Policët e EULEX të armatosur, niset drejt Hagës kreu i OVL të UÇK-së, protesta masive në Kosovë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, sot është arrestuar nga Policia e EULEX-it.

Mediet fqinje publikon videon, që tregon momentet kur Gucati niset drejt Gjykatës Speciale në Hagë. Arsyet e këtij arrestimi ende nuk janë bërë publike.

Para zyrave të OVL e UÇK-së janë mbledhur qytetarë të shumtë në protestë masive, ndërsa në zyrat e veteranëve janë duke qëndruar pjesëtarë të EULEX-it të armatosur ‘gjer në dhëmbë’.

Ndryshe, avokati i OVL e UÇK-së, Tomë Gashi ka konfirmuar arrestimin e tij. Ai ka thënë se do të dërgohet në Hagë.

“Tani u arrestu nga policia e EULEX-it kryetari i OVL të UÇK, zoti Hysni Gucati dhe do të transferohet në Hague! Bastisjet po vazhdojnë!”, ka shkruar Gashi.

Trafik droge e armëmbajtje pa leje, 23 të arrestuar në 24 orët e fundit, prangosen 5 të shpallur në kërkim

Policia e Shtetit, me anë të një lajmërimi për mediat, bën me dije se në 24 orët e fundit ka arrestuar 23 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Sipas policisë, janë prangosur gjithashtu 5 persona, që ishin në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Vijon në të gjithë vendin, zbatimi i detyrave të përcaktuara në Planin e Masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë pa leje, atyre me tendencë në krimet kundër personit, të atyre që shpërndajë apo trafikojnë lëndë narkotike  etj.

Gjatë orëve të fundit janë sekuestruar tri armë zjarri (dy pistoleta dhe një kallashnikov), rreth 10 kilogramë lëndë narkotike kanabis, dy armë të ftohta dhe një armë gjahu, si dhe janë ushtruar dhjetëra kontrolle në lokale, banesa, ambiente të ndryshme dhe vende të dyshuara për fshehje të sendeve të kundërligjshme apo përdorim të lëndëve narkotike.

Si rezultat, janë kapur dhe vënë në pranga dy persona me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, të cilët qarkullonin me armë zjarri, konkretisht 1 në Durrës dhe 1 Tiranë.

Janë goditur tri raste në fushën e narkotikëve, konkretisht: Në Krujë është vënë në pranga një person që kultivonte lëndë narkotike dhe mbante armë zjarri, në Bulqizë janë vënë në pranga dy vëllezër për kultivim dhe në Kurbin është vënë në pranga një shtetas, për kultivim e mbajtje të kanabisit në banesë.

Në Kamzë, falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë është parandaluar përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti, duke vënë në pranga një shtetas, i cili gjatë konflikti qëlloi me armë gjahu në drejtim të një shtetasi me të cilin kishte konflikt për motive pronësie.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 23 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 6 janë proceduar penalisht dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Operacioni vijon me angazhimin e të gjitha Drejtorive Vendore të Policisë, forcës së posaçme “Shqiponjat”, FNSH-së, RENEA-s, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe strukturave të Policisë Kufitare.

Drama vazhdon/ Sot dhe nesër mund të ketë arrestime të reja nga Gjykata Speciale

Arrestimi i djeshëm i Salih Mustafës në ditët në vijim mund të shoqërohet edhe me arrestime të tjera.

Pas një dekade hetimesh intensive, dje, Prokuroria Speciale e Tribunalit të Hagës e ka bërë sefte, duke e realizuar arrestimin e parë, atë të Salih Mustafës, i njohur si Cali.

Prokuroria, në një njoftim për shtyp, ka treguar që z. Mustafa dyshohet që gjatë kohës së luftës, në një qendër të UÇK-së, në periferi të Prishtinës, ka marrë pjesë në ndalim dhe torturë të paligjshme të civilëve. Aty dyshohet që një person e ka humbur edhe jetën. Mustafa pas luftës ka qenë i angazhuar në TMK e më vonë edhe në FSK.

