Boris Johnson u
shpall të martën fitues i garës brenda udhëheqjes konservatore britanike, për
të zëvendësuar zonjën Theresa May. Kjo i hap atij rrugën të ftohet nga
Mbretëresha të mërkurën për t’u bërë kryeministër i ri i vendit. Ish-gazetari
ambicioz dhe ish-kryebashkiaku i Londrës kishte pritur gjithë jetën e tij
politike për të marrë postin më të laertë, por për të nuk do të ketë muaj
mjalti dhe pozita e tij është tani në tehun e thikës. Nëse i bën gjërat gabim,
ai mund të thyejë rekordin e Lordit Rockingham në vitin 1782, i cili qëndroi
vetëm 96 ditë në Downing Street, duke u bërë kryeministri më jetëshkurtër i
Britanisë.
Rebelët në partinë
e tij, të udhëhequr nga sekretari i thesarit që po largohet, Philip Hammond, e
kanë bërë të qartë se nëse ai përpiqet ta nxjerrë Britaninë nga Bashkimi
Evropian pa një marrëveshje me Brukselin, ata do të votojnë me partitë
opozitare për të rrëzuar qeverinë. Kjo do të shkaktonte zgjedhje të parakohshme
që konservatorët nuk do të kishin gjasa t’i fitonin.
Me premtimin e
zotit Johnson për ta nxjerrë Britaninë “me hir a me pahir” nga BE-ja më 31
tetor, gjërat mund të komplikohen. Alan Duncan u largua si ministër për të
nisur një përpjekje që ta detyronte kreun e ri të paertisë të përballet me një
votë besimi në Dhomën e Komuneve edhe para se të ftohet nga mbretëresha për të
hyrë në Downing Street si kryeministër.
Kryetarja e Dhomës
i bllokoi përpjekjet e zotit Duncan. Vetëm një pjesë e vogël e ligjvënësve
konservatorë pro-BE-së do të mund të përbënin shqetësim për zotin Boris
Johnson. Rreth 12 ministra pritet të largohen nga kabineti, përpara se ai të
bëhet kryeministër.
Konservatorët po
qeverisin si qeveri e pakicës dhe janë të varur nga një parti nazike,
Unionistët e Irlandës së Veriut, që u japin atyre shumicën prej vetëm dy
vendesh më shumë në Dhomën e Komuneve. Kjo mund të reduktohet në vetëm një vend
më shumë, nëse një ligjvënës konservator shpallet fajtor për vepra seksuale në
një gjyq të pritshëm.
Boris Johnson
përballet me të njëjtën dilemë parlamentare që rrëzoi udhëheqjen e paraardhëses
së tij, Theresa May, një parlament të bllokuar. Vetë zonja May paralajmëroi
kohët e fundit se pasardhësi i saj do të përballet me të njëjtën aritmetikë të
vështirë parlamentare. Por, disa thonë se ai do të përballet me një matematikë
edhe më të ashpër. Zoti Johnson tha se ishte një “nder dhe privilegj i
jashtëzakonshëm” për t’u zgjedhur udhëheqës, dhe ai premtoi se do të
“mobilizojë vendin”. “Fushata ka mbaruar dhe puna fillon,”
tha ai. Gjatë gjithë fushatës së tij ai sulmoi “pesimistët” që ulnin
Britaninë dhe vuri në shënjestër atë që ai e quajti një ndjenjë disfatizmi./VOA/