Operacion policor në 3 qytete. Arrestohen disa persona, sekuestrohet drogë

Një operacion i madh policor është zhvilluar pasditen e të premtes në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit. Në fokus të këtij operacioni është goditja e një grupi kriminal që operon në trafikun e drogës.

Sipas Balkanweb, paraprakisht dyshohet se janë arrestuar disa persona. Gjithashtu, gjatë aksionit është sekuestruar dhe një sasi e madhe droge e llojit kanabis sativa, në formë çokollate.

Në prangat e policisë janë vënë të paktën 4 persona, ndërkohë që kontrollet për ndalimin e anëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal po vijojnë.

Operacioni është duke u zhvilluar pas disa muajsh hetimesh nga organet e drejtësisë shqiptare. Tirana, Durrësi dhe Fieri janë tre qytetet ku është zhvilluar operacioni.

Kokaina “lundron” nga Ekuadori në Durrës. Tre në pranga

Sipas mediave greke dhe ato vendase, raportohet se dy kontenierë, që dyshohet të jenë me drogë ndodhen prej një jave në portin e Durrësit, ndërsa në pranga kanë rënë 3 punonjës. Policia e Shtetit ende nuk ka një deklaratë zyrtare në lidhje me rastin. Sipas CNN grek, dy kontenierë me drogë janë pikasur nga policia greke në Portin e Pireut që kishin si destinacion portin e Durrësit. Në përpjekje për të zbuluar autorësinë dhe rrjetin e trafikimit të drogës, policia greke në bashkëpunim me atë shqiptare, ka kërkuar monitorimin e dy kontenierëve për të kapur personat që janë të përfshirë në të. CNN grek raporton se autoritetet greke sekuestruan rreth 46 kg drogë e llojit kokainë dhe më pas lejuan kalimin e kontenierëve drejt portit të Durrësit, duke njoftuar autoritetet shqiptare për monitorimin e tyre. Kontenierët u nisën nga Ekuadori me banane drejt Pireut dhe më pas drejt Durrësit.

Më 14 shtator kontenierët u nisën nga porti i Pireut dhe kanë mbërritur në Durrës më 17 shtator, që më pas u vendosën në zonën e lirë të portit. Ishin 3 persona që iu afruan njërit prej kontenierëve, por kur kuptuan se po monitoroheshin u larguan me shpejtësi. Po sipas CNN grek, Policia shqiptare ka identifikuar të tre personat, ku njëri është arrestuar dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerët.

Ndërsa Report Tv raporton se 3 personat që i janë afruar njërit prej kontenierëve janë ndaluar nga policia shqiptare. Të tre personat, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, janë punonjës të sigurisë portuale në Portin e Durrësit. Njëri prej tyre, shefi i turnit që merrej me kontrollin e kalimit të ngarkesave, ka qenë i pari që i është afruar dhe ka rënë në pranga. Më pas është bërë edhe arrestimi i dy të tjerëve. Sipas Report TV kontenierët ende nuk janë hapur nga policia shqiptare dhe pritet që ky operacion të finalizohet më 27 shtator, ku do të bëhet dhe verifikimi nëse në të ndodhet lëndë narkotike apo jo.  

Policia e Shtetit ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me rastin.

Skip to toolbar