Votat “helm” të Serbisë, VV: Të hetohen, janë të paligjshme

Lëvizja Vetëvendosje reagoi të dielën pasdite në lidhje me helmimin e 26 personave, që shfaqën shqetësime shëndetësore pasi po numëronin zarfat e votave të ardhur nga Serbia. Në deklaratën për shtyp, Vetëvendosje kërkon nisjen e hetimit për zbardhjen e shkaqeve të helmimit. “Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë”, shkruhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Më tej, subjekti fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, shprehet se fletëvotimet nuk kanë ardhur me postë, siç e përcakton ligji, por janë sjellë nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Ndaj, Vetëvendosja kërkon që këto fletëvotimi të shpallen të paligjshme. “Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen”.

Në fund, Vetëvendosja bën thirrje për numërimin e vletëve të votimit të dërguara nga emigrantët që jetojnë jashtë vendit.  “Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata. Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar”, përfundon deklarata.

Si Albin Kurti sfidoi gjyqin serb në Beograd

Albin Kurti fitoi zgjedhjet të dielën më 6 tetor në Kosovë, duke i dhënë fund “opozitarizmit të përjetshëm” me Lëvizjen Vetëvendosje. Por, deri në mbërritjen e kësaj dite, Albin Kurti provoi disa herë burgun, ku padyshim vuajtjet më të mëdha janë ato në qelitë serbe. Danica Marinkoviq, gjyqtarja serbe, mes shumë shqiptarëve që dënoi, pasi nuk pranuan regjimin e Miloshevicit, ishte dhe Albin Kurti. Tashmë në pension, ajo është rrëfyer për një televizion në Beograd, duke treguar se si kishte dënuar Kryeministrin e ardhshëm të Kosovë, në vitin 1999, kur Kurti ishte pjesë e zyrës së UÇK-së në Prishtinë, që drejtohej nga Adem Demaçi.

Sipas gjyqtares serbe, Albin Kurti ishte “nacionalist ekstrem”, sa para gjykatës, kishte refuzuar shtetësinë dhe gjithçka tjetër serbe. “Gjatë marrjes së të dhënave personale kur është pyetur se shtetas i cilit vend është menjëherë kam ardhur në përfundim, se ai është nacionalist ekstrem, me nacionalitet më tha se është shqiptar,  e kur e pyeta se shtetas i cilit vend është tha i Republikës së Kosovës , pra atëherë as që ka ekzistuar Republika e Kosovës.  Ne i thamë se krahina e Kosovës është në kuadër të Serbisë, ai tha “jo” unë nuk e njoh shtetin serb, është shtet okupator, populli serb është okupator dhe unë jam shtetas i Republikës së Kosovës” ka thënë Marinoviq, raporton gazeta Expres.

Më tej, gjyqtarja serbe tregon edhe detaje të tjera, gjatë procesit të gjykimit të Albin Kurtit në vitin 1999. Sipas saj, Kurti i kërkoi që të mos shënonte “e ashtuquajtura UÇK”, pasi sipas tij, tregon Marinkoviq, për shqiptarët ajo ishte “ushtri e vërtetë çlirimtare”.  “Ai i është bashkuar UÇK’së në vitin 1998, dhe ai më tha mua mos gaboni ta shkruani e ashtuquajtura UÇK se për ne shqiparët UÇK është ushtri e vërtetë çlirimtare, e cila po lufton me policinë serbe për ta çliruar Kosovën që ta bëjmë shtetin e pavarur” shprehet Marinkoviq, e cila e dënoi Kurtin me 15 vjet.

Gjyqtarja serbe, që është autore e dënimit të shumë shqiptarëve, ish-anëtarëve të UÇK-së dhe lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, tashmë është në pension. Sipas Expres, ajo nuk ka përmendur rrahjen e Albin Kurtit, pas refuzimit për t`i njohur autoritetet serbe. Ngjarjen e rrëfen më pas lideri i Vetëvendosjes, i cili është shprehur se pas asaj ngjarje nuk ka mundur të ec për një javë.

