Ardian Ismajli ishte përzgjedhur nga mediat kroate si pjesë e formacionit të vitit në Kroaci. Qendërmbrojtësi i kombtares shqiptare, që aktivizohet me Hajduk Splitin, ka bërë një sezon të shkëlqyer, aq sa i vlejti për një ftesë edhe në kombëtaren kuqezi. Nga grumbullimi i kësaj të fundit, ai ka folur këtë të mërkurë në konferencë për shtyp. Ismajli ka komentuar fillimisht lajmin e mediave kroate.
“Jam i kënaqur nga paraqitjet personale në nivel klubi dhe me kombëtaren. Kjo, edhe falë mikpritjes së lojtarëve këtu. Më kanë mbeshtetur shumë, ndaj iu them faleminderit të gjithëve. Shpresoj t’ua kem shpërblyer në fushë, sa herë kam luajtur”.
Më pas, 22-vjeçari ka folur për situatën në kombëtare, duke u shprehur se pavarësisht ndërrimit të trajnerëve, në ekip duhet të ketë harmoni. “Nuk e di, nëse do të ketë ndryshime, por ekipi ka nevojë për harmoni. Megjithatë, gjërat i di më mirë trajneri i ri”, ka thën Ismajli.
Më herët ai ishte pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës, ndërsa vendosi që të zgjidhte Shqipërinë për të luajtur me kombëtaren e parë. Nuk ka pendesë për këtë lëvizje nga mbrojtësi. “Unë kam luajtur më parë me Kosovën, por kam zgjedhur Shqipërinë Nuk kam asnjë pendesë për këtë lëvizje. Kosova po paraqitet vërtet mirë, ndaj iu uroj suksese shokëve të mi atje. Shqipëria po kalon ngërçet e veta, por do t’i kalojë shumë shpejt ato dhe do të ngjitet ku i takon”.
Në fund ai ka folur dhe për merkaton, duke deklaruar se është duke vlerësuar ofertat, ndërsa për momentin është i fokusuar te kombëtarja, ky synon fitoren me Islandën. “Nëse marrim tri pikë ndaj Islandës, gjithçka mund të ndodhë. Pastaj presim Moldavinë në shtëpi dhe, pa e nënvlerësuar atë, kemi shanse për tri pikë të tjera. Pra, ngjitemi në kuotën e 9 pikëve. Le të mendojmë për Islandën për momentin, si t’i kundërvihemi asaj. Ne shkojmë me optimizëm në këtë transfertë”.