Ismajli e Uzuni përzgjidhen në formacionin e vitit në Kroaci

KOMBËTARE


Media sportive “24sata.hr” në Kroaci ka përzgjedhur 11-të lojtarët më të mirë të sezonit në Kroaci. Dy prej lojtarëve, në 11-shen e përzgjedhur nga media kroate, janë pikërisht dy futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit, Ardian Ismajli dhe Myrto Uzuni. Ismajli është aktivizuar këtë sezon me ekipin e parë të Hajduk Splitit, duke bërë ndeshje të shkëlqyera me klubin, që tashmë siguroi pjesëmarrjen në Europa League sezonin e ardhshëm.

“Ardian Ismajli është në Kroaci që nga viti 2016, por vetëm këtë sezon ka shkëlqyer. Ai është fizikisht i patëmetë, ka formën më të mirë në ligë, është i pakalueshëm në duel, nuk e ka të vështirë në lojën një për një. Ismajli ka luajtur 20 ndeshje me Hajdukun këtë sezon, duke marrë 9 kartonë të verdhë”.


“Kjo është e vetmja e metë që ka. Ai pritet të ketë një rritje të vlerës së kartonit të tij, teksa për Ismajlin gjatë merkatos së dimrit pati një interesim nga Atalanta, por në verë mund të ketë shumë klube të interesuara”, shkruan gazeta kroate për qendërmbrojtësin e kombëtares shqiptare.  

Për Myrto Uzunin, mesfushorin trekuartist që kaloi verën e kaluar nga Laçi te Lokomotiva e Zagrebit, “24sata.hr”, shkruan se ai tregoi se ishte një goditje në merkato. “Për sulmuesin, Lokomotiva ka paguar rreth 350 mijë euro. Ai erdhi nga kampionati shqiptar, Laçi, dhe Besnik Prenga doli garant për të”.

“Ai provoi se ishte një goditje në merkato, duke funksionuar në mënyrë ideale me Dejan Radonjiqin. Ndeshjet fantastike me Lokomotivën, bën që Uzunit t`i vinte ftesa nga kombëtarja e Shqipërisë, ekip me të cilin deri tani ka luajtur pesë ndeshje. Me Lokomotivën ai ka luajtur 29 ndeshje dhe ka shënuar shtatë gola dhe asistuar tetë të tjerë”.




Skip to toolbar