6 televizione ankohen tek AMA për Tv Klan, Abc News dhe Shijak Tv

Gjashtë media në vend, i kërkojnë Autoritetit të Mediave Audiovizive, që të urdhëroj TV Klan, ABC News dhe Shijak TV, fikjen e transmetimeve analoge. Në datën 1 tetor, AMA mbylli transmetimet analoge për qarkun e Tiranës dhe të Durrësit. Të gjitha kanalet televizive që transmetojnë në këto qaraqe, duhet të kalonin në transmetime dixhitale, pra qytetarët mund t`i shohin vetëm duke u pajisur me dekodera DVB/T2.

Megjithatë, nëse News 24, Vizion Plus, OraNews, Ora HD, Report Tv dhe Top Channel, respektuan vendimin e AMA-s për kalimin në transmetime dixhitale, TV Klan, ABC News dhe Shijak TV vijojnë ende transmetimet analoge. Kjo është arsyeja, që gjashtë media në kryeqytet me anë të një ankese “urgjent”, i kërkojnë këtij institucioni që tre mediat të fikin transmetimet analoge.

“Konstatohet me shqetësim, ashtu edhe si ju jeni në dijëni nga mbikëqyrja e OSHMA-ve në treg se operatorë të tjerë si Klan, Klan Plus, ABC News, Shijak TV etj nuk kanë respektuar këtë vendim dhe vazhdojnë të transmetojnë përveç në dixhitale edhe në sinjal analog në qarqet Tiranë dhe Durrës. Ky transmetim po bëhet në kundërshtim me vendimin tuaj, dhe për më tepër, ka krijuar pabarazi dhe deformim të konkurencës në treg” thuhet në letrën dërguar AMA-s.

Më tej, mediat shtojnë:  “Kërkojmë nga strukturat e AMA-s që të ndërmarrin masat e duhura operacionale dhe ligjore, për të detyruar këta operatorë të zbatojnë ligjin dhe të mos prishin ekuilibrat e tregut kaq sensibël si ai i mediave, duke mos u bërë palë me shkaktuesit e shkeljeve” përfundon letra e operatorët televizive, që e kanë respektuar ligjin për fikjen e sinjal analog.

AMA fik sinjalin për Tiranën dhe Durrësin, opozita: Antikushtetuese

Sinjali analog do të fiket përgjithmonë në qarkun Tiranës dhe Durrësit më 1 Tetor 2019. Autoriteti i Mediave Audiovizive vendosi se për këto dy qarqe, një pjesë e mirë e popullsisë është e pajisur me dekodera dhe se në treg ka numër më se të mjaftueshëm dekoderash, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të tjerë të pa pajisur ende.

Gjithashtu AMA ka sqaruara se në ndihmë të shtresave në nevojë, qeveria ka shpërndarë 88 mijë dekodera falas për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Shkëputja e sinjalit analog është shoqëruar me një fushatë informimi të publikut për thuajse një vit, në mënyrë që të përgatiteshin për fikjen e këtij sinjali përgjithmonë.

Ndërsa për opozitën fiksja e sinjalit analog është antikushtetues dhe shkelje e të drejtës kushtetuese për informim të qytetarëve. Ish deputetja Albana Vokshi tha nga kuvendim i AMA-s 300 mijë shqiptarë të varfër mbeten pa të drejtë informimi, pasi nuk kanë mundësi të blejnë një dekoder, ndërsa mbyllen dhe 36 televizione private, në pamundësi të përballojnë kostot e larta financiare për të kaluar transmetimet e tyre në valët dixhitale

“Vendimi i sotëm i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMAs) për mbylljen e transmetimeve analoge në Qarkun Tiranë dhe Durrës, është një akt i pashembullt i shkeljes të së drejtës kushtetuese për informim të qytetarëve nga Autoriteti i Medias. Nga ky vendim antikushtetues i AMA-s preket e drejta kushtetuese e mbi 300 mijë shqiptarë të varfër (vetëm në Tiranë, Durrës e Vlorë), të cilët nuk kanë asnjë mundësi të blejnë një dekoder. Vendimi mbyll 36 televizione lokale private, të cilët për shkak se nuk mund përballojnë kostot e larta financiare per të kaluar transmetimet e tyre në valët dixhitale të Radio Televizionit Shqiptar janë të detyruara të mbyllen.” tha Vokshi.

Skip to toolbar