Presioni i aleatëve, Basha: Ndryshojmë sistemin (por pa Ramën)

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, foli në News 24 në emisionin “Kjo Javë”, duke komentuar disa nga çështjet thelbësore të krizës politike në vend. Basha u shpreh se nuk do të bëhet marrëveshje midis opozitës dhe Kryeministrit Edi Rama.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë më marrëveshje PS-PD. Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme në raport me integrimin europian, për kriminalizimin e vendit, për kapjen e shtetit, për shkatërrimin e zgjedhjeve, për mbrojtjen e bashkëpunëtorëve e tij në krime të shumta korrupsioni, vjedhje dhe të procesit zgjedhor”, u shpreh Basha. Më tej, Basha u shpreh se opozita do të rifillojë protestat si mjet për t`i bër presion qeverisë pas zgjidhjes së krizës, por pas 18 tetorit.

“Këtë po ju them, që protestat janë mjet për të arritur një qëllim dhe qëllimi që ne kemi është është t’u shërbejmë njërëzve, t’u shërbejmë qytetarëve për ta nxjerrë vendin nga kriza. Nxjerrja e vendit nga kriza do të vijë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura në një ditë me zgjedhjet legjitime  vendore, në kushte që garantojnë lirinë e votës dhe zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.

Kryedemokrati u shpreh se PD nuk tërhiqet nga kushet për Reformën Zgjedhore, duke i kërkuar qeverisë që të zbatojë planin e opozitës jashtëparlamentare. “Ka ardhur momenti të zbatojë këtë plan për nxjerrjen e vendit nga kriza, që është në fakt edhe plani i partnerëve tanë, i Bundestagut dhe i Bashkimit Europian.  Propozimin sa i përket reformës zgjdhore e ka mbi tavolinë ose përndryshe të hapë krahun”, tha Basha.

Më tej, Lulzim Basha, duke folur po për Reformën Zgjedhore, pranoi një propozim të aleatëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend. Sipas tij, qytetarët duhet të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre. “Unë besoj se qytetarët kanë te drejtë të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre, personalisht kam parashtruar disa herë idenë e një sistemi maxhoritar, qoftë edhe një sistemi kombëtar proporcional”, tha Basha.

Gjithashtu, ai propozoi ngritjen e një Senati, dhe reduktim të numrit aktual të deputetëve në Kuvend. “Personalisht besoj se në këtë fazë të demokracisë shqiptare kemi nevojë për një dhomë të dytë, për nje senat, një reduktim te numrit te deputetëve në dhomën deputetëve dhe një një senat, i cili të luajë rolin e nje hapi tjetër kontrolli dhe balance pushteti. Për të kufizuar pushtetin e ekzekutivit, për të kufizuar cirkun e shëmtuar që shpesh shohim në Parlament, ku legjislacioni kalon brenda natës për të favorizuar faktorë ekonomikë, oligarkë apo edhe banda kriminale me aministi”, shtoi Basha.

Bojkotuan zgjedhjet, S`ka më para për PD dhe aleatët

Bojkoti i zgjedhjeve dhe djegia e mandateve nga Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj, nuk ka vetëm pasoja politike. PD, LSI, PR, PAD, LZHK, PDK, PDIU dhe PBDNJ nuk do të marrin para nga buxheti i shtetit për zgjedhjet lokale të vitit 2023. Sipas Kodit zgjedhor, pika 87/3, për zgjedhjet e qeverisjes vendore si kriter për ndarjen e fondeve përdoret rezultati në shkallë vendi për këshillat vendorë, i shpallur nga KQZ për zgjedhjet paraardhëse.

Në këto kushte, në zgjedhjet e ardhshme lokale, partitë opozitare të sipërpërmendura nuk do të përfitojnë asnjë lekë nga buxheti i shtetit, për të përballuar shpenzimet e fushatës në zgjedhjet e vitit 2023. Megjithatë, këto parti nuk përjashtohen nga e drejta për të përfituar para për zgjedhjet parlamentar e të vitit 2021, pasi morën pjesë në zgjedhjet paraardhëse, të vitit 2017.

Gjithsesi, me anë të ligjit nr 8580, partitë politike në vend kanë të drejtë të përfitojnë para nga buxheti i shtetit edhe gjatë viteve jozgjedhore. 70% e këtij fondi që jepet nga buxheti i shtetit, shpërndahet sipas numrit të të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Gjithashtu, partitë opozitare që bojkotuan zgjedhjet e 30 qershorit, kanë të drejtë të mbajnë selitë e tyre të vendosura në ndërtesa publike, përcaktuar sipas ligjit 8580.  

Aleatët e kritikojnë në media, Basha u bën mbledhje në mes të natës

Fatmir Mediu, Agron Duka dhe Dashamir Shehi, por edhe Monika Kryemadhi, kanë dalë kundër Lulzim Bashës, kur vjen puna te dialogu me Edi Ramën. Katër aleatët kryesor të kryedemokratit janë shprehur vazhdimisht në media “se Basha duhet të ulet në tryezë me Ramën për të zgjidhur krizën”, ndërsa kanë shprehur edhe qëndrimin se do të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke u shprehur se “nuk ka pazare për zgjidhjen e krizës pa u larguar Rama”. Por, duket se Lulzim Basha nuk i ka kaluar pa vënë re deklaratat e aleatëve të tij, që i kanë “dezertuar” një e nga një. Ndaj, siç raportojnë disa media në vend, kryedemokrati ka thirrur në një mbledhje urgjente aleatët në selinë e PD-së, ku raportohet që tema e diskutimit të jenë zgjedhjet e 13 tetorit.

Por në fakt, zgjedhjet e 13 tetorit janë “nul” pasi dekreti për to është hedhur poshtë nga Kolegji Zgjedhor, që legjitimoi zgjedhjet e 30 qershorit, si procesin e vetëm ligjor të mbajtjes të zgjedhjeve lokale. Megjithatë, 13 tetori mund të jetë shqetësimi i fundit për Lulzim Bashën, për të cilin dozat e kritikës nga aleatët e tij janë shtuar.

Së fundit, të enjten, Fatmir Mediu u shpreh se “Basha bëri gabim që i liroi bashkitë e djathta në paqe”. Ndaj, kritikat dhe përçarja brenda opozitës mund të jenë arsyeja kryesore, që ka detyruar Lulzim Bashën të mbledhë me urgjencë aleatët në PD, vetëm një orë para mesnate.

Skip to toolbar