Kurti sulmon Thaçin: Dialogun me Serbinë e drejtoj unë

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti shprehet i prerë dhe i vendosur që të udhëheq dialogun me Serbinë dhe të mos lejojë më Presidentin Thaçi të merret me këtë gjë. Kurti tha se do të krijojë një ekip negociator me Serbinë ku të marrë pjesë dhe opozita, por rolin e drejtuesit do e këtë vetë. Në lidhje me presidentin Thaçi, Albin Kurti nuk i kurseu sulmet dhe pakënaqësitë për idenë e tij për shkëmbimin e territoreve dhe tha se ky është problemi më i madh mes tyre, duke lënë të kuptohet madje ai do ta shkarkonte atë nga posti i presidentit, nëse do i kishte votat e duhura.

“Problemi më i madh që kemi me Presidentin, tani ta shohim pas vendosjes sonë si qeveri dhe fitores në zgjedhje, është sa i përket raporteve me Serbinë, sepse ka qenë fort problematik në këto dy vitet e fundit. Ai ka bërë diçka të paimagjinueshme për ne para 3 viteve, për shkak se në njërën anë ka pranuar që të bëjë një lloj shkëmbimi territorial me Serbinë. Ai e ka quajtur korrigjim i kufirit me kompromis të dhimbshëm, ku Veriu është dhuratë e Rankoviçit. Unë nuk do jem arrogant me opozitën, do krijoj një ekip negociator bashkë me opozitën nuk do lejoj që Serbia të na përçajë. Dialogun do ta drejtoj unë”,pohoi Kurti, duke shtuar se  presidenti Thaçi nuk do të ketë asnjë rol. Këtë dialog do ta udhëheq unë, presidenti do të jetë president. Ai është përfaqësuesi i politikës së jashtme por jo krijues i politikës së jashtme” – tha Kurti gjatë një interviste për emisionin “Opinion”.

Në lidhje me taksën vendosur Serbisë dhe rinisjen e dialogut, Kurti tha se duhet një dialog parimor që të mos dështojë dhe se taksën do e largojë duke e zëvendësuar me parimin e reciprociteti.

“Dialogu është ndërprerë unë jam për dialog parimor, mendoj që duhet ky dialog të jetë i përgatitur mirë dhe të mos dështojë. Jam i interesuar që taksën ta zëvendësoj me parimin e reciprocitete. Në të gjitha aspektet me Serbinë duhet të sillemi në mënyrë simetrike. Të njoh dokumentacionin e Kosovës, reciprociteti sa i përket të drejtave të autorit dhe investimeve”. tha Kurti

Akordi me Serbinë, shkëndija mes SHBA e Kurtit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi priti të mërkurën Richard Grenell, të dërguarin e posaçëm të Donald Trump për ndërmjetësimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Në një deklaratë për shtyp, publikuar nga presidenca e Kosovës, zbardhen detaje të takimit mes dy zyrtarëve të lartë. Sipas njoftimit, duke falënderuar ambasadorin Grenell për mbështetjen që SHBA i jep Kosovës, Thaçi citohet të jetë shprehur se: “që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën. Kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë”, thuhet në deklaratë.

 Në takimin mes dy zyrtarëve është diskutuar se “Marrëveshja e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, do t`i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit”. Ndërsa, ambasadori Richard Grenell citohet të jetë shprehur se “shpreson që Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje”, duke theksuar “se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vendoste themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve”, citohet nga deklarata. Në fund të deklaratës, citohet përsëri Presidenti Hashim Thaçi, i cili beson se “pjesëmarrja aktive e SHBA në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.

Pas takimit me Presidentin e Kosovës, Richard Grenell është takuar me Albin Kurtin, liderin e Vetëvendosjes, që u shpall fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovës. Por, nëse Hashim Thaçi e priti në zyrë Richard Grenell, i dërguari i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, zgjodhi që me Albin Kurtin takimi të mbahej në ambientet e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, ku i pranishëm ishte dhe ambasadori Philip Kosnett. Në njoftimin e Vetëvendosjes, thuhet se “Ambasadori Grenell fillimisht uroi udhëheqësit e Vetëvendosjes për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare të së dieles së 6 tetorit dhe dëshironte të dëgjonte mendimin e qëndrimin e tyre për mundësitë e një marrëveshje me Serbinë, para se ai të udhëtonte për Beograd. Z. Grenell theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare”, citohet nga deklarata.