Gazeta Express ka mësuar, përmes burimeve të saj, që tash Prokuroria e Tribunalit Special nuk e ka ndërmend të ndalet. Këto burime thonë që në ditët në vijim mund të ketë arrestime të tjera të ish-ushtarëve të UÇK-së, që nuk kanë pasur pozita të larta.

Dihet tashmë që në muajin shkurt, Prokuroria e këtij Tribunali i kishte dorëzuar propozim-aktakuzat para gjyqtarëve, të cilët brenda gjashtë muajsh do të duhej t’i konfirmonin ose t’i hidhnin poshtë pretendimet e prokurorëve.

Ky afat ishte përmbushur në gjysmën e muajit gusht, kurse arrestimi i fundit është pjellë e atyre propozim-aktakuzave. Sigurisht që arrestimi i Calit nuk është dhe nuk mund të jetë i vetmi.

Përveç propozim-aktakuzave të muajit shkurt, Prokuroria i ka dorëzuar në muajin prill edhe disa propozim-aktakuza të tjera, ku përfshihen krerët e UÇK-së, duke përfshirë këtu presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, z. Kadri Veseli. Afat i fundit për konfirmimin ose jo të këtyre aktakuzave është muaji tetor ani pse ato mund të konfirmohen edhe më herët.

Java e fundit ka qenë përplot zhvillime në raport me Tribunalin. Shoqata e Veteranëve të Luftës ka vazhduar me publikimin e disa dosjeve që kanë rrjedhur prej Tribunalit. Një person i paidentifikuar ka dërguar në seli të Shoqatës mijëra faqe të dosjeve.

Tribunali Special kryen arrestimin e parë, EULEX vë në pranga ish-shefin e inteligjencës së FSK-së dhe ish-komandantin e UÇK-së

Salih Mustafa, ish-shef i inteligjencës së FSK-së dhe ish-eprori i UÇK-së në zonën Operative të Llapit, i cili e ka drejtuar njësitin e quajtur BIA, është arrestuar sot.

Siç raportojnë mediat, ai është arrestuar nga EULEX-i, në mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij. Arrestimin e konfirmoi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala, i cili theksoi se ende nuk kanë njoftim zyrtar për shkaqet e arrestimit.

“Po e konfirmojmë arrestimin e zotit Sali Mustafa, zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes. Si Ministri e Mbrojtjes ende nuk kemi informacion zyrtar. Jemi në pritje të njoftimit zyrtar për shkaqet e arrestimit. Kur do ta kemi informacion shtesë do të ju njoftojmë me kohë”, tha ai.

Ndërkohë familjarët kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi se Mustafa, sipas deklaratave të zyrtarëve të EULEX-it, është nisur në drejtim të Hagës.

Mustafa ishte intervistuar nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, në nëntor të vitit të kaluar, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Vret në Francë dhe strehohet në mes të Tiranës, arrestohet francezi

Një 27-vjeçar francez është arrestuar, pasi akuzohet se ka vrarë një person në Francë. I riu me iniciale T.Q., në Nantes të Francës ka vrarë me pistoletë një shtetas dhe më pas është larguar në drejtim të Shqipërisë, ku ka hyrë me dokumentacion të rregullt para se të shpallej në kërkim ndërkombëtar.

Pas vrasjes, gjykata e Nantes në Francë e dënoi atë më 23 tetor 2019 me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasja”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Armëmbajtja pa leje”.  Menjëherë pas krimit, 27-vjeçari është futur në territorin shqiptar dhe jetonte në Tiranë në një shtëpi me qira te “Rruga e Barrikadave”.

Arrestimi i tij u bë pas aksionit të koduar “Barrikada” të policisë për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin drejt Francës, ku do të vuaj dhe dënimin.

Ngarkoi kamionin me gurë dekorativ nga Mali Tomorrit, arrestohet i riu

Një 33-vjeçar u arrestua për shkak se akuzohet për ”Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.  Ai është kapur në fshatin Novaj në Skrapar duke qarkulluar me mjetin kamion me targa AA 2350 P, të ngarkuar me pllaka guri dekorativ, në kundërshtim me ligjin.

