Municione luftarake të mbetura që nga viti 1997 janë zbuluar në një magazinë në Dobraç të Shkodrës dhe janë zhvendosur nga Forcat Ushtarake.
Ministrja e Mbrojtjes bën të ditur përmes një njoftimi se “struktura speciale për eleminimin e materialeve të rrezikshme EOD e batalionit të Xhenios në Komandën Mbështetëse u angazhua në operacionin e heqjes së një sasie municioni të gjetur në ambientet e një magazine të braktisur në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës, e cila i përkiste “Institutit të misrit”, tashmë i privatizuar.
Alarmin për prezencën e këtij municioni e dha pronari i këtij objekti, i cili duke pastruar ambientet e kësaj godine ka evidentuar sasinë e municioneve luftarake.
Specialistët EOD pasi evidentuan prezencën e municioneve luftarake, konstatuan se bëhej fjalë për 4 predha GHLKT “Granatë Hedhës i Lehtë Kundër-Tank” si dhe 1 granatë dore mësymëse.
Për shkak të llojit të tyre, municionet e gjetura në magazinë, dyshohet të jenë marrë nga depot e Forcave të Armatosura në vitin 1997.
Ekspertët e kompanisë EOD, morën masa për sigurimin e vendit dhe nëpërmjet automjeteve speciale, bënë të mundur transportimin e predhave dhe magazinimin e tyre në depot ushtarake të batalionit të Xhenios”, shkruhet në njoftim.