Tmerron banorët me breshëri automatiku në gjendje të dehur, arrestohet 49 vjeçari në Lezhë

AKTUALITET


Në Lezhë është bërë arrestimi i një tjetër personi në flagrancë, po për armë mbajtje pa leje. Sipas Policisë së Shtetasit, në pranga është vënë një shteas, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, vetëm inicialet A.P., 49 vjeç. Ky shtetas, në gjendje të dehur në fshatin Rraboshtë në Lezhë, mbrëmjen e të hënës ka qëlluar në ajër me armë zjarri në oborrin e banesës së tij.

Të tmerruar nga breshëritë e plumbave, banorë të fshatit kanë lajmëruar policinë e shtetit, e cila ka shkuar në vendngjarje duke bërë arrestimin në flagrancë të personit që kishte qëlluar me armë. Gjatë kontrolleve në banesë, këtij shtetasi i janë sekuestruar 2 armë zjarri automatike (automatik model MP-40 dhe Pushkë model 63), si dhe një granatë dore ofensive.


Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. parashikuar nga neni 278 dhe 274 të Kodit Penal.

Policia e Shkodrës ka arrestuar në flagrancë një person që qarkullonte në rrugë me armë zjarri pa leje. Sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit, këtë të martë është bërë arrestimi i një personi 25 vjeç, emri i të cilit nuk jepet, vetëm me inicialet L.M., banues në Shkodër, i cili është kapur teksa qarkullonte në rrugë me armë zjarri pa pasur leje. Kanë qenë forcat “Shqiponja” ato që kanë bërë zbulimin dhe më pas arrestimin e këtij personi, pas informacioneve të marra në rrugë operacionale. Arrestimi i këtij shtetasi u bë gjatë kohës që udhëtonte me motorr.

Forcat “Shqiponja” e kanë ndaluar dhe gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit “TT”.  Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.




Skip to toolbar