Partitë serbe, gati të bashkëpunojnë me Kurtin

KOSOVA


Partitë serbe në Kosovë shprehen të gatshme të bashkëpunojnë me qeverinë e re që pritet të ndërtojë Albin Kurti. Gjatë një interviste për “Real Story”, Kurti është shprehur se serbët nuk i ka prioritet në formimin e qeverisë dhe nuk i ka të nevojshme votat e tyre për të qeverisur. Ai bëri të ditur se sipas Kushtetutës një ministri i takon komunitetit serb dhe për këtë pret numërimin e plotë të votave nga partitë e tjera serbe, duke mënjanuar idenë se do të bashkëpunonte me “Listën Serbe”. Për Kurtin, ajo e ka vendin në opozitë.

Duket se kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer aspak “Listës Serbe”, votat e të cilës në zgjedhjet e kaluar kanë qenë vendimtare në formimin e qeverisë. Igor Simiç, nënkryetar i Listës Serbe tha se subjekti i tij politik ka fituar zgjedhjet në vendet me shumicë serbe dhe  propozimi i anëtarëve për në qeveri ja jep Kushtetuta. Ai e cilësoi cinike faktin që Kurti, i cili fitoi 26 % të mbështetjes së popullsisë së tij të vërë në dyshim pozitat e Listës Serbe, e cila ka fituar 96 % të votave në komunitetin serb në Kosovë.


“Synimi për t’ia hequr të drejtat popullit serb dhe në vend të përfaqësuesve legal dhe legjitim në Qeveri, Prishtina të fusë serbë më të pranueshëm, është në kundërshtim me të gjitha aktet ligjore dhe me Kushtetutën, si dhe paraqet gabim të njëjtë, sikur se që e kanë bërë serbët në vitet ‘90, duke marrë në institucione shqiptarë të përshtatshëm. Ajo qeveri do të ishte jokushtetuese, si dhe një sjellje e tillë do të tregonte fytyrën e vërtetë të liderëve politikë. Është cinike që dikush që ka fituar 26 % të votave të bashkësisë së tij, të vë në pikëpyetje pozitën e Listës Serbe, e cila ka marrë 96 %  të votave të bashkësisë serbe. As neve nuk na pëlqejnë përkrahësit e idesë shqiptaro-madhe, por ne nuk mund të zgjedhim se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët, sepse për ketë vendosin fqinjë tanë shqiptarët”, tha Simiç.

Ndërsa partitë e tjera si “Partia e Pavarur Liberale” apo koalicionit “Liria”, janë shprehur të gatshme të bashkëpunojnë me Kurtin nëse kjo iu kërkohet.

Slobodan Petroviç nga “Partia e Pavarur Liberale”, i preferuari i Kurtit për sa i përket përfaqësuesve të serbëve, tha se është i hapur për çfarëdo lloj bashkëpunimi me qeverinë e ardhshme, e cila do të çonte drejt një jete më cilësore si të komunitetit serb, por edhe të gjithë qytetarëve tjerë të vendit. Ndërsa Nenad Rashiç, i listës së koalicionit “Liria” tha se është fat që qeveria e re po formohet nga dy persona (Kurti dhe Osmani) që  janë “plotësisht të panjollosur”, ndërsa nuk kurseu akuzat për “Listën Serbe” se deri më sot ka vepruar për interesa personale dhe jo të komunitetit serb.




Skip to toolbar