Gjenden armë nga ’97, ushtria zhvendos predhat në Shkodër

Më të fundit


Municione luftarake të mbetura që nga viti 1997 janë zbuluar në një magazinë në Dobraç të Shkodrës dhe janë zhvendosur nga Forcat Ushtarake.

Ministrja e Mbrojtjes bën të ditur përmes një njoftimi se “struktura speciale për eleminimin e materialeve të rrezikshme EOD e batalionit të Xhenios në Komandën Mbështetëse u angazhua në operacionin e heqjes së një sasie municioni të gjetur në ambientet e një magazine të braktisur në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës, e cila i përkiste “Institutit të misrit”, tashmë i privatizuar.

Alarmin për prezencën e këtij municioni e dha pronari i këtij objekti, i cili duke pastruar ambientet e kësaj godine ka evidentuar sasinë e municioneve luftarake.  

Specialistët  EOD  pasi evidentuan prezencën e municioneve luftarake, konstatuan se bëhej fjalë për 4 predha GHLKT “Granatë Hedhës i Lehtë Kundër-Tank” si dhe 1 granatë dore mësymëse.

Për shkak të llojit të tyre, municionet e gjetura në magazinë, dyshohet të jenë marrë nga depot e Forcave të Armatosura në vitin 1997.

Ekspertët e kompanisë EOD, morën masa për sigurimin e vendit dhe nëpërmjet automjeteve speciale, bënë të mundur transportimin e predhave dhe magazinimin e tyre në depot ushtarake të batalionit të Xhenios”, shkruhet në njoftim.



Skip to toolbar