Policia ka shpallur në kërkim edhe shtetas me iniciale L.L. banues në Tiranë. Mali i Tomorrit është shpallur zonë e mbrojtur mjedisore dhe shkatërrimi i saj është i paligjshëm nga guroret. Strukturat  vendore shprehen se lufta kundër shkatërrimit dhe mbrojtjes së Malit të Tomorrit do të vijojë.

Drejtonin mjetet pa leje, 8 të arrestuar në 48 orë

8 persona kanë përfunduar në pranga gjatë 48 orëve të fundit pasi, u ndaluan nga policia duke drejtuar mjetin pa patentë.

Në pranga kanë rënë E. K., 19 vjeç, N. S., 46 vjeç, D. Ç., 55 vjeç, B. M., 62 vjeç, I. M., 58 vjeç, O. K., 36 vjeç,  F. M., 22 vjeç dhe A. B., 18 vjeç, u arrestuan në flagrancë pasi u kapën nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar mjetet e tyre pa leje drejtimi.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara janë pezulluar 15 leje drejtimi për 48 orë, nga këto: 6 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 4 për shpejtësi tej normave të lejuara, 5 për drejtim mjeti në sens të kundërt; si edhe janë evidentuar një sërë shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtuesit e mjeteve janë ndëshkuar me masë administrative.

Janë vendosur gjithsej 200 masa administrative nga të cilat 30 për mospërdorim të rripit të sigurimit, 50 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 20 për parakalim të gabuar; 100 masa të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Lejuan ndërtimet pa leje, pranga tre inspektorëve

Tre inspektorë të mbrojtjes së territorit përfunduan në pranga pasi akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi kanë lejuar shtetas të ndryshëm të ndërtojnë pa leje. Arrestimi i tyre u bë pas një hetimi 6-mujor nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Berat, ku u konfirmuan shkeljet flagrante të detyrës së tyre.

Pas mbledhjes së provave, policia e Beratit zhvilloi operacionin e koduar “Stop” dhe vuri në pranga tre inspektorët pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Berat, konkretisht shtetasit: L.S., 50 vjeç, E.V., 29 vjeç,  dhe D.H., 45 vjeç.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 3 inspektorët, në kundërshtim me ligjin, kanë favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm për të kryer ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Berat.

Nga Skrapari drejt Gjirokastrës për të vjedhur makinën, pranga dy të rinjve

Dy skraparllinj u nisën drejt Gjirokastrës me qëllimin e vetëm për të vjedhur një makinë. Plani i tyre nuk shkoi siç e kishin parashikuar, pasi të dy përfunduan në prangat e policisë.

Dy të arrestuarit me iniciale A.L., 25 vjeç dhe O.P., 34 vjeç tentuan të vidhnin një automjet “Mersedez-Benz” në lagjen “18-Shtatori” në Gjirokastër. Ato u pikasën nga banorët, të cilët lajmëruan policinë.

Arratisja e dy të rinjve zgjati vetëm pak minuta, pasi policia bëri të mundur arrestimin e tyre.

Shpërndanin heroinë në Tiranë, 2 në pranga

Dy të rinj u arrestuan pasi u kapën në flagrancë duke shpërndarë lëndë narkotike në kryeqytet gjatë operacionit të koduar “Kombinati”. Dy të arrestuarit Klajdi Balla, 23 vjeç dhe Donaldo Llupo, 18 vjeç, u kapën me një sasi heroine të vendosur në qese transparente, gati për ta shitur, pesha e të cilit arrinte në 3.9 kg.

Ndalimi i 23-vjeçarit u bë në afërsi të stadiumit “Dinamo”, ku gjatë kontrollit në një çantë krahu i është gjetur një qese transparente me heroinë. Ndërsa në kontrollin e ushtruar në banesën e tij në rrugën “Gjin Gjergji” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip ‘TT’ me dy krehra metalik dhe 21 fishekë, një shkop metalik me hapje, si ato të punonjësve të Policisë, një sasi lënde narkotike në formë të ngurtësuar, e dyshuar heroinë.

Operacioni ka vijuar me kapjen e shtetasit Donaldo Llupo, të cilit gjatë kontrollit i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një përforcues grushti metalik, një elektrik paralizues dhe një sasi heroine.

Skip to toolbar