Në Lezhë është bërë arrestimi i një tjetër personi
në flagrancë, po për armë mbajtje pa leje. Sipas Policisë së Shtetasit, në
pranga është vënë një shteas, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, vetëm inicialet
A.P., 49 vjeç. Ky shtetas, në gjendje të dehur në fshatin Rraboshtë në Lezhë, mbrëmjen
e të hënës ka qëlluar në ajër me armë zjarri në oborrin e banesës së tij.
Të tmerruar nga breshëritë e plumbave, banorë
të fshatit kanë lajmëruar policinë e shtetit, e cila ka shkuar në vendngjarje duke
bërë arrestimin në flagrancë të personit që kishte qëlluar me armë. Gjatë kontrolleve
në banesë, këtij shtetasi i janë sekuestruar 2 armë zjarri automatike (automatik
model MP-40 dhe Pushkë model 63), si dhe një granatë dore ofensive.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë
së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale
“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe
“Prishja e qetësisë publike”. parashikuar nga neni 278 dhe 274 të Kodit
Penal.
Policia e Shkodrës ka arrestuar në flagrancë
një person që qarkullonte në rrugë me armë zjarri pa leje. Sipas një njoftimi
zyrtar nga Policia e Shtetit, këtë të martë është bërë arrestimi i një personi
25 vjeç, emri i të cilit nuk jepet, vetëm me inicialet L.M., banues në Shkodër,
i cili është kapur teksa qarkullonte në rrugë me armë zjarri pa pasur leje. Kanë
qenë forcat “Shqiponja” ato që kanë bërë zbulimin dhe më pas arrestimin e këtij
personi, pas informacioneve të marra në rrugë operacionale. Arrestimi i këtij shtetasi
u bë gjatë kohës që udhëtonte me motorr.
Forcat “Shqiponja” e kanë ndaluar dhe gjatë
kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit “TT”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit
Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve,
armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.