Nga ana tjetër, Albin Kurti, sipas deklartës së Vetëvendosjes, është dakordësuar me ambasadorin e SHBA se “Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime nga jashtë”, por sipas liderit të Vetëvendosjes, ndryshe nga mendimi i Grenell, problemi “për këtë gjë është korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri, e cila tremb bizneset”, citohet ndër të tjera në deklaratë. Lidhur me dialogun me Serbinë, nga deklarata e bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, citohet vetëm një fjali, ku albin Kurti citohet të ketë thënë se “sa i përket dialogut me Serbinë, z. Kurti tha që përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të”, përfundon deklarata.

Mustafa do takojë Kurtin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa shprehet se do të takohet me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, për të diskutuar mundësinë e bashkëqeverisjes. Mustafa shprehet se në 6 tetor u ndëshkuan ata që qeverisën keq, ndërsa tani do të vijohet aty ku u la para zgjedhjeve, pra nisjen e negociatave për koalicionin paszgjedhor me Vetëvendosjen.

“Në zgjedhjet e 6 tetorit LDK mori përkrahje të gjerë nga qytetarët tanë. Qytetarët ndëshkuan ata që qeverisën keq. Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave. Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së”, shkruan Isa Mustafa.

Koalicioni parazgjedhor mes LDK-së dhe Vetëvendosjes nuk u arrit, pasi të dyja palët nuk ranë dakord për çështjen e Kryeministrit. Lidhja Demokratike erdhi me kandidaten për Kryeministre Vjosa Osmani, ndërsa Vetëvendosja me kryetarin e saj Albin Kurti. Megjithatë, Koordinatori i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, deklaroi të hënën në “Real Story”, se në diskutimet para fushatës elektorale ishte deklaruar se “partia që do të ketë shumicën e votave në zgjedhje, do të ketë dhe Kryeministrin”.

Deri më tani, me rezultatin paraprak të zgjedhjeve në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje është para LDK-së me vota, ndërsa Albin Kurti e tha prerë natën e shpalljes së fitores, se “unë do të jem Kryeministër”, megjithatë, i bëri ftesë publike LDK-së për të diskutuar mundësinë e bashkëqeverisjes. Ndërsa të martën, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) rrëzoi tre kërkesat e partive politike, LDK, PDK dhe Nisma për rinumërim të votave në Kosovë. Ndërkohë, Arbër Zaimi, në studion e “Real Story”, u shpreh se Vetëvendosja nuk negocion tre pozicione të rëndësishme, veç Kryeministrit dhe Ministrinë e Drejtësisë, Financave dhe atë të Punëve të Brendshme.

Kurti: Do heqim taksën për mallrat serbe, por me kushte

Fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Albin Kurti deklaroi se do heqë taksën e vendosur ndaj produkteve serbe dhe do punojë me ta për arritjen e një marrëveshje dhe fqinjësie të mirë. Kurti tha për gazetën austriake “Standard” se fqinjësia e mirë dhe njohja reciproke është e domosdoshme për integrimin në BE.

 ‘Ne do ta zëvendësojmë taksën me parimin e reciprocitetit. Për shembull, Beogradi duhet t’i pranojë targat tona dhe dokumentet, në të cilët shkruan Republika e Kosovës. Duam ta sqarojmë fatin e të zhdukurve, pavarësisht kombësisë, të gjinden edhe serbët edhe romët. Duhet të formohen ekipet e përbashkëta të hetuesve kosovarë, serbë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të analizonin varrezat masive. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme dhe se pa njohje të ndërsjellë nuk ka anëtarësim në BE.” tha Kurti.

