Albin Kurti u pyet nga gazetari Sokol Balla në “Real Story”, se çfarë do të ndodhë me Gjykatën Speciale, tashmë që ai do të jetë Kryeministër i Kosovës. Më herët, Albin Kurti është shprehur kundër ngritjes së kësaj gjykate. Megjithatë, Kurti u shpreh se nuk mundet aktualisht shfuqizimi i kësaj gjykate, pasi duhen 2/3 e votave në Kuvend. “Gjykata speciale nuk zhbëhet dot pa 2/3 sepse me 2/3 është amanduar, Kushtetuta jonë me amandamentin e famshëm 24 me të cilën është hapur shtegu i themelimit të kësaj ngrehine, të cilën unë nuk e di sesi mund ta zhbëjmë kur nuk është bërë”, tha Kurti.
Më tej, Albin Kurti u shpreh se Kosovës nuk i nevojiten më gjykata “speciale” por gjykata normale. “Ne kemi nevojë për gjykata normale jo vetëm për një gjykatë speciale. Kishim gjykatën speciale të Unmikut, gjykatën speciale të EULEXIT. Mjaft më me këso specialesh, kjo është gjykatë me spec. Edhe unë mendoj që kemi nevojë për gjykata normale që gjykojnë edhe krimet e luftës edhe krimet e paqes, pavarësisht kush i ka bërë. Por dihet që më së shumti ka bërë shteti i Serbisë. Edhe kemi nevojë për prokurorë të guximshëm, edhe gjithashtu edhe për një prokurori të çliruar nga ekzekutivi, gjë që nuk e kemi parë deri më sot”, tha Kurti.
Sipas Albin Kurtit, Gjykatës
Speciale i frikësohen ata që kanë bërë korrupsion, dhe jo ata që kanë luftuar për
çlirimin e Kosovës. “Unë besoj që Gjykatës Speciale i friksohen ata që kanë më
shumë raste të korrupsionit sesa ata të cilët kanë luftuar. Se mos
harroni 20 mijë veteranëve të vërtetë që i ka Kosova, as 1 % nuk janë në
pushtet. Ne duhet t`i çlirojmë çlirimtarët nga pushtetarët veteranë të cilët në
emër të luftës sundojnë me paqen me resurset me lirinë edhe na e kanë pamundësuar
progresin, pra vetëm 1 % e veteranëve të luftëtarëve janë në pushtet. 99% edhe aty është i shtypur. Por gjykata
speciale për 4 vjet mos me ngrit asnjë aktakuzë për mua është një dështim
kolosal”, tha Kurti.
Sipas Albin Kurtit, Gjykata
Speciale u krijua për shkak të raportit të Dik Martit për trafikimin e
organeve. Ndërsa shtoi se autoritetet dështuan me mbrojtjen e dëshmitarëve. “Arsyeja
pse është insistuar për këtë gjykatë nga faktorët ndërkombëtarë formalisht është
raporti i Dik Martit, po kur se beson atë, ajo shtëpia e verdhë e trafikimi i
organeve ato janë për të bërë filma horror. Ama unë besoj se ka të bëjë me
diçka tjetër që është më e rëndësishme, e kjo është se faktorët ndërkombëtarë
besojnë, jo pa të drejtë, që kanë dështuar në mbrojtjen e dëshmitarëve”, tha
Kurti.
Albin Kurti foli për rastin e Astrit Deharit, një aktivist i Vetëvendosjes i cili vdiq në burg, ndërsa u tha se ai u vetëvra. Por Lëvizja Vetëvendosja ngriti akuza për rastin në fjalë, duke u shprehur se aktivisti i tyre u vra. “Unë besoj që aktivistin tonë Astrit Deharin e kanë mbytyr në burg. Ai ka vdekur në duart e shtetit dhe i pari i cili dha lajmin për vetëvrasje nuk ishte askush nga burgu por komandanti i stacionit së policisë në Prizren. Kjo është shumë e çuditshme, ai nuk ka qenë në duar të policisë, ai ka qenë në duar të drejtësisë. Shërbimi korrektues i Kosovës nuk shkon me Ministrinë e Punëve të Brendshme sikurse policia por shkon me Ministrinë e Drejtësisë”, tha ndër të tjera Kurti.
Albin Kurti u shpreh se ai do të synojë reformimin e sistemit të drejtësisë, duke kryer një proces Vettingu, ashtu siç ndodhi në Shqipëri. “Padyshim, sepse nuk kemi drejtësi të pavarur e të pa anshme. Këto tri shtylla të pushtetit në Republikën tonë janë vetëm dy. E nuk ka karrige me dy këmbë, minimalisht tri duhet ti kesh. Pra Ekzekutive, Legjislative dhe Gjyqësore. Gjyqësori nuk është pushteti i tretë në Kosovë, nuk është drejtësia pushteti i tretë në Kosovë dhe për ta bërë këtë duhet ta çlirojmë nga ekzekutimi. Kemi nevojë për proçes vettingu edhe ne në Kosovë, për një panel të tillë edhe me ndërkombëtarë të cilët i angazhojmë në mënyrë që njerëzit më profesionistë e më të ndershëm e më të guximshëm ti kemi prokurorë e gjykatës.”, tha Albin Kurti. /Realstory.al/.