal. Në përgjithësi e kaluam mirë, ndërsa u përpoqëm të gjejmë hapësira në mbrojtjen e tyre.

Mendoj se kemi bërë mjaft mirë. Kemi një skuadër me shumë potencial dhe që tenton të shfaqet më e plotë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Punojmë shumë për njëri-tjetrin. Ne kemi dëshmuar se Ajax nuk është rastësisht në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Sigurisht, Juventusi është i fortë në shtëpi, të gjithë e dinë këtë, kështu që do të jetë e vështirë në ndeshjen e dytë”.

Skip to toolbar