Në lidhje me idenë e krijimit të “Shqipërisë së Madhe’, një ide e tij, Kurti nuk qëndroi kundër idesë, por tha se këtë do e vendosin vetë qytetarët, por që nuk do ndodhë së shpejti, duke e lënë si projekt të hapur.

Megjithatë, referendumi nuk lejohet, kështu që unë do ta respektoj Kushtetutën derisa një ditë të jemi në gjendje që ta ndryshojmë atë në mënyrë paqësore dhe demokratike. E kjo nuk pritet të ndodhë shpejt’, tha Kurti.

Ndërsa në një publikim në rrjetet sociale, drejtuar mbështetësve, Kurti shprehet se pas shpalljes së rezultatit, tashmë në Kosovë ka shpresë. “Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE! Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë”, u shpreh Kurti.

Sipas kreut të VV, qytetarët folën me votën e tyre, ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. “Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë. Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua”, u shpreh Kurti duke falënderuar votuesit.

“Vetëvendosja” fiton! Albin Kurti kryeministër, ftesë LDK-së për koalicion

Lëvizja Vetëvendosja me në krye Albin Kurtin kryeson zgjedhjet në Kosovë duke u bërë kështu kryeministri i ardhshëm i vendit. KQZ njofton se janë numëruar 95,79 % të votave, apo 2442 vendvotime nga 2547 që janë gjithsej.

Nga votat e numëruara kryeson LVV me 25,05%  ose 197,966 vota dhe më pas vjen LDK, me një rezultat të ngushtë 25,05%, apo 192,300 vota.

Në vend të tretë është renduar partia e Kadri Veselit PDK me 21.15 %  ose 162,342 vota. Ndërsa Ramush Haradinaj pësoi një humbje të thellë duke u rendur në vend të katër me 11,63% ose 89,287 vota nga koalicioni i AAK dhe PSD.

Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti ka pranuar rolin e tij si kryeministër i Kosovës, ndërsa deklaroi se do i bëj ftesë LDK-së për të krijuar koalicionin qeverisës. Gjatë fjalës së tij para mbështetëse dhe qytetarëve në sheshin e Prishtinës, Kurti premtoi se do krijoj një qeveri të qëndrueshme dhe do të mbajë të gjitha premtimet e dhëna. Kurti përgëzoi edhe rivalen  e tij, kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani për fushatën që ka bërë, dhe shtoi se ajo dha një model për shumë gra dhe vajza shqiptar.

Sigurisht se ne gjithmonë i kemi konsideruar LDK-në si partnerë në opozitë. Kemi bërë hapa të bashkërenduar. Fatkeqësisht nuk arritëm ta shndërrojmë në projekt të përbashkët si deshëm. Së bashku do t’i kemi 60 deputetë. Unë si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës preferoj një qeveri stabile dhe patjetër e shoh si partnerë LDK-në. Nesër do ta ftoj LDK-në për të krijuar koalicionin.”- tha Kurti.

Partië e tjera PDK dhe AAK pranuan humbjen dhe daljen e tyre në opozitë duke vlerësuar procesin e zgjedhjeve për frymën demokratike që mbajti.

Veseli pranoi humbjen dhe tha se “PDK ka një rol të ri pas 12-vjetësh atë të opozitës”, ndërsa Ramush Haradinaj u shpreh se “bëri mirë që dha dorëheqjen  dhe se vendimi i tij për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen, u vërtetua që ishte veprim i drejtë.”

Zgjedhjet demokratike në vend u vlerësuan si nga politikanët e Kosovës, duke e njohur si meritë të të gjithë partive, ashtu edhe nga ndërkombëtarët për mbarëvajtjen e një procesi të rregullt, të lirë dhe demokratik.

LDK refuzon Kurtin: Osmani kandidate për kryeministre, ndryshe jo koalicion

Letrës së Albin Kurtit ku propozonte që koalicioni parazgjedhor midis dy partive të mos ketë një kandidat për kryeministër, por ky post do përcaktohet pas zgjedhjeve në bazë të votave që do të marrin më 6 tetor,  nuk i është vonuar edhe përgjigja e LDK-së. Sërish përmes një letre publike,  Lidhja Demokratike e Kosovës e ka hedhur poshtë këtë mundësi.

