Negociatat me LDK, Zaimi: Tre funksionet që nuk lëshojmë

#NËRADAR


Arbër Zaimi, Koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, u shpreh në “Real Story” se janë tre drejtime, të cilat janë shtyllat e programit qeverisës të LVV dhe që duhet të drejtohen nga kryeministri, duke treguar kështu edhe faktin se përse posti i kryeministrit nuk është i negociueshëm. Sipas Zaimit, tre shtyllat kryesore të Vetëvendosjes janë politika fiskale, antikorrupsioni dhe drejtësia, duke nënkuptuar Ministrinë e Financave, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. “Të tre këto funksione duhet të jenë nën drejtimin e kryeministrit, pasi ai ka peshën kryesore të qeverisjes. Prandaj kjo nuk mund të negociohet”, deklaroi Zaimi, ndërsa komentoi negociatat me LDK si para procesit zgjedhor, ashtu edhe për ftesën që drejtuesi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë menjëherë pasi fitoi zgjedhjet.

Po ashtu, Zaimi ka krahasuar edhe situatën politike të Kosovës me atë të Shqipërisë. “Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova, në lidhje me organizimin e zgjedhjeve. Prej 2010 jemi përpjekur të mbrojmë votën, jo vetëm tonën por të gjithë qytetarëve. Në Shqipëri nuk është fatale situata, por ekziston mundësia për të marrë shembullin e Kosovës”, tha Zaimi.


Sipas tij, vota e emigrantëve ishte vendimtare në ndryshimin politikë në Kosovë. “Një faktor që bëri ndryshimin është vota e diasporës. Janë mbi 12 mijë zarfa, ka pasur një ardhje masive e mërgatës për të votuar në Kosovë. Votat me postë do tregojnë një rezultat më komod kur të numërohen. Angazhimi i mërgatës për të ndryshuar Kosovën ka qenë pozitiv. Diaspora gëzon fatmirësisht një liri më të madhe se ata që mbeten në vend. Ajo që ndryshoi ishte, veç kulturës dhe pjekurisë demokratike, ndryshoi organizimi demokratik i qytetarëve, thirrja e mërgatës, thirrja e të rinjve. VV ka prirë bindshëm për votuesit e të rinjve”, tha Zaimi.

Gjithashtu, ai foli edhe për linjën e kuqe që nuk mund të preket gjatë negociatave me LDK-në. “Ne kemi një kriter, mbajtjen larg pozitave zyrtare të personave me të shkuar kriminale. LDK tha që kryeministri t`i takojë fituesit dhe tani mbetemi në ato terma, kryeministri t’i takojë fituesit. Lufta kundër korrupsionit do t`i takojë partisë që nuk ka qenë asnjëherë në pushtet. Ne kemi një plan për procesin e Vettingut për reformimin e drejtësisë”, tha Zaimi. Megjithatë, ai la të kuptohet se Vetëvendosja do të jetë gati të ofrojë poste të tjera, duke nisur nga ajo e Ministrit të Jashtëm apo Presidentit në të ardhmen, të cilat janë artikuluar gjatë fushatës së shkurtër zgjedhore. Madje, këto drejtime që duhet të jenë në dorën e Kryeministrit, bëri që të mos arrihej koalicioni parazgjedhor.

Por, duke vlerësuar qëndrimin e Vetëvendosjes, por edhe rezultatin tejet të ngushtë të dy partive opozitare që fituan zgjedhjet, analistët në Real Story të Sokol Ballës, i shikojnë të vështira këto negociata.

Ish-ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Agim Çejku deklaroi se i shikon negociatat e vështira. “Unë personalisht mendoj se negociatat nuk do jenë të lehta. VV nuk ka eksperiencën e duhur. Edhe LDK është një parti thuajse e para. Kjo e bën të vështirë negociatën. LDK ka bërë më herët marrëveshje me PDK, ka program etj. Ndërsa Vetëvendosja për herë të parë bisedon për të ndarë pushtetin dhe aty fillon fërkimi e përplasja. VV duhet të jetë e përgatitur të mos përçahet”, tha Çejku.

Kurse diplomati Bashkurti tha se nuk i shikon aspak të vështira bisedimet mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për shkak se këto dy parti përafrohen në shumë pika. “Unë mendoj sesi Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë persona të mentalitetit qytetar dhe udhëhiqen nga principe. Nuk besoj se do jenë të vështira negociatat, sepse Kosova nuk ka luksin të ketë një qeverisje me bazë të gjerë. Unë mendoj se palët do të merren vesh. Mendoj se kanë agjendë të përbashkët dhe qasjen ndaj problematikave e kanë të përafërt”, tha Bashkurti. /Realstory.al/




Skip to toolbar