Arbër Zaimi, Koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, u shpreh në “Real Story” se janë tre drejtime, të cilat janë shtyllat e programit qeverisës të LVV dhe që duhet të drejtohen nga kryeministri, duke treguar kështu edhe faktin se përse posti i kryeministrit nuk është i negociueshëm. Sipas Zaimit, tre shtyllat kryesore të Vetëvendosjes janë politika fiskale, antikorrupsioni dhe drejtësia, duke nënkuptuar Ministrinë e Financave, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. “Të tre këto funksione duhet të jenë nën drejtimin e kryeministrit, pasi ai ka peshën kryesore të qeverisjes. Prandaj kjo nuk mund të negociohet”, deklaroi Zaimi, ndërsa komentoi negociatat me LDK si para procesit zgjedhor, ashtu edhe për ftesën që drejtuesi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë menjëherë pasi fitoi zgjedhjet.
Po ashtu, Zaimi ka krahasuar
edhe situatën politike të Kosovës me atë të Shqipërisë. “Shqipëria duhet të
marrë shembull nga Kosova, në lidhje me organizimin e zgjedhjeve. Prej 2010
jemi përpjekur të mbrojmë votën, jo vetëm tonën por të gjithë qytetarëve. Në
Shqipëri nuk është fatale situata, por ekziston mundësia për të marrë
shembullin e Kosovës”, tha Zaimi.
Sipas tij, vota e
emigrantëve ishte vendimtare në ndryshimin politikë në Kosovë. “Një faktor që
bëri ndryshimin është vota e diasporës. Janë mbi 12 mijë zarfa, ka pasur një
ardhje masive e mërgatës për të votuar në Kosovë. Votat me postë do tregojnë
një rezultat më komod kur të numërohen. Angazhimi i mërgatës për të ndryshuar
Kosovën ka qenë pozitiv. Diaspora gëzon fatmirësisht një liri më të madhe se
ata që mbeten në vend. Ajo që ndryshoi ishte, veç kulturës dhe pjekurisë
demokratike, ndryshoi organizimi demokratik i qytetarëve, thirrja e mërgatës,
thirrja e të rinjve. VV ka prirë bindshëm për votuesit e të rinjve”, tha Zaimi.
Gjithashtu, ai foli
edhe për linjën e kuqe që nuk mund të preket gjatë negociatave me LDK-në. “Ne
kemi një kriter, mbajtjen larg pozitave zyrtare të personave me të shkuar
kriminale. LDK tha që kryeministri t`i takojë fituesit dhe tani mbetemi në ato
terma, kryeministri t’i takojë fituesit. Lufta kundër korrupsionit do t`i
takojë partisë që nuk ka qenë asnjëherë në pushtet. Ne kemi një plan për
procesin e Vettingut për reformimin e drejtësisë”, tha Zaimi. Megjithatë, ai la
të kuptohet se Vetëvendosja do të jetë gati të ofrojë poste të tjera, duke nisur
nga ajo e Ministrit të Jashtëm apo Presidentit në të ardhmen, të cilat janë artikuluar
gjatë fushatës së shkurtër zgjedhore. Madje, këto drejtime që duhet të jenë në
dorën e Kryeministrit, bëri që të mos arrihej koalicioni parazgjedhor.
Por, duke vlerësuar
qëndrimin e Vetëvendosjes, por edhe rezultatin tejet të ngushtë të dy partive
opozitare që fituan zgjedhjet, analistët në Real Story të Sokol Ballës, i
shikojnë të vështira këto negociata.
Ish-ambasadori
shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Agim Çejku deklaroi se i shikon negociatat e
vështira. “Unë personalisht mendoj se negociatat nuk do jenë të lehta. VV nuk
ka eksperiencën e duhur. Edhe LDK është një parti thuajse e para. Kjo e bën të
vështirë negociatën. LDK ka bërë më herët marrëveshje me PDK, ka program etj.
Ndërsa Vetëvendosja për herë të parë bisedon për të ndarë pushtetin dhe aty
fillon fërkimi e përplasja. VV duhet të jetë e përgatitur të mos përçahet”, tha
Çejku.
Kurse diplomati
Bashkurti tha se nuk i shikon aspak të vështira bisedimet mes Vetëvendosjes dhe
Lidhjes Demokratike të Kosovës, për shkak se këto dy parti përafrohen në shumë
pika. “Unë mendoj sesi Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë persona të
mentalitetit qytetar dhe udhëhiqen nga principe. Nuk besoj se do jenë të
vështira negociatat, sepse Kosova nuk ka luksin të ketë një qeverisje me bazë
të gjerë. Unë mendoj se palët do të merren vesh. Mendoj se kanë agjendë të
përbashkët dhe qasjen ndaj problematikave e kanë të përafërt”, tha Bashkurti. /Realstory.al/