LDK shprehet se ky propozim e dëmton seriozisht interesin e përbashkët dhe se gara kalon nga me të tjerët, në mes tyre. Osmani është zgjedhur në mënyrë unanime, shprehet LDK, ndërsa cilëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa orientim të qartë.

Në letër thuhet gjithashtu se LDK është e gatshme për koalicion me VV qoftë para apo pas zgjedhjeve, por vetëm me Vjosa Osmanin kryeministre.

LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet. Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndërmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.

Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.

LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerrë vendin nga izolimi.” shkruhet në letrën e LDK-së.

Afati i fundit i regjistrimit të koalicioneve në KQZ është të premten në mesnatë dhe deri tani, janë deklaruar zyrtarisht dy koalicione, AAK- PSD dhe Nisma Socialdemokrate-AKR.

Vjosa Osmani “pengesa” e koalicionit LDK-VV, Kurti i jep zgjidhjen Mustafës

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shprehur publikisht synimin për të bërë koalicion së bashku për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, por ajo që i ndan është posti i kryeministrit. LDK-ja ka zgjedhur si të tillë Vjosa Osmanin ndërsa Vetëvendosja e Albin Kurtit ka shprehur rezerva për këtë vendim pasi e ka konsideruar në një farë mënyrë sit ë nxituar dhe të pakonsultuar duke qenë se partitë e tyre janë në diskutime.

As LDK dhe as VV nuk pranojnë të tërhiqen nga marrja e kreut të ekzekutivit në rast se fitojnë zgjedhjet, por Albin Kurti i ka propozuar së fundmi një marrëveshje Isa Mustafës për të kaluar ngërçin. Përmes një letre dërguar kreut të LDK-së, Isa Mustafës, lideri i VV-së, Albin kurti propozon që koalicioni parazgjedhor midis dy partive të mos ketë një kandidat për kryeministër, por ky post do përcaktohet pas zgjedhjeve në bazë të votave që do të marrin më 6 tetor.

“Ne nuk mund t’ju nënshtrohemi vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të një partie tjetër. Ne jemi Lëvizja VETËVENDOSJE!. Kushtëzimet për kandidatin për kryeministër nuk mund t’i pranojmë.

Mirëpo, sot, duke pasur parasysh shansin unik për të hapur një kapitull të ri për shtetin tonë, ne propozojmë një alternativë të re për koalicionin tonë. Le të garojmë me një listë të përbashkët si LDK dhe LVV, pa kandidat të paradhënë e të njëanshëm për kryeministër, por le të bëhet ajo ose ai që fiton më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Pra, znj.Vjosa Osmani, ose, kandidati ynë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, varësisht cili merr më shumë vota.

Me këtë rast ne shprehim gatishmëri për një koncesion të madh: në listën zgjedhore nr.1 të jetë znj.Vjosa Osmani, kurse nr.2 kandidati ynë të cilin e vendos Këshilli ynë i Përgjithshëm (e të cilin për hir të korrektësisë ndaj bisedimeve tona ne ende nuk e kemi mbajtur). Numri 1 në listën garuese është bartës liste kurse numri 2 është përfaqësues i koalicionit.

Sot, le ta bëjmë këtë marrëveshje politike parimore e le ta dorëzojmë bashkë në KQZ. Në ditët në vijim e formojmë listën e plotë të kandidatëve dhe platformën tonë qeverisëse. Lista të jetë e baraspeshuar midis dy subjekteve ndërsa sipas numrit të deputetëve të fituar marrim përgjegjësitë në ekzekutivin e ardhshëm. Dallimet që kemi janë të vogla përballë sfidave që na presin.” shkruhet ndër të tjera në letër.

Kosova voton zgjedhjet e parakohshme më 6 tetor, dhe 30 gushti, të premten në mesnatë, është afati kushtetues për mbylljen e regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore.

Skip